민수기 9장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 민수기 (Numbers) · 23절
- 1 Zoti i foli akoma Moisiut, në shkretëtirën e Sinait, muajin e parë të vitit të dytë që kur kishin dalë nga vendi i Egjiptit, duke i thënë:
- 2 "Bijtë e Izraelit do ta festojnë Pashkën në kohën e caktuar.
- 3 Do ta kremtoni në kohën e caktuar, ditën e katërmbëdhjetë të këtij muaji, në të ngrysur; do ta kremtoni simbas të gjitha statuteve dhe dekreteve të saj".
- 4 Kështu Moisiu u foli bijve të Izraelit me qëllim që të kremtonin Pashkën
- 5 ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë në të ngrysur, në shkretëtirën e Sinait; bijtë e Izraelit vepruan simbas urdhrave të dhëna Moisiut nga Zoti.
- 6 Por kishte disa njerëz që ishin të papastër sepse kishin prekur trupin e vdekur të një personi dhe nuk mund ta kremtonin Pashkën atë ditë. Por këta njerëz u paraqitën po atë ditë përpara Moisiut dhe Aaronit,
- 7 dhe i thanë Moisiut: "Ne jemi të papastër sepse kemi prekur trupin e vdekur të një personi; pse vallë na pengohet të paraqesim ofertën e Zotit në kohën e duhur, në mes të bijve të Izraelit?".
- 8 Moisiu iu përgjegj atyre: "Prisni që të dëgjoj çfarë do të urdhërojë Zoti lidhur me ju".
- 9 Dhe Zoti i foli Moisiut, duke thënë:
- 10 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Në rast se dikush nga ju ose nga trashëgimtarët tuaj është i papastër për shkak të një trupi të vdekur, apo gjendet larg në udhëtim, do ta kremtojë njëlloj Pashkën për nder Zotit.
- 11 Do ta kremtojnë ditën e katërmbëdhjetë të muajit të dytë në të ngrysur; do të hanë bukë të ndorme dhe barishte të hidhura;
- 12 nuk do të lënë asnjë tepricë deri në mëngjes dhe nuk do të thyejnë asnjë kockë. Do ta kremtojnë simbas të gjitha statuteve të Pashkës.
- 13 Por ai që është i pastër dhe nuk është në udhëtim, në rast se nuk e kremton Pashkën, do të shfaroset në mes të popullit të tij, sepse nuk i paraqiti ofertën në kohën e duhur Zotit; ky njeri do të mbajë dënimin e mëkatit të tij.
- 14 Në rast se një i huaj që banon në mes jush kremton Pashkën e Zotit, ai duhet ta bëjë mbas statuteve dhe dekreteve të Pashkës. Ju do të keni një statut të vetëm për të huajin dhe për atë që ka lindur në vend".
- 15 Por ditën në të cilën tabernakulli u ngrit, reja mbuloi tabernakullin, perden e dëshmisë; dhe që nga mbrëmja deri në mëngjes reja mbi tabernakullin kishte marrë një pamje zjarri.
- 16 Kështu ndodhte gjithnjë: reja e mbulonte tabernakullin gjatë ditës dhe natën kishte pamjen e një zjarri.
- 17 Sa herë që reja ngrihej mbi çadrën, bijtë e Izraelit niseshin për rrugë pas kësaj; dhe aty ku ndalej reja, aty bijtë e Izraelit vendosnin kampin e tyre.
- 18 Me urdhër të Zotit bijtë e Izraelit nisnin ecjen e tyre dhe me urdhër të tij fushonin; rrinin në kampin e tyre aq kohë sa qëndronte reja mbi tabernakull.
- 19 Kur reja qëndronte për shumë ditë mbi tabernakullin, bijtë e Izraelit respektonin urdhrin e Zotit dhe nuk lëviznin.
- 20 Por në rast se reja ndalej vetëm pak ditë mbi tabernakullin, me urdhër të Zotit ata qëndronin në kampin e tyre dhe me urdhër të Zotit niseshin për rrugë.
- 21 Në rast se reja ndalej vetëm nga mbrëmja deri në mëngjes, kur ajo ngrihej në mëngjes, ata niseshin për rrugë; si ditën ashtu dhe natën, kur reja ngrihej, ata viheshin në lëvizje.
- 22 Në qoftë se reja qëndronte e palëvizshme mbi tabernakullin dy ditë, një muaj apo një vit, bijtë e Izraelit qëndronin në kampin e tyre dhe nuk lëviznin; por kur ajo ngrihej, ata nisnin udhëtimin.
- 23 Me urdhër të Zotit fushonin dhe me urdhër të tij viheshin në lëvizje; respektonin urdhrin e Zotit, simbas asaj që ai kishte urdhëruar me anë të Moisiut.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗