욥기 29장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 욥기 (Job) · 25절
- 1 Jobi e rifilloi ligjëratën e tij dhe tha:
- 2 "Ah, sikur të isha si në muajt e së kaluarës, si në ditët kur Perëndia më mbronte,
- 3 kur llamba e tij shkëlqente mbi kokën time dhe me dritën e saj ecja në mes të errësirës;
- 4 siç isha në ditët e pjekurisë sime, kur mendja e fshehtë e Perëndisë kujdesej për çadrën time,
- 5 kur i Plotfuqishmi ishte akoma me mua dhe bijtë e mi më rrinin përqark;
- 6 kur laja këmbët e mia në gjalpë dhe shkëmbi derdhte për mua rrëke vaji.
- 7 Kur dilja ne drejtim të portës së qytetit dhe ngrija fronin tim në shesh,
- 8 të rinjtë, duke më parë, hiqeshin mënjanë, pleqtë ngriheshin dhe qëndronin më këmbë;
- 9 princat ndërprisnin bisedat dhe vinin dorën mbi gojë;
- 10 zëri i krerëve bëhej më i dobët dhe gjuha e tyre ngjitej te qiellza.
- 11 veshi që më dëgjonte, më shpallte të lumtur, dhe syri që më shihte, dëshmonte për mua,
- 12 sepse çliroja të varfrin që klithte për ndihmë, dhe jetimin që nuk kishte njeri që ta ndihmonte.
- 13 Bekimi i atij që ishte duke vdekur zbriste mbi mua dhe unë e gëzoja zemrën e gruas së ve.
- 14 Isha i veshur me drejtësi dhe ajo më mbulonte; drejtësia ime më shërbente si mantel dhe si çallmë.
- 15 Isha sy për të verbërin dhe këmbë për çalamanin;
- 16 isha një baba për të varfrit dhe hetoja rastin që nuk njihja.
- 17 I thyeja nofullat njeriut të keq dhe rrëmbeja gjahun nga dhëmbët e tij.
- 18 Dhe mendoja: "Kam për të vdekur në folenë time dhe do të shumëzoj ditët e mia si rëra;
- 19 rrënjët e mia do të zgjaten në drejtim të ujërave, vesa do të qëndrojë tërë natën në degën time;
- 20 lavdia ime do të jetë gjithnjë e re tek unë dhe harku im do të fitojë forcë të re në dorën time".
- 21 Të pranishmit më dëgjonin duke pritur dhe heshtnin për të dëgjuar këshillën time.
- 22 Mbas fjalës sime ata nuk përgjigjeshin, dhe fjalët e mia binin mbi ta si pika vese.
- 23 Më prisnin ashtu si pritet shiu dhe hapnin gojën e tyre si për shiun e fundit.
- 24 Unë u buzëqeshja kur kishin humbur besimin, dhe nuk mund ta pakësonin dritën e fytyrës sime.
- 25 Kur shkoja tek ata, ulesha si kryetar dhe rrija si një mbret midis trupave të tij, si një që ngushëllon të dëshpëruarit.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗