로그인

욥기 41장 Albanian Bible

Albanian Bible · 알바니아어 · 욥기 (Job) · 34절

  1. 1 A mund ta nxjerrësh Leviathanin me grep ose të mbash të palëvizur gjuhën e tij me një litar?
  2. 2 A mund t'i vësh një xunkth në flegrat e hundës ose t'i shposh nofullën me një çengel?
  3. 3 A do të të lutet ai së tepërmi apo do të të drejtojë fjalë të ëmbla?
  4. 4 A do të lidhë një besëlidhje me ty, që ti ta marrësh si shërbëtor për gjithnjë?
  5. 5 A do të lozësh me të si me një zog apo do ta mbash lidhur për vajzat e tua?
  6. 6 Miqtë e tu do të bëjnë me të takime të mrekullueshme apo do ta ndajnë vallë midis tregtarëve?
  7. 7 A mund të mbulosh lëkurën e tij me shigjeta dhe kokën e tij me fuzhnja?
  8. 8 Vëri duart mbi trupin e tij; do të të kujtohet luftimi dhe nuk ke për ta rifilluar.
  9. 9 Ja, shpresa e atij që e sulmon është e rreme; mjafton ta shikosh dhe të zë tmerri.
  10. 10 Askush nuk ka aq guxim sa ta provokojë. Kush, pra, është në gjendje të qëndrojë i fortë para meje?
  11. 11 Kush më ka bërë një shërbim i pari që unë duhet ta shpërblej? Çdo gjë nën qiejt është imja.
  12. 12 Nuk do t'i kaloj në heshtje gjymtyrët e tij, forcën e tij të madhe dhe bukurinë e armaturës së tij.
  13. 13 Kush mund ta zhveshë nga parzmorja e tij dhe kush mund t'i afrohet me një fre të dyfishtë?
  14. 14 Kush mund të hapë portat e gojës së tij, e rrethuar siç është nga tmerri i dhëmbëve të tij?
  15. 15 Shumë të bukura janë rreshtat e mburojave të tij, të salduara fort si prej një vule.
  16. 16 Ato janë aq afër njëra-tjetrës sa nuk kalon as ajri midis tyre.
  17. 17 Janë të ngjitura njëra me tjetrën, të bashkuara fort midis tyre, dhe nuk mund të ndahen.
  18. 18 Teshtimat e tij japin shkreptima drite dhe sytë e tij janë si qepallat e agimit.
  19. 19 Nga goja e tij dalin flakë, dalin shkëndija zjarri.
  20. 20 Nga flegrat e hundës së tij del tym, si nga një enë që vlon ose nga një kazan.
  21. 21 Fryma e tij i vë zjarrin qymyrit dhe nga goja e tij del flakë.
  22. 22 Forca qëndron te qafa e tij dhe para tij hedh valle tmerri.
  23. 23 Pjesët e flashkëta të mishit të tij janë fort kompakte, janë mjaft të ngjeshura mbi të dhe nuk lëvizin.
  24. 24 Zemra e tij është e fortë si një gur, e fortë si pjesa e poshtme e mokrës.
  25. 25 Kur ngrihet, të fuqishmit kanë frikë, dhe nga tmerri mbeten të hutuar.
  26. 26 Shpata që arrin nuk i bën asgjë, e njëjta gjë ndodh me ushtën, shigjetën dhe shtizën.
  27. 27 E quan hekurin si kashtë dhe bronzin si dru të brejtur nga krimbi.
  28. 28 Shigjeta nuk e bën të ikë; gurët e hobesë për të janë si kallamishte.
  29. 29 Topuzi i duket sikur është kashtë, ai tallet me vringëllimën e ushtës.
  30. 30 Poshtë ka maja të mprehta dhe lë gjurmë si të lesës mbi baltë.
  31. 31 E bën të ziejë humnerën si ndonjë kazan dhe e bën detin si të ishte një enë me melhem.
  32. 32 Lë pas vetes një vazhdë drite dhe humnera duket si e mbuluar nga thinjat.
  33. 33 Mbi tokë nuk ka asgjë që t'i ngjajë, që të jetë bërë pa pasur fare frikë.
  34. 34 Shiko në fytyrë tërë njerëzit mendjemëdhenj; ai është mbret mbi të gjitha bishat më madhështore".

Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗