민수기 10장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 민수기 (Numbers) · 36절
- 1 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë
- 2 "Bëj dy bori prej argjendi; do t'i bësh me argjend të rrahur; do t'i përdorësh për të thirrur asamblenë dhe për të lëvizur fushimet.
- 3 Nën tingullin e të dyjave gjithë asambleja do të mblidhet pranë teje, në hyrje të çadrës së mbledhjes.
- 4 Nën tingullin e njerës bori, prijësit, krerët e divizioneve të Izraelit do të mblidhen pranë teje.
- 5 Kur do t'i bini alarmit për herë të parë, ata që janë në lindje do të vihen në lëvizje.
- 6 Kur do t'i bini alarmit për herë të dytë, ata që janë në jug do të vihen në lëvizje; duhet t'i bini alarmit që të vihen në lëvizje.
- 7 Kur duhet të mblidhet asambleja do t'i bini borisë, pa i rënë alarmit.
- 8 Do t'u bien borive bijtë e Aaronit, priftërinjtë; ky do të jetë një statut i përjetshëm për ju dhe për trashëgimtarët tuaj.
- 9 Kur në vendin tuaj do të shkoni në luftë kundër armikut që ju shtyp, do t'i bini alarmit me boritë; kështu do të kujtoheni përpara Zotit Perëndisë tuaj, dhe do të çliroheni nga armiqtë tuaj.
- 10 Po kështu në ditët tuaja të gëzimit, në festat tuaja të caktuara dhe në fillim të muajve tuaj të parë, do t'u bini borive me rastin e olokausteve dhe të flijimeve tuaja të falënderimit; dhe kështu ato do të bëjnë që të kujtoheni përpara Perëndisë tuaj. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".
- 11 Por ndodhi që në vitin e dytë, në muajin e dytë, ditën e njëzetë të muajit, reja u ngrit mbi tabernakullin e dëshmisë.
- 12 Dhe bijtë e Izraelit u nisën për rrugë, duke lënë shkretëtirën e Sinait; pastaj reja u ndal në shkretëtirën e Paranit.
- 13 Kështu u nisën për rrugë herën e parë simbas urdhrit që Zoti kishte dhënë me anë të Moisiut.
- 14 I pari lëvizi flamuri i kampit të bijve të Judës, i ndarë simbas formacioneve të tij. Divizionin e Judës e komandonte Nahshoni, bir i Aminadabit.
- 15 Nethaneeli, bir i Tsuarit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Isakarit,
- 16 ndërsa Eliabi, bir i Helonit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Zabulonit.
- 17 Pastaj u çmontua tabernakulli dhe bijtë e Merarit dhe të Gershonit u nisën për rrugë, duke transportuar tabernakullin.
- 18 Pastaj u vu në lëvizje flamuri i kampit të Rubenit, i ndarë simbas formacioneve të tij. Divizionin e Rubenit e komandonte Elitsuri, bir i Shedeurit.
- 19 Shelumieli, bir i Tsurishadait, komandonte divizionin e fisit të bijve të Simeonit,
- 20 ndërsa Eliasafi, bir i Deuelit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Gadit.
- 21 Pastaj u vunë në lëvizje Kehathitët, duke transportuar sendet e shenjta; ata do ta ngrinin tabernakullin para ardhjes së tyre.
- 22 Pas kësaj u nis flamuri i kampit të bijve të Efraimit, i ndarë simbas formacioneve të tij. Divizionin e Efraimit e komandonte Elishama, bir i Amihudit.
- 23 Gamalieli, bir i Pedahtsurit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Manasit,
- 24 ndërsa Abidani, bir i Gideonit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Beniaminit.
- 25 Pastaj filloi të lëvizë flamuri i kampit të bijve të Danit, i ndarë simbas formacioneve të tij, që përbënte praparojën e të gjitha kampeve. Divizioni i Danit komandohej nga Ahiezieri, bir i Amishadait.
- 26 Pagieli, bir i Okranit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Asherit,
- 27 ndërsa Ahira, bir i Enanit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Neftalit.
- 28 Kjo ishte radha e marshimit të bijve të Izraelit, simbas divizioneve të tyre. Kështu u vunë në lëvizje.
- 29 Por Moisiu i tha Hobabit, birit të Reuelit, Madianitit, vjehrri i Moisiut: "Ne po vihemi në marshim drejt vendit për të cilin Zoti ka thënë "Unë do t'jua jap". Eja me ne dhe do të të bëjmë të mira,
- 30 Hobabi iu përgjegj: "Unë nuk do të vij, por do të kthehem në vendin tim te të afërmit e mi".
- 31 Atëherë Moisiu i tha: "Mos na lërë, sepse ti e di ku duhet të fushojmë në shkretëtirë dhe ti do të jesh si sytë për ne.
- 32 Në qoftë se vjen me ne, çdo të mirë që do të na bëjë Zoti, ne do të ta bëjmë ty".
- 33 Kështu u nisën nga mali i Zotit dhe ecën tri ditë; dhe arka e besëlidhjes së Zotit shkoi para tyre gjatë një udhëtimi prej tri ditësh, për të gjetur një vend ku ata të pushonin.
- 34 Dhe reja e Zotit qëndronte mbi ta gjatë ditës, kur niseshin nga kampi.
- 35 Kur nisej arka, Moisiu thoshte; "Çohu, o Zot, me qëllim që të shkatërrohen armiqtë e tu dhe të ikin me vrap para teje ata që të urrejnë!".
- 36 Dhe kur ndalej, thoshte: "Kthehu, o Zot, pranë morisë së madhe të njerëzve të Izraelit!".
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗