히브리서 11장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 히브리서 (Hebrews) · 40절
- 1 Dhe besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen;
- 2 sepse me anë të saj të moçmit morën dëshmimin.
- 3 Me anë të besimit ne kuptojmë se bota është ndërtuar me fjalën e Perëndisë, sa që ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që shihen.
- 4 Me anë të besimit Abeli i ofroi Perëndisë flijim më të mirë nga ai i Kainit; me anë të tij ai mori dëshmimin se ishte i drejtë, sepse Perëndia dha dëshmin se i pranoi ofertat e tij; dhe me anë të tij, ndonëse vdiq, ai po flet ende.
- 5 Me anë të besimit Enoku u zhvendos që të mos shikonte vdekje dhe nuk u gjet më, sepse Perëndia e kishte zhvendosur; sepse para se të merrej, ai pati dëshmimin se i kishte pëlqyer Perëndisë.
- 6 Edhe pa besim është e pamundur t'i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë.
- 7 Me anë të besimit Noeu, i lajmëruar hyjnisht për ato që ende nuk shiheshin, u frikësua dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së tij, me anë të së cilës e dënoi botën dhe u bë trashëgimtar i drejtësisë që është me anë të besimit.
- 8 Me anë të besimit Abrahami, kur u thirr, u bind të shkojë në atë vend që do të merrte për trashëgim; dhe u nis pa ditur se ku po shkonte.
- 9 Me anë të besimit Abrahami banoi në tokën e premtuar, si në një dhe të huaj, dhe ndenji në çadra bashkë me Isakun dhe Jakobin, bashkëtrashëgimtarë të të nëjtit premtim,
- 10 sepse priste qytetin që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia.
- 11 Me anë të besimit edhe vetë Sara, ndonëse e kishte kaluar moshën, mori fuqi të bëhet me barrë dhe të lindë, sepse e konsideroi besnik atë që i kishte bërë premtimin.
- 12 Prandaj edhe prej një të vetmi, edhe ky gati për të vdekur, lindën pasardhës të shumtë sa yjet e qiellit dhe si rëra që është në breg të detit dhe që nuk numërohet dot.
- 13 Të gjithë këta vdiqën në besim, pa marrë premtimet e bëra, por i panë ato për se largu dhe u bindën dhe i përshëndetën ato me gëzim duke rrëfyer se janë të huaj dhe shtegtarë mbi dhe.
- 14 Sepse ata që flasin të tilla, tregojnë se kërkojnë atdhe.
- 15 Dhe, po ta kishin pasur në mend atë nga e cila kishin dalë, do të kishin gjetur kohë të ktheheshin atje.
- 16 Por ata tani dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë qiellor; prandaj Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndi i tyre, sepse u bëri gati atyre një qytet.
- 17 Me anë të besimit Abrahami, pasi u vu në provë, ofroi Isakun dhe ai që kishte pritur premtimet ofroi birin e tij të vetëm,
- 18 ndonëse Perëndia i pati thënë: ''Te Isaku do të quhet pasardhja jote (që do të mbajë emrin tënd)'',
- 19 sepse Abrahami mendonte se Perëndia ishte i fuqishëm sa ta ringjallte edhe prej së vdekurish; prej të cilëve edhe e mori atë përsëri si një lloj figure.
- 20 Me anë të besimit Isaku bekoi Jakobin dhe Esaun, për gjërat që do të ndodhnin.
- 21 Me anë të besimit Jakobi, duke vdekur, bekoi secilin nga bijtë e Jozefit dhe adhuroi duke u mbështetur mbi majën e shkopit të tij.
- 22 Me anë të besimit Jozefi, duke vdekur, përmendi eksodin e bijve të Izraelit dhe dha porosi për eshtrat e tij.
- 23 Më anë të besimit Moisiu, si lindi, u fsheh nga prindërit e tij tre muaj, sepse ata panë se fëmija ishte i bukur dhe nuk u frikësuan nga urdhëri i mbretit.
- 24 Me anë të besimit Moisiu, si u bë i madh, nuk pranoi të thuhet i biri i së bijës së Faraonit,
- 25 duke parapëlqyer të keqtrajtohet bashkë me popullin e Perëndisë se sa të gëzonte për një farë kohe dëfrimet e mëkatit,
- 26 duke e çmuar dhunën e Krishtit si pasuri më të madhe nga thesaret e Egjiptit, sepse i drejtonte sytë nga shpërblimi.
- 27 Me anë të besimit e la Egjiptin pa pasur frikë mërinë e mbretit, sepse qëndroi i patundur sikur të shihte të padukshmin.
- 28 Me anë të besimit kremtoi Pashkën dhe bëri spërkatjen e gjakut, me qëllim që ai i cili i vriste të parëlindurit të mos ngiste ata të Izraelit.
- 29 Me anë të besimit kaluan nëpër Detin e Kuq si të ishte tokë e thatë, ndërsa kur Egjiptasit u përpoqën ta bëjnë, u mbytën.
- 30 Me anë të besimit ranë muret e Jerihos, pasi u suallën rreth tyre shtatë ditë.
- 31 Me anë të besimit Rahabi, një prostitutë, nuk humbi bashkë me ata që nuk besuan, sepse kishte pritur paqësisht zbuluesit.
- 32 Dhe ç'të them më? Sepse nuk do të më mjaftonte koha, po të doja të tregoja për Jedeonin, Barakun, Sansonin, Jeftin, Davidin, Samuelin dhe për profetët,
- 33 të cilët, me anë të fesë nënshtruan mbretërira, realizuan drejtësinë, arritën ato që u premtuan, ua zunë grykën luanëve,
- 34 fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fuqishëm, u bënë të fortë në betejë, thyen ushtritë e huaja.
- 35 Gratë morën të vdekurit e tyre me anë të ringjalljes; e të tjerët u torturuan, sepse nuk pranuan çlirimin, për të fituar një ringjallje më të mirë.
- 36 Dhe të tjerë hoqën përqeshje dhe goditje, madje edhe pranga dhe burgime.
- 37 U vranë me gurë, me sharrë, u prenë, u vranë nga shpata, u endën të mbuluar me lëkurë dhënsh e dhish, nevojtarë, të pikë-lluar, të keqtrajtuar
- 38 (bota nuk ishte e denjë për ta), u sollën nëpër shkretëtira e nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër guva të dheut.
- 39 E pra, të gjithë këta, ndonëse morën dëshmim të mirë me anë të besimit, nuk morën atë që u ishte premtuar,
- 40 sepse Perëndia kishte paraparë diçka më të mirë për ne, që ata të mos arrinin në përsosje pa ne.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗