로그인

욥기 21장 Albanian Bible

Albanian Bible · 알바니아어 · 욥기 (Job) · 34절

  1. 1 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:
  2. 2 "Dëgjoni me kujdes atë që kam për të thënë, dhe kjo të jetë kënaqësia që më jepni.
  3. 3 Kini durim me mua dhe më lini të flas dhe, kur të kem folur, edhe talluni me mua.
  4. 4 A ankohem vallë për një njeri? Dhe pse fryma ime nuk duhet të trishtohet?
  5. 5 Shikomëni dhe habituni, dhe vini dorën mbi gojë.
  6. 6 Kur e mendoj, më zë frika dhe mishi im fillon të dridhet.
  7. 7 Pse, pra, jetojnë të pabesët dhe pse plaken dhe shtojnë pasuritë e tyre?
  8. 8 Pasardhësit e tyre fuqizohen bashkë me ta nën vështrimet e tyre dhe fëmijët e tyre lulëzojnë në sytë e tyre.
  9. 9 Shtëpitë e tyre janë në siguri, pa tmerre, dhe fshikulli i Perëndisë nuk rëndon mbi ta.
  10. 10 Demi i tyre mbars dhe nuk gabon, lopa e tyre pjell pa dështuar.
  11. 11 Dërgojnë jashtë si një kope të vegjlit e tyre dhe bijtë e tyre hedhin valle.
  12. 12 Këndojnë në tingujt e timpanit dhe të qestes dhe kënaqen me zërin e flautit.
  13. 13 I kalojnë në mirëqënie ditët e tyre, pastaj një çast zbresin në Sheol.
  14. 14 Megjithatë i thonin Perëndisë: "Largohu nga ne, sepse nuk dëshirojmë aspak të njohim rrugët e tua.
  15. 15 Kush është i Plotfuqishmi të cilit duhet t'i shërbejmë? Ç'përfitojmë veç kësaj kur e lusim?".
  16. 16 Ja, begatia e tyre a nuk është vallë në duart e tyre? Këshilla e të pabesëve është mjaft larg meje.
  17. 17 Sa herë shuhet llamba e të këqijve ose shkatërrimi bie mbi ta, vuajtjet që Perëndia cakton në zemërimin e tij?
  18. 18 A janë ata si kashta përpara erës ose si byku që e merr me vete stuhia?
  19. 19 Ju thoni se Perëndia ruan dënimin e paudhësisë së dikujt për bijtë e tij. Ta shpaguajë Perëndia, që ai të mund ta kuptojë.
  20. 20 Të shohë me sytë e tij shkatërrimin e vet dhe të pijë nga zemërimi i të Plotfuqishmit!
  21. 21 Çfarë i hyn në punë në fakt shtëpia e tij mbas vdekjes, kur numri i muajve të tij është mbushur?
  22. 22 A mundet ndokush t'i mësojë Perëndisë njohuri, atij që gjykon ata që ndodhen atje lart?
  23. 23 Dikush vdes kur ka plot fuqi, i qetë dhe i sigurt;
  24. 24 ka kovat plot me qumësht dhe palca e kockave të tij është e freskët.
  25. 25 Një tjetër përkundrazi vdes me shpirt të hidhëruar, pa pasë shijuar kurrë të mirën.
  26. 26 Që të dy dergjen bashkë në pluhur dhe krimbat i mbulojnë.
  27. 27 Ja, unë i njoh mendimet tuaja dhe planet me të cilat doni të ushtroni dhunën kundër meje.
  28. 28 Në fakt ju thoni: "Ku është shtëpia e princit, dhe ku është çadra, banesa e njerëzve të këqij?".
  29. 29 Nuk i keni pyetur ata që udhëtojnë dhe nuk i njihni shenjat e tyre?
  30. 30 Njerëzit e këqij në fakt shpëtojnë ditën e shkatërrimit dhe çohen në shpëtim ditën e zemërimit.
  31. 31 Kush e qorton për sjelljen e tij dhe kush i jep shpagim për atë që ka bërë?
  32. 32 Atë e çojnë në varr dhe i bëjnë roje varrit të tij.
  33. 33 Plisat e luginës do të jenë të ëmbël për të; tërë njerëzia do ta ndjekë, ndërsa një mori pa fund i shkon para.
  34. 34 Si mund të më ngushëlloni pra, me fjalë të kota, kur nga fjalët tuaja nuk mbetet veçse gënjeshtra?".

Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗