이사야 19장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 이사야 (Isaiah) · 25절
- 1 Profecia mbi Egjiptin. Ja Zoti që kalëron mbi një re të lehtë dhe hyn në Egjipt. Idhujt e Egjiptit lëkunden para tij, dhe zemra e Egjiptasve po mpaket brenda tyre.
- 2 "Do t'i nxis Egjiptasit njëri kundër tjetrit, secili do të luftojë kundër vëllait të vet, dhe secili kundër të afërmit të tij, qyteti kundër qytetit, mbretëria kundër mbretërisë.
- 3 Fryma e Egjiptit do të ligështohet në mes të tij dhe unë do të shkatërroj planet e tij; kështu ata do të konsultojnë idhujt dhe yshtësit, mediumet dhe magjistarët.
- 4 Do ta dorëzoj Egjiptin në duart e një padroni të ashpër dhe një mbret mizor do të sundojë mbi të, thotë Zoti, Zoti i ushtrive.
- 5 Ujërat e detit do të thahen, lumi do të shterojë dhe do të thahet.
- 6 Lumenjtë do të bëhen të neveritshëm, kanalet e Egjiptit do të zbrazen dhe do të thahen, po kështu do të thahen edhe kallamishtet e xunkthat.
- 7 Luadhët pranë Nilit, në grykëderdhjen e tij dhe të gjitha arat e mbjella gjatë lumit do të thahen, do të fshihen dhe do të zhduken.
- 8 Peshkatarët do të rënkojnë, tërë ata që hedhin grepin në Nil do të ankohen dhe ata që hedhin rrjetat e tyre në ujë do të ligështohen.
- 9 Ata që punojnë lirin e krehur dhe endësit e pambukut do të çoroditen.
- 10 Themelet e tyre do të prishen dhe gjithë punëtorët me mëditje do të trishtohen.
- 11 Me siguri princat e Tsoanit janë budallenj; këshilltarët më të urtë të Faraonit japin këshilla të paarsyeshme. Si mund t'i thoni Faraonit: "Unë jam bir i njerëzve të urtë, bir i mbretërve të lashtë"?
- 12 Ku janë tani njerëzit e tu të urtë? Le të ta deklarojnë tani dhe të pranojnë atë që Zoti i ushtrive ka vendosur kundër Egjiptit.
- 13 Princat e Tsoanit janë bërë budallenj, princat e Nofit gabohen; ata që janë guri i qoshes në fiset e tij që e kanë bërë Egjiptin të marrë rrugë të gabuar.
- 14 Zoti ka përzier në mes të tij një frymë degjenerimi, dhe ata e kanë futur Egjiptin në rrugë të gabuar për çdo gjë, ashtu si dridhet i dehuri kur vjell.
- 15 Dhe asgjë nuk do të mund të bëjë Egjiptin: koka ose bishti, palma ose xunkthi.
- 16 Atë ditë Egjipti do të jetë si gratë, dhe do të dridhet dhe do të trembet përballë dorës që Zoti i ushtrive do të lëvizë kundër tij.
- 17 Vendi i Judës do të jetë tmerri i Egjiptit; sa herë që do të përmendet, ka për të qenë një tmerr i vërtetë për shkak të vendimit të marrë nga Zoti i ushtrive kundër tij.
- 18 Atë ditë do të ketë në vendin e Egjiptit pesë qytete që do të flasin gjuhën e Kanaanit dhe do të betohen për Zotin e ushtrive; njeri nga këto do të quhet "qyteti i shkatërrimit".
- 19 Atë ditë do të ketë në mes të vendit të Egjiptit një altar kushtuar Zotit, dhe një shtyllë të ngritur për Zotin pranë kufirit të tij.
- 20 Do të jetë një shenjë dhe një dëshmi për Zotin e ushtrive në vendin e Egjiptit; kur ata do t'i këlthasin Zotit për shkak të shtypësve të tyre, ai do t'u dërgojë atyre një shpëtimtar dhe një të fuqishëm që do t'i çlirojë.
- 21 Zoti do t'i shfaqet Egjiptit dhe Egjiptasit do ta njohin Zotin atë ditë; do t'i ofrojnë flijime dhe blatime ushqimore, do të bëjnë premtime solemne para Zotit dhe do t'i mbajnë ato.
- 22 Zoti do t'i godasë Egjiptasit, do t'i godasë dhe do t'i shërojë; ata do t'i kthehen Zotit që do t'i dëgjojë lutjet e tyre dhe do t'i shërojë.
- 23 Atë ditë do të ketë një rrugë nga Egjipti në Asiri; Asirët do të shkojnë në Egjipt, dhe Egjiptasit në Asiri, dhe Egjiptasit do të shërbejnë bashkë me Asirët.
- 24 Atë ditë Izraeli, i treti me Egjiptin dhe me Asirinë, do të jetë një bekim në mes të rruzullit.
- 25 Zoti i ushtrive do t'i bekojë, duke thënë: "I bekuar qoftë Egjipti populli im, Asiria vepër e duarve të mia dhe Izraeli trashëgimia ime!".
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗