로그인

야고보서 2장 Albanian Bible

Albanian Bible · 알바니아어 · 야고보서 (James) · 26절

  1. 1 Vëllezër të mi, mos i lidhni preferencat personale me besimin e Zotit tonë Jezu Krisht, Zoti i lavdisë.
  2. 2 Sepse në qoftë se në asamblenë tuaj hyn një njeri me një unazë prej ari, me rroba të shkëlqyera, dhe hyn edhe një i varfër me një rrobë të fëlliqur,
  3. 3 dhe ju i drejtoni sytë nga ai që vesh rroben e shkëlqyer dhe i thoni: ''Ti ulu këtu, në vendin e mirë'', dhe të varfërit i thoni: ''Ti rri atje, në këmbë'', ose: ''Ulu këtu, afër stolit të këmbëve të mia'',
  4. 4 a nuk bëtë ju një dallim në mes tuaj, duke u bërë kështu gjykatës me mendime të këqija?
  5. 5 Dëgjoni, vëllezër të mi shumë të dashur, a nuk i zgjodhi Perëndia të varfërit e botës, që të jenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan?
  6. 6 Po ju i shnderuat të varfërit! A nuk janë vallë të pasurit ata që ju shtypin, dhe nuk janë këta ata që ju heqin nëpër gjykata?
  7. 7 A nuk janë ata që blasfemojnë emrin e lavdishëm që u thirr mbi ju?
  8. 8 Në qoftë se ju më të vërtetë e përmbushni ligjin mbretëror sipas Shkrimit: ''Duaje të afërmin tënd si vetveten'', bëni mirë;
  9. 9 por në qoftë se bëni preferenca personale, ju kryeni mëkat dhe dënoheni nga ligji si shkelës.
  10. 10 Sepse kushdo që e zbaton gjithë ligjin, por e shkel në një pikë, është fajtor në të gjitha pikat.
  11. 11 Sepse ai që ka thënë: ''Mos shkel kurorën'', ka thënë gjithashtu: ''Mos vraj''. Prandaj nëse ti nuk shkel kurorën, por vret, ti je shkelës i ligjit.
  12. 12 Prandaj të flisni e të veproni sikurse të duhej të gjykoheshit nga ligji i lirisë,
  13. 13 sepse gjyqi do të jetë pa mëshirë për atë që nuk ka treguar mëshirë; dhe mëshira triumfon mbi gjykimin.
  14. 14 Ç'dobi ka, vëllezër të mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi?
  15. 15 Dhe në qoftë se një vëlla ose një motër janë të zhveshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm,
  16. 16 dhe dikush nga ju u thothë atyre: ''Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni'', dhe nuk u jepni atyre gjërat për të cilat kanë nevojë për trupin, ç'dobi ka?
  17. 17 Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s'ka vepra, është i vdekur në vetvete.
  18. 18 Po dikush do të thotë: ''Ti ke besimin, dhe unë kam veprat''; më trego besimin tënd pa veprat e tua dhe unë do të të tregoj besimin tim me veprat e mia.
  19. 19 Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen.
  20. 20 Po, a dëshiron të kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i vdekur?
  21. 21 Abrahami, ati ynë, a nuk u shfajësua me anë të veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar?
  22. 22 Ti e sheh se besimi vepronte bashkë me veprat e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos.
  23. 23 Kështu u përmbush Shkrimi, që thotë: ''Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi''; dhe u quajt miku i Perëndisë.
  24. 24 Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi.
  25. 25 Gjithashtu a nuk u shfajësua edhe Rahabi, lavirja, nga veprat, kur i priti të dërguarit dhe i përcolli nga një udhë tjetër?
  26. 26 Sepse, sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur.

Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗