시편 78편 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 시편 (Psalms) · 72절
- 1 Kushtoji kujdes, o populli im, ligjit tim; dëgjo fjalët e gojës sime.
- 2 Do të hap gojën time për të thënë shëmbëlltyra, dhe kam për të paraqitur misteret e kohërave të lashta.
- 3 Atë që ne kemi dëgjuar dhe kemi njohur, dhe që etërit tanë na kanë treguar,
- 4 nuk do t'ua fshehim bijve të tyre, por do t'i tregojmë brezit të ardhshëm lavdet e Zotit, fuqinë e tij dhe mrekullinë që ai ka bërë.
- 5 Ai ka vendosur një dëshmi te Jakobi dhe ka vënë një ligj në Izrael, dhe ka urdhëruar etërit tanë që t'ua bëjnë të njohura bijve të tyre,
- 6 me qëllim që brezi i ardhshëm t'i njohë së bashku me bijtë që do të lindin; dhe këta nga ana e tyre t'ua tregojnë bijve të tyre,
- 7 dhe të vendosin te Perëndia besimin e tyre dhe të mos harrojnë veprat e Perëndisë, por të respektojnë urdhërimet e tij;
- 8 dhe të mos jenë si etërit e tyre, një brez kokëfortë dhe rebel, një brez me zemër të paqëndrueshme dhe me një frymë jo besnike ndaj Perëndisë.
- 9 Bijtë e Efraimit, njerëz të luftës, harkëtarë të zotë, kthyen shpinën ditën e betejës,
- 10 nuk respektuan besëlidhjen e Perëndisë dhe nuk pranuan të ecnin sipas ligjit të tij,
- 11 harruan veprat e tij dhe mrekullitë që u kishte treguar.
- 12 Ai bëri mrekulli në prani të etërve të tyre, në vendin e Egjiptit dhe në fushën e Tsoanit.
- 13 Ai e ndau detin dhe i bëri të kalojnë në mes të tij, dhe i mblodhi ujërat si një grumbull.
- 14 Ditën drejtoi me anë të resë dhe tërë natën me një dritë zjarri.
- 15 I çau shkëmbinjtë në shkretëtirë dhe i bëri të pijnë boll, si të ishte uji i humnerës së madhe.
- 16 Nxori rrëket nga shkëmbi dhe bëri që të rridhnin ujëra si lumenj.
- 17 Por ata vazhduan të mëkatojnë kundër tij dhe të ngrejnë krye kundër Shumë të Lartit në shkretëtirë,
- 18 dhe e tunduan Perëndinë në zemër të tyre, duke kërkuar ushqim sipas dëshirave të tyre.
- 19 Dhe folën kundër Perëndisë, duke thënë: "A mund të shtrojë Perëndia një sofër në shkretëtirë?
- 20 Ja, ai e goditi shkëmbin dhe prej tij dolën ujëra dhe vërshuan përrenj. A mund t'i japë bukë dhe mish popullit të tij?
- 21 Dhe kështu Zoti i dëgjoi dhe u zemërua fort, dhe një zjarr u ndez kundër Jakobit dhe zemërimi kundër Izraelit u ndez,
- 22 sepse nuk i kishin besuar Perëndisë dhe nuk kishin pasur besim në shpëtimin prej tij.
- 23 Megjithatë ai i urdhëroi retë e sipërme dhe hapi dyert e qiellit,
- 24 dhe bëri që mbi ta të binte mana për të ngrënë dhe u dha atyre grurin e qiellit.
- 25 Njeriu hëngri bukën e engjëjve; ai u dërgoi atyre ushqime sa të ngopeshin.
- 26 Ai bëri të ngrihet në qiell era e lindjes dhe në sajë të fuqisë së tij bëri të ngrihet era e jugut,
- 27 bëri të binin mbi ta mish si pluhuri dhe zogj si rëra e detit.
- 28 Bëri që këto të binin në mes të kampit të tyre, rreth çadrave të tyre.
- 29 Kështu ata hëngrën sa u ngopën, sepse Perëndia u kishte siguruar atyre atë që ata kishin dëshiruar.
- 30 Ata nuk kishin akoma kënaqur pangopësinë e tyre dhe kishin akoma ushqim në gojë,
- 31 kur zemërimi i Perëndisë shpërtheu kundër tyre, vrau më të fuqishmit prej tyre dhe rrëzoi më të mirët e Izraelit.
- 32 Megjithatë ata vazhduan të mëkatojnë dhe nuk u besuan mrekullive të tij.
- 33 Atëherë ai harxhoi ditët e tyre në kotësi dhe vitet e tyre në tmerre të papritura.
- 34 Kur i vriste, ata e kërkonin dhe ktheheshin të kërkonin Perëndinë me zell.
- 35 Kujtoheshin që Perëndia ishte Kështjella e tyre dhe që Perëndia shumë i larti ishte Shpëtimtari i tyre.
- 36 Por ata e mashtronin me gojën e tyre dhe e gënjenin me gjuhën e tyre.
- 37 Në fakt zemra e tyre nuk ishte e qëndrueshme ndaj tij dhe ata nuk ishin besnikë ndaj besëlidhjes së tij.
- 38 Por ai, që është i mëshirshëm, ua fali paudhësinë e tyre dhe nuk i shkatërroi, dhe shumë herë përmbajti zemërimin e tij dhe nuk e la indinjatën e tij të shpërthejë,
- 39 duke mbajtur mend që ata ishin mish, një frymë që kalon dhe nuk kthehet më.
- 40 Sa herë provokuan indinjatën e tij në shkretëtirë dhe e hidhëruar në vetmi!
- 41 Po, ata iu drejtuan Perëndisë shumë herë dhe përsëri e provokuan të Shenjtin e Izraelit.
- 42 Nuk e kujtuan më fuqinë e tij as ditën që i kishte çliruar nga armiku,
- 43 kur ai kishte bërë mrekullitë e tij në Egjipt dhe në fushën e Tsoanit;
- 44 i kishte shndërruar lumenjtë dhe rrjedhat e ujit të Egjiptasve në gjak, me qëllim që të mos pinin dot.
- 45 Kishte dërguar kundër tyre mizëri mizash që t'i hanin dhe bretkosa që t'i shkatërronin.
- 46 Ua kishte dhënë të korrat e tyre krimbave dhe frytin e mundit të tyre karkalecave.
- 47 I kishte shkatërruar vreshtat e tyre me breshër dhe fiqtë e tyre të Egjiptit me ngrica.
- 48 Kishte braktisur bagëtinë e tyre në mëshirë të breshërit dhe kopetë e tyre në mëshirë të rrufeve.
- 49 Kishte lëshuar mbi ta zjarrin e zemërimit të tij, indinjatën, inatin dhe fatkeqësinë, një turmë lajmëtarësh të fatkeqësisë.
- 50 I kishte hapur udhën zemërimit të tij dhe nuk i kishte kursyer nga vdekja, por ia kishte braktisur jetën e tyre murtajës.
- 51 I kishte goditur në Egjipt gjithë të parëlindurit dhe prodhimet e para në çadrat e Kamit.
- 52 Por e kishte bërë popullin e tij të ikte si bagëtia dhe e kishte çuar nëpër shkretëtirë sikur të ishte një kope.
- 53 I kishte udhëhequr me siguri dhe ata nuk patën frikë, por deti i kishte përpirë armiqtë e tyre.
- 54 Dhe ai i solli kështu në tokën e tij të shenjtë, në malin që dora e djathtë e tij kishte pushtuar.
- 55 I dëboi kombet para tyre dhe u caktoi atyre me short trashëgiminë, dhe bëri që fiset e Izraelit të banonin në çadrat e tyre.
- 56 Por ata u orvatën dhe provokuan indinjatën e Perëndisë shumë të lartë dhe nuk respektuan statutet e tij.
- 57 U tërhoqën madje prapa dhe u suallën në mënyrë të pabesë ashtu si etërit e tyre, dhe devijuan si një hark që gabon;
- 58 provokuan zemërimin e tij me vendet e tyre të larta dhe e bënë ziliqar me skulpturat e tyre.
- 59 Perëndia dëgjoi dhe u zemërua, dhe ndjeu një neveri të madhe për Izraelin.
- 60 Kështu ai braktisi tabernakullin e Shilohut, çadrën që kishte ngritur midis njerëzve;
- 61 dhe e la forcën e tij të bjerë rob dhe lavdinë e tij në dorë të armikut.
- 62 Ia braktisi popullin e tij shpatës dhe u zemërua shumë kundër trashëgimisë së tij.
- 63 Zjarri i konsumoi të rinjtë e tyre dhe virgjëreshat e tyre nuk patën asnjë këngë dasme.
- 64 Priftërinjtë e tyre u vranë nga shpata dhe gratë e reja nuk mbajtën zi.
- 65 Pastaj Zoti u zgjua si nga gjumi, ashtu si një trim që bërtet nën ndikimin e verës.
- 66 I goditi armiqtë e tij në kurriz dhe i mbuloi me një turp të përjetshëm.
- 67 Hodhi poshtë çadrën e Jozefit dhe nuk zgjodhi fisin e Efraimit,
- 68 por zgjodhi fisin e Judës, malin e Sionit, që ai e do.
- 69 Ndërtoi shenjtëroren e tij, ashtu si vëndet shumë të larta, ashtu si tokat që ka krijuar përjetë.
- 70 Dhe zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij, dhe e mori nga vatha e dhenve,
- 71 dhe e mori nga delet që mëndnin për të kullotur Jakobin, popullin e tij dhe Izraelin, trashëgiminë e tij.
- 72 Dhe ai bëri që të kullosnin me ndershmërinë e zemrës së tyre dhe i udhëhoqi me shkathtësinë e duarve të tij.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗