에베소서 6장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 에베소서 (Ephesians) · 24절
- 1 Fëmijë, binduni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë.
- 2 ''Ndero babanë tënd dhe nënën tënde'', ky është urdhërimi i parë me premtim,
- 3 ''që ti të jesh mirë dhe të jetosh gjatë mbi dhe''.
- 4 Dhe ju, etër, mos provokoni për zemërim fëmijtë tuaj, por i edukoni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit.
- 5 Ju, shërbëtorë, bindjuni zotërinjve tuaj sipas mishit me druajtje dhe dridhje, në thjeshtësinë e zemrës suaj, porsi Krishtit,
- 6 duke mos shërbyer për sy e faqe, si ata që duan t'u pëlqejnë njerëzve, por si shërbëtorë të Krishtit, duke bërë vullnetin e Perëndisë me zemër,
- 7 duke shërbyer me dashuri si për Krishtin dhe jo si për njerëzit,
- 8 duke ditur se gjithsecili, qoftë skllav apo i lirë, po të bëjë të mirën, do të marrë shpërblimin nga Zoti.
- 9 Dhe ju, zotërinj, bëni po kështu ndaj tyre, duke i lënë kërcënimet, duke ditur që i tyre dhe juaji Zot është në qiell dhe se tek ai nuk ka asnjë anësi.
- 10 Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij.
- 11 Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit,
- 12 sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore.
- 13 Prandaj merreni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e mbrapshtë dhe të mbeteni më këmbë pasi t'i keni kryer çdo gjë.
- 14 Qëndroni, pra, të fortë, duke patur në ijë brezin e së vërtetës, të veshur me parzmoren e drejtësisë,
- 15 dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes,
- 16 mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.
- 17 Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë,
- 18 duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim me çdo ngulmim dhe lutje për të gjithë shenjtorët,
- 19 dhe edhe për mua, që kur të hap gojën time, të më jepet të flas lirësisht për ta bërë të njohur misterin e ungjillit,
- 20 për të cilin jam i dërguari në pranga, që të mund të shpall lirësisht, siç e kam për detyrë.
- 21 Por, që ta dini edhe ju si jam dhe çfarë bëj, Tikiku, vëllai i dashur dhe shërbenjësi besnik në Zotin, do t'ju informojë për të gjitha;
- 22 të cilin pikërisht për këtë qëllim po ju kam dërguar, që të jeni në dijeni të gjendjes sonë dhe të ngushëllojë zemrat tuaja.
- 23 Paqe vëllezërve dhe dashuri me besim nga Perëndia Ati dhe nga Zoti Jezu Krisht.
- 24 Hiri qoftë me të gjithë ata që duan Zotin tonë Jezu Krisht me sinqeritet.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗