로그인

호세아 8장 Albanian Bible

Albanian Bible · 알바니아어 · 호세아 (Hosea) · 14절

  1. 1 "Bjeri borisë! Armiku do të vërsulet mbi shtëpinë e Zotit si një shqiponjë, sepse kanë shkelur besëlidhjen time dhe kanë marrë nëpër këmbë ligjin tim.
  2. 2 Izraeli do të më bërtasë: "O Perëndia im, ne të njohim!".
  3. 3 Izraeli ka hedhur poshtë të mirën, armiku do ta ndjekë.
  4. 4 Kanë bërë mbretër disa, por jo sipas dëshirës sime; kanë caktuar krerë, por pa dijeninë time; me argjendin e tyre dhe me arin e tyre kanë bërë idhuj, me qëllim që të shkatërrohen.
  5. 5 Ai ka hedhur poshtë viçin tënd, o Samari. Zemërimi im u ndez kundër tyre. Deri kur do të jenë të paaftë për pastërti?
  6. 6 Edhe ky viç vjen nga Izraeli; e ka bërë një artizan dhe nuk është një perëndi; prandaj viçi i Samarisë do të bëhet copë-copë.
  7. 7 Meqenëse mbjellin erë, do të korrin furtunë. Kërcelli i grurit nuk do të bëjë kalli dhe nuk do të prodhojë grurë; edhe në se do të prodhojë, do ta hanë të huajt.
  8. 8 Izraelin po e gllabërojnë; ata janë bërë midis kombeve si një vazo e përçmuar.
  9. 9 Sepse janë ngjitur në Asiri, si një gomar i egër që jeton i vetmuar. Efraimi gjeti dashnorë me anë dhuratash.
  10. 10 Megjithëse ka gjetur dashnorë midis kombeve, tani unë do t'i mbledh dhe do të fillojnë të pakësohen nën barrën e mbretit të princave.
  11. 11 Sepse Efraimi ka shumuar altarët për të mëkatuar, ata janë bërë për të altare mëkati.
  12. 12 Kam shkruar për të gjërat e mëdha të ligjit tim, por ato u konsideruan si një gjë e çudishme.
  13. 13 Sa për flijimet që më ofrojnë, ata bëjnë fli mish dhe e hanë; por Zoti nuk i pëlqen. Tani ai do të kujtojë paudhësinë e tyre dhe do të ndëshkojë mëkatet e tyre: ata do të kthehen në Egjipt.
  14. 14 Izraeli ka harruar atë që e ka bërë dhe ka ndërtuar pallate; Juda ka shumuar qytetet e fortifikuara; por unë do të dërgoj zjarrin mbi qytetet e tij, i cili do t'i gllabërojë kështjellat e tij".

Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗