시편 104편 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 시편 (Psalms) · 35절
- 1 Beko, o shpirti im, Zotin! O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi.
- 2 Ai të mbështjell me dritë si të ishte një mantel dhe i shtrin qiejtë si një çadër;
- 3 ai ndërton mbi ujërat dhomat e tij të larta, i bën retë si qerren e tij dhe ecën mbi krahët erës.
- 4 I bën erërat lajmëtarë të tij dhe flakët e zjarrit shërbëtorë të tij.
- 5 Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë.
- 6 Ti e kishe mbuluar me humnerë si me një rrobe; ujërat ishin ndalur mbi malet.
- 7 Në qortimin tënd ato ikën, në zërin e gjëmimit tënd u larguan me nxitim.
- 8 Dolën malet dhe luginat u ulën në vendin që ti kishe caktuar për to.
- 9 Ti u vure ujërave një kufi që nuk duhet ta kapërxenin; ato nuk do të kthehen më të mbulojnë tokën.
- 10 Ai bën që të dalin burime në luginat; ato rrjedhin midis maleve,
- 11 dhe u japin për të pirë tërë kafshëve të fushës; gomarët e egër shuajnë etjen e tyre.
- 12 Pranë tyre banojnë shpendët e qiellit; midis gjelbërimeve lartojnë këngën e tyre.
- 13 Nga dhomat e sipërme të tij ai u jep ujë maleve; toka ngopet me frytin e veprave të tua.
- 14 Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij,
- 15 dhe verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që bën të shkëlqejë fytyra tij dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut.
- 16 Kështu ngopen drurët e Zotit dhe kedrat e Libanit që ai ka mbjellë;
- 17 aty bëjnë folenë e tyre zogjtë, ndërsa lejleku bën nëpër selvitë banesën e tij.
- 18 Malet e larta janë për dhitë e egra, shkëmbinjtë janë streha e lepujve.
- 19 Ai ka bërë hënën për stinët, dielli e di orën e perëndimit të tij.
- 20 Ti dërgon terrin dhe bëhet natë; gjatë asaj shkojnë rreth e qark gjithë kafshët e pyllit.
- 21 Luanët e vegjël vrumbullojnë duke kërkuar gjahun dhe i kërkojnë Perëndisë ushqimin e tyre.
- 22 Por, kur lind dielli, ata tërhiqen dhe rrinë në strofkat e tyre.
- 23 Atëherë njeriu del për të punuar dhe punon deri në mbrëmje.
- 24 Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.
- 25 Ja deti, i madh dhe i gjerë, ku gëlojnë krijesa të panumërta;
- 26 e përshkojnë anijet dhe Leviathani, që ti ke formuar për t'u tallur në të.
- 27 Të gjithë presin që ti t'u japësh ushqimin në kohën e duhur.
- 28 Ti ua jep atyre dhe ata e mbledhin; ti hap dorën dhe ngopen me të mira.
- 29 Ti fsheh fytyrën tënde dhe ata e humbasin fare; ti heq frymën, dhe ata vdesin duke u kthyer përsëri në pluhurin e tyre.
- 30 Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut.
- 31 Lavdia e Zotit të rrojë përjetë; le të gëzohet Zoti me veprat e tij;
- 32 ai shikon tokën dhe kjo dridhet; ai prek malet dhe ato nxjerrin tym.
- 33 Unë do t'i këndoj Zotit deri sa të kem jetë; do t'i këndoj lavde Perëndisë tim deri sa të jem.
- 34 Le të jetë mendimi im i pëlqyer prej tij; unë do të ngazëllohem tek Zoti.
- 35 Le të zhduken mëkatarët nga toka dhe të pabesët mos qofshin më. Shpirti im, bekoje Zotin! Aleluja.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗