로그인

시편 34편 Albanian Bible

Albanian Bible · 알바니아어 · 시편 (Psalms) · 22절

  1. 1 Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time.
  2. 2 Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen.
  3. 3 Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij.
  4. 4 Unë e kërkova Zotin, dhe ai m'u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia.
  5. 5 Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan.
  6. 6 Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij.
  7. 7 Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron.
  8. 8 Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai.
  9. 9 Kini frikë nga Zoti, ju shenjtorë të tij, sepse asgjë nuk u mungon atyre që kanë frikë prej tij.
  10. 10 Luanët e vegjël vuajnë nga mungesa e madhe dhe nga uria, por atyre që kërkojnë Zotin nuk u mungon asgjë.
  11. 11 Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t'ju mësoj frikën e Zotit.
  12. 12 Cili është ai njeri që dëshiron jetën dhe do ditë të gjata për të parë të mirën?
  13. 13 Mbaje gjuhën tënde larg së keqes dhe buzët e tua të mos thonë gënjeshtra.
  14. 14 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe siguroje.
  15. 15 Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre.
  16. 16 Fytyra e Zotit është kundër atyre që sillen keq, për të çrrënjosur kujtimin e tyre nga faqja e dheut.
  17. 17 Të drejtët bërtasin dhe Zoti i dëgjon dhe i çliron nga të gjitha fatkeqësitë e tyre.
  18. 18 Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar.
  19. 19 Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha.
  20. 20 Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet.
  21. 21 Ligësia do të vrasë të keqin, dhe ata që urrejnë të drejtin do të shkatërrohen.
  22. 22 Zoti shpengon jetën e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë te ai nuk do të shkatërrohet.

Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗