시편 94편 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 시편 (Psalms) · 23절
- 1 O Perëndi i hakmarrjes, o Zot, Perëndi i hakmarrjeve, shkëlqe.
- 2 Çohu, o gjykatës i tokës, dhe jepu shpërblimin mëndjemëdhenjve.
- 3 Deri kur të pabesët, o Zot, deri kur të pabesët do të triumfojnë?
- 4 Ata vjellin fjalë dhe mbajnë fjalime të paturpshme; të gjithë ata që kryejnë paudhësi flasin me arrogancë.
- 5 Ata marrin nëpër këmbë popullin tënd, o Zot, dhe shtypin trashëgiminë tënde.
- 6 Vrasin gruan e ve dhe të huajin, dhe vrasin jetimët,
- 7 dhe thonë: "Zoti nuk shikon, Perëndia i Jakobit nuk kupton".
- 8 Kërkoni të kuptoni, o njerëz të pamend midis popullit; dhe ju budallenj, kur do të bëheni të zgjuar?
- 9 Ai që ka vënë veshin, a nuk dëgjon? Ai që ka formuar syrin, a nuk shikon?
- 10 Ai që ndreq kombet, a nuk do t'i dënojë ata, ai që i mëson diturinë njeriut?
- 11 Zoti i njeh mendimet e njeriut dhe e di që nuk janë veçse kotësi.
- 12 Lum ai njeri që ti ndreq, o Zot, dhe që ti mëson sipas ligjit tënd,
- 13 për t'i dhënë prehje në ditët e fatkeqësisë, deri sa t'i hapet gropa të pabesit.
- 14 Sepse Zoti nuk ka për të hedhur poshtë popullin e tij dhe nuk ka për të braktisur trashëgiminë e tij.
- 15 Gjykimi do të mbështetet përsëri mbi drejtësinë, dhe tërë ata që janë të drejtë nga zemra do t'i shkojnë pas.
- 16 Kush do të ngrihet në favorin tim kundër njerëzve të këqij? Kush do të më dalë krah kundër atyre që kryejnë paudhësi?
- 17 Në qoftë se Zoti nuk do të më kishte ndihmuar, do të kisha përfunduar shpejt në vendin e heshtjes.
- 18 Kur thashë: "Këmba ime ngurron", mirësia jote, o Zot, më ka përkrahur.
- 19 Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër.
- 20 Do të jetë vallë aleati yt gjykata e padrejtë, që thur padrejtësi në emër të ligjit?
- 21 Ata mblidhen tok kundër të drejtit dhe dënojnë gjakun e pafajshëm.
- 22 Por Zoti është kështjella ime dhe Perëndia im është kalaja në të cilën gjej strehë.
- 23 Ai do të lëshojë mbi ta ligësinë e tyre dhe do t'i bëjë të vdesin për shkak të paudhësisë së tyre; Zoti, Perëndia ynë, do t'i shkatërrojë.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗