욥기 20장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 욥기 (Job) · 29절
- 1 Atëherë Zofari nga Naamathi u përgjigj dhe tha:
- 2 "Për këtë mendimet e mia më shtyjnë të përgjigjem, për shkak të shqetësimit që ndjej brenda vetes sime.
- 3 Kam dëgjuar një qortim që më turpëron, por fryma ime më shtyn të përgjigjem ashtu si e gjykoj.
- 4 A nuk e di ti që gjithnjë, qysh prej kohës që njeriu u vu mbi tokë,
- 5 triumfi i të këqijve zgjat pak dhe gëzimi i të pabesëve zgjat vetëm një çast?
- 6 Edhe sikur madhështia e tij të arrinte deri në qiell dhe koka e tij të prekte retë,
- 7 ai do të vdesë për gjithmonë si jashtëqitjet e tij; ata që e kanë parë do të thonë: "Ku është?".
- 8 Do të fluturojë si një ëndërr dhe nuk do të gjendet më; do të zhduket si një vegim nate.
- 9 Syri që e shihte, nuk do ta dallojë më; edhe banesa e tij nuk do ta shohë më.
- 10 Bijtë e tij do të kërkojnë të fitojnë favorin e të varfërve dhe duart e tij do të rivendosin pasurinë e tij.
- 11 Forca rinore që i mbushte kockat do të dergjet në pluhur bashkë me të.
- 12 Edhe sikur e keqja të jetë e ëmbël në gojën e tij, ai e fsheh atë nën gjuhë,
- 13 nuk lejon që të dalë që andej por vazhdon ta mbajë në gojë.
- 14 Por ushqimi i tij, që është në zorrët e veta transformohet dhe bëhet një helm gjarpëri brenda tij.
- 15 Ai do të vjellë pasuritë që ka gëlltitur; vetë Perëndia do t'ia nxjerrë nga barku.
- 16 Ai ka thithur helm gjarpëri, gjuha e një nepërke do ta vrasë.
- 17 Nuk ka për të parë më lumenj as përrenj që rrjedhin me mjaltë dhe gjalpë.
- 18 Do të kthejë atë për të cilën është lodhur pa e vënë aspak në gojë; nuk do të ketë asnjë gëzim nga përfitimet e tregtisë së tij.
- 19 Sepse ka shtypur dhe braktisur të varfrin, ka shtënë në dorë me forcë një shtëpi që nuk e kishte ndërtuar.
- 20 Duke qenë se lakmia e tij nuk ka njohur kurrë qetësi, ai nuk do të shpëtojë asgjë nga gjërat që dëshironte aq shumë.
- 21 Asgjë nuk do t'i shpëtojë pangopësisë së tij, prandaj mirëqënia e tij nuk do të zgjasë.
- 22 Kur të jetë në kulmin e bollëkut do të gjendet ngushtë; dora e të gjithë atyre që vuajnë do të ngrihet kundër tij.
- 23 Kur të jetë bërë gati për të mbushur barkun, Perëndia do të dërgojë mbi të zjarrin e zemërimit të tij, që do të bjerë mbi të kur të jetë duke ngrënë.
- 24 Ai mund të shpëtojë nga një armë prej hekuri, por atë do ta shpojë një hark prej bronzi.
- 25 Nxirret shigjeta që del nga trupi i tij, maja e shndritshme del nga vreri i tij, atë e pushton tmerri.
- 26 Errësirë e plotë është caktuar për thesaret e tij; do ta konsumojë një zjarr jo i nxitur; ata që kanë mbetur në çadrën e tij do të jenë në ankth.
- 27 Qielli do të zbulojë paudhësinë e tij dhe toka do të ngrihet kundër tij.
- 28 Të ardhurat e shtëpisë së tij do t'i merren, do t'i marrin në ditën e zemërimit të tij.
- 29 Ky është fati që Perëndia i cakton njeriut të keq, trashëgimi që i është dhënë nga Perëndia.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗