욥기 34장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 욥기 (Job) · 37절
- 1 Elihu nisi përsëri të flasë dhe tha:
- 2 "Dëgjoni, o njerëz të urtë, fjalët e mia, dhe ju, njerëz të ditur, ma vini veshin!
- 3 Sepse veshi i shqyrton fjalët, ashtu si qiellza i shijon ushqimet.
- 4 Le të zgjedhim ne vetë atë që është e drejtë të pranojmë midis nesh atë që është e mirë.
- 5 Sepse Jobi ka thënë: "Jam i drejtë, por Perëndia më ka hequr drejtësinë time.
- 6 A duhet të gënjej kundër drejtësisë sime? Plaga ime është e pashërueshme, megjithëse jam pa mëkat".
- 7 Kush është si Jobi, që e pi përqeshjen si ujin,
- 8 që ecën bashkë me keqbërësit dhe shkon bashkë me njerëzit e këqij?
- 9 Sepse ka thënë: "Nuk i vlen fare njeriut të vendosë kënaqësinë e tij te Perëndia".
- 10 Më dëgjoni, pra, o njerëz me mend! Qoftë larg Perëndisë paudhësia dhe ligësia qoftë larg të Plotfuqishmit!
- 11 Sepse ai ia kthen njeriut sipas veprave të tij dhe secilin e bën të gjejë shpërblimin për sjelljen e tij.
- 12 Sigurisht Perëndia nuk kryen të keqen dhe i Plotfuqishmi nuk shtrembëron drejtësinë.
- 13 Kush i ka besuar kujdesin për tokën, ose kush e ka vendosur mbi tërë botën?
- 14 Në qoftë se Perëndia duhet të vendoste në zemër të vet të tërhiqte mbi vete Frymën e tij dhe frymën e tij,
- 15 çdo mish do të shkatërrohej njëkohësisht, dhe njeriu do të kthehej në pluhur.
- 16 Në qoftë se ke mend, dëgjoje këtë, vër veshin për të dëgjuar atë që po të them.
- 17 A mund të qeverisë ai që urren drejtësinë? A guxon ti të dënosh të Drejtin, të Fuqishmin?
- 18 Ai që i thotë një mbreti: "Je për t'u përbuzur" dhe princave: "Jeni të këqij".
- 19 Por ai nuk bën asnjë anësi me të mëdhenjtë dhe as e konsideron të pasurin më tepër se të varfrin, sepse të gjithë janë vepra e duarve të tij.
- 20 Në një çast ata vdesin; në mesin e natës njerëzia tronditet dhe zhduket, të fuqishmit çohen tutje pa dorë njeriu.
- 21 Sepse ai i mban sytë te rrugët e njeriut, dhe shikon tërë hapat e tij.
- 22 Nuk ka terr as hije vdekjeje, ku mund të fshihen njerëzit e këqij.
- 23 Në fakt Perëndia nuk ka nevojë ta kqyrë gjatë një njeri para se ta nxjerrë për gjykim para tij.
- 24 Ai i ligështon të fuqishmit pa bërë hetim dhe vë të tjerë në vendin e tyre.
- 25 Duke qenë se i njeh veprat e tyre, i rrëzon natën dhe ata shkatërrohen;
- 26 i godet si njerëz të këqij para syve të të gjithëve,
- 27 sepse janë larguar nga ai pa u kujdesur për rrugët e tij,
- 28 deri sa të arrijë tek ai britma e të varfrit, sepse ai dëgjon britmën e të pikëlluarve.
- 29 Kur Perëndia jep qetësinë, kush do ta dënojë? Kur fsheh fytyrën e tij, kush do të mund ta shikojë, qoftë kundër një kombi të tërë ose kundër një njeriu të vetëm,
- 30 për të penguar që i pabesi të mbretërojë dhe që populli të zihet ndër leqe?
- 31 Dikush mund t'i thotë Perëndisë: "Unë e mbart fajin tim, po nuk do ta bëj më të keqen;
- 32 tregomë atë që nuk arrij të shikoj; në rast se kam kryer ndonjë paudhësi, nuk do ta bëj më"?
- 33 A duhet të të shpërblejë ai në bazë të konditave të tua, sepse ti nuk pranon gjykimin e tij? Ti duhet të zgjedhësh dhe jo unë; prandaj thuaj atë që di.
- 34 Njerëzit me mend; si çdo njeri i urtë që më dëgjon, do të më thonë:
- 35 "Jobi flet pa mend, fjalët e tij nuk kanë dituri".
- 36 Le të provohet Jobi deri në fund, sepse përgjigjet e tij janë si ato të njerëzve të këqij,
- 37 sepse i shton mëkatit të tij revoltën, rreh duart mes nesh dhe i shumëzon fjalët e tij kundër Perëndisë".
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗