잠언 2장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 잠언 (Proverbs) · 22절
- 1 Biri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia,
- 2 duke i vënë veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes;
- 3 po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim,
- 4 në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur,
- 5 atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë.
- 6 Sepse Zoti jep diturinë; nga goja e tij rrjedhin njohuria dhe arsyeja.
- 7 Ai mban rezervë për njerëzit e drejtë një ndihmë të fuqishme, një mburojë për ata që ecin me ndershmëri
- 8 për të mbrojtur shtigjet e drejtësisë dhe për të ruajtur rrugën e shenjtorëve të tij.
- 9 Atëherë do të kuptosh drejtësinë, barazinë, ndershmërinë dhe tërë rrugët e së mirës.
- 10 Kur dituria të të hyjë në zemër, edhe njohja do të jetë e këndshme për shpirtin tënd,
- 11 të menduarit do të kujdeset për ty dhe gjykimi do të të mbrojë,
- 12 për të të çliruar nga rruga e keqe, nga njerëzit që flasin për gjëra të këqija,
- 13 nga ata që braktisin shtigjet e ndershmërisë për të ecur në rrugët e territ,
- 14 që gëzohen kur bëjnë të keqen dhe ndjejnë kënaqësi në çoroditjet e njeriut të keq,
- 15 shtigjet e të cilit janë të shtrembëra dhe rrugët dredha-dredha,
- 16 për të të shpëtuar nga gruaja që ka shkelur kurorën, nga gruaja e huaj që përdor fjalë mikluese,
- 17 që ka braktisur shokun e rinisë së saj dhe ka harruar marrëveshjen e lidhur me Perëndinë.
- 18 Sepse shtëpia e saj zbret drejt vdekjes dhe shtigjet e saj drejt të vdekurve.
- 19 Asnjë prej atyre që shkojnë tek ajo nuk kthehet, asnjë nuk i arrin shtigjet e jetës.
- 20 Kështu do të mund të ecësh në rrugën e të mirëve dhe do të mbetesh në shtigjet e të drejtëve.
- 21 Sepse njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty;
- 22 por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗