로그인

잠언 5장 Albanian Bible

Albanian Bible · 알바니아어 · 잠언 (Proverbs) · 23절

  1. 1 Biri im, ki kujdes për diturinë time, vëri veshin arsyetimit tim,
  2. 2 me qëllim që ti të ruash gjykimin dhe buzët e tua të fiksojnë diturinë.
  3. 3 Sepse buzët e gruas që shkel kurorën nxjerrin mjaltë dhe goja e saj është më e butë se vaji;
  4. 4 por në fund ajo është e hidhur si pelini, e mprehtë si një shpatë me dy presa.
  5. 5 Këmbët e saj zbresin drejt vdekjes, hapat e saj çojnë drejtpërdrejt në Sheol.
  6. 6 Ajo nuk ecën në shtegun e jetës, por ti nuk i jep rëndësi kësaj gjëje; rrugët e saj janë të gabuara, por ti nuk e kupton.
  7. 7 Prandaj tani, bij të mi, më dëgjoni dhe mos u largoni nga fjalët e gojës sime.
  8. 8 Mbaje larg prej saj rrugën tënde dhe mos iu afro portës së shtëpisë së saj,
  9. 9 për të mos ua dhënë të tjerëve fuqinë tënde dhe vitet e tua dikujt që nuk ka mëshirë.
  10. 10 Me qëllim që të huajt të mos ngopen me pasurinë tënde, dhe mundi yt të mos shkojë në shtëpinë e një të huaji,
  11. 11 dhe të mos rënkosh kur do të të vijë fundi, kur mishi dhe trupi yt do të jenë të konsumuar,
  12. 12 dhe të thuash: "Vallë si urreva mësimin, dhe si e ka përçmuar qortimin zemra ime?
  13. 13 Nuk dëgjova zërin e atyre që më mësonin dhe nuk ua vura veshin atyre që më udhëzonin.
  14. 14 U ndodha pothuajse në një të keqe të plotë në mes të turmës dhe të kuvendit".
  15. 15 Pi ujin e sternës sate dhe ujin e rrjedhshëm të pusit tënd.
  16. 16 A duhet burimet e tua të derdhen jashtë, si rrëke uji nëpër rrugë?
  17. 17 Qofshin vetëm për ty dhe jo për të huajtë bashkë me ty.
  18. 18 Qoftë i bekuar burimi yt dhe gëzohu me nusen e rinisë sate.
  19. 19 Drenushë e dashur dhe gazelë hirplotë, sisët e saj le të të kënaqin kurdoherë, dhe qofsh vazhdimisht i dhënë pas dashurisë që ke për të.
  20. 20 Pse vallë, biri im, të biesh në dashuri me një grua që ka shkelur kurorën dhe të rrokësh gjirin e një të huaje?
  21. 21 Sepse rrugët e njeriut janë gjithnjë përpara syve të Zotit, dhe ai vëzhgon të gjitha shtigjet e tij.
  22. 22 I pabesi zihet nga vetë paudhësitë e tij dhe mbahet nga litarët e mëkatit të tij.
  23. 23 Ai ka për të vdekur sepse nuk korrigjohet dhe do të zhduket për shkak të marrëzisë së tij.

Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗