사도행전 20장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 사도행전 (Acts) · 38절
- 1 Si pushoi trazira, Pali i thirri dishepujt pranë vetes, i përqafoi dhe u nis për të vajtur në Maqedoni.
- 2 Dhe si i përshkoi ato krahina dhe u dha shumë këshilla, shkoi në Greqi.
- 3 Dhe mbasi kaloi atje tre muaj, duke qenë se Judenjtë kishin kurdisur një komplot kundër tij kur përgatitej të lundronte për në Siri, vendosi të kthehet nga ana e Maqedonisë.
- 4 Dhe deri në Azi e përcollën Sopatri nga Berea, Aristarku dhe Sekundi nga Thesaloniki, Gai nga Derba dhe Timoteu, dhe Tikiku e Trofimi nga Azia.
- 5 Këta ishin nisur para nesh dhe na prisnin në Troas.
- 6 Kurse ne u nisëm nga Filipi, pas ditëve të të Ndormëve, dhe për pesë ditë i arritëm në Troas, ku qëndruam shtatë ditë.
- 7 Ditën e parë të javës, kur ishin mbledhur dishepujt për të thyer bukën, Pali, i cili duhet të nisej të nesërmen, bisedonte me ta dhe e zgjati fjalën deri në mesnatë.
- 8 Dhe në sallën ku ishim mbledhur kishte shumë llamba.
- 9 Një djalosh me emër Eutik, që ishte ulur në parvazin e dritares, e zuri një gjumë i rëndë; dhe, ndërsa Pali e çoi fjalën gjatë, e zuri gjumi, ra nga kati i tretë poshtë dhe e ngritën të vdekur.
- 10 Por Pali, si zbriti, ra mbi të, e përqafoi dhe tha: ''Mos u shqetësoni, se shpirti i tij është në të''.
- 11 Atëherë u ngjit përsëri lart, e theu bukën dhe hëngri; dhe, pasi foli gjatë deri në të gdhirë, u nis.
- 12 Ndërkaq e prunë djalin të gjallë, dhe u ngushëlluan jo pak.
- 13 Kurse ne, që kishim hipur tashmë në anije, lundruam për në Asos, ku kishim ndër mend të merrnim Palin, sepse kështu kishte caktuar, mbasi donte vetë të shkonte më këmbë.
- 14 Kur na arriti në Asos, e morëm dhe arritëm në Mitilinë.
- 15 Lundruam prej andej dhe të nesërmen arritëm përballë Hiosit; një ditë më pas arritëm në Samo dhe, pas një ndalese në Trogjili, arritëm të nesërmen në Milet.
- 16 Sepse Pali kishte vendosur të lundronte pa u ndalur në Efes, që të mos humbiste kohë në Azi; sepse nxitonte që të ndodhej, po të ishte e mundur, në Jeruzalem ditën e Rrëshajëve.
- 17 Nga Mileti dërgoi në Efes për të thirrur pleqtë e kishës.
- 18 Kur ata erdhën tek ai, ai u tha atyre: ''Ju e dini dita e parë që hyra në Azi si kam jetuar midis jush për të gjithë këtë kohë,
- 19 duke i shërbyer Zotit me gjithë përulësi e me shumë lot e me prova që m'u bënë nga tinëzitë e Judenjve;
- 20 dhe si unë nuk fsheha asnjë nga ato gjëra që ishin të dobishme për ju, por jua shpalla juve dhe jua mësova botërisht dhe nëpër shtëpi,
- 21 duke u deklaruar solemnisht Judenjve dhe Grekëve mbi pendimin te Perëndi dhe për besimin në Zotin tonë Jezu Krisht.
- 22 Dhe ja, tani, i shtyrë nga Fryma, po shkoj në Jeruzalem pa ditur se ç'do të më ndodhë atje,
- 23 përveçse Fryma e Shenjtë dëshmon për mua në çdo qytet, duke thënë se më presin pranga dhe mundime.
- 24 Por unë nuk dua t'ia di fare për jetën time që nuk e çmoj aq, sa ta kryej me gëzim vrapimin tim dhe shërbesën që mora nga Zoti Jezus, të dëshmoj plotësisht ungjillin e hirit të Perëndisë.
- 25 Dhe ja, tani e di se të gjithë ju, në mes të të cilëve kam vajtur dhe ardhur duke predikuar mbretërinë e Perëndisë, nuk do të shihni më fytyrën time.
- 26 Prandaj sot po ju deklaroj se unë jam i pastër nga gjaku i të gjithëve;
- 27 sepse nuk u tërhoqa prapa për të mos ju treguar gjithë këshillën e Perëndisë.
- 28 Tregoni kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në mes të së cilës Fryma e Shenjtë ju ka vënë ju kujdestarë që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij.
- 29 Në fakt unë e di se, pas largimit tim, do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën,
- 30 edhe vetë midis jush do të dalin njerëz që do të flasin gjëra të çoroditura që të tërheqin pas vetes dishepujt.
- 31 Prandaj rrini zgjuar, dhe mbani mend se për tre vjet me radhë, ditë e natë, nuk pushova kurrë të paralajmëroj secilin me lot.
- 32 Dhe tani, o vëllezër, unë po ju lë te Perëndia dhe te fjala e hirit të tij, që është në gjendje t'ju ndërtojë dhe t'ju japë trashëgimin në mes të të gjithë të shenjtëruarve.
- 33 Unë nuk kam dashur as argjend, as ar, as rrobat e ndonjërit.
- 34 Dhe ju vetë e dini se këto duar kanë punuar për nevojat e mia dhe për ata që ishin bashkë me mua.
- 35 Dhe në çdo gjë ju kam treguar se, duke u munduar në këtë mënyrë, duhet të ndihmohen të lëngatët dhe të kujtohen fjalët e Zotit Jezus, i cili tha: "Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!"''.
- 36 Dhe, si kishte thënë këto gjëra, u ul mbi gjunjë dhe u lut me ata të gjithë.
- 37 Atëherë të gjithë qanë me të madhe, e rroknin në qafë Palin dhe e puthnin,
- 38 të hidhëruar sidomos për fjalën që kishte thënë, se nuk do ta shihnin më fytyrën e tij. Pastaj e përcollën në anije.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗