마태복음 4장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 마태복음 (Matthew) · 25절
- 1 Atëherë Fryma e çoi Jezusin në shkretëtirë, që djalli ta tundonte.
- 2 Dhe, mbasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund e mori uria.
- 3 Atëherë tunduesi, pasi iu afrua, i tha: ''Në qoftë se je Biri i Perëndisë, thuaj që këta gurë të bëhen bukë''.
- 4 Por ai, duke iu përgjigjur, tha: ''Éshtë shkruar: "Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë"''.
- 5 Atëherë djalli e çoi në qytetin e shenjtë dhe e vendosi në majë të tempullit
- 6 dhe i tha: ''Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar: "Ai do t'u japë urdhër engjëjve të tij për ty; edhe ata do të mbajnë mbi duart e tyre që të mos ndeshësh me këmbën tënde ndonjë gur"''.
- 7 Jezusi i tha: ''Éshtë shkruar gjithashtu: "Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd"''.
- 8 Djalli e çoi sërish mbi një mal shumë të lartë dhe i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre,
- 9 dhe i tha: ''Unë do të t'i jap të gjitha këto, nëse ti bie përmbys para meje dhe më adhuron''.
- 10 Atëherë Jezusi i tha: ''Shporru, Satan, sepse është shkruar: "Adhuro Zotin, Perëndinë tënde, dhe shërbeji vetëm atij"''.
- 11 Atëherë djalli e la; dhe ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin.
- 12 Jezusi, mbasi dëgjoi se Gjonin e kishin futur në burg, u tërhoq në Galile.
- 13 Pastaj la Nazaretin dhe shkoi të banojë në Kapernaum, qytet bregdetar, në kufijtë të Zabulonit dhe të Neftalit,
- 14 që të përmbushej ç'ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia kur tha:
- 15 ''Toka e Zabulonit, toka e Neftalit, mbi bregun e detit, krahina përtej Jordanit, Galileja e paganëve,
- 16 populli që dergjej në errësirë ka parë një dritë të madhe, dhe përmbi ata që dergjeshin në krahinë dhe në hijen e vdekjes, doli drita''.
- 17 Që nga ajo kohë Jezusi filloi të predikojë dhe të thotë: ''Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!''.
- 18 Duke ecur gjatë bregut të detit të Galilesë, Jezusi pa dy vëllezër: Simonin, të quajtur Pjetër, dhe Andrean, të vëllanë, të cilët po hidhnin rrjetën në det, sepse ishin peshkatarë;
- 19 dhe u tha atyre: ''Ndiqmëni dhe unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish''.
- 20 Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.
- 21 Dhe, duke vazhduar rrugën, pa dy vëllezër të tjerë: Jakobin, birin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, në barkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke ndrequr rrjetat; dhe i thirri.
- 22 Dhe ata lanë menjëherë barkën dhe atin e tyre dhe i shkuan pas.
- 23 Jezusi shkonte kudo nëpër Galile, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje dhe çdo lëngatë në popull.
- 24 Dhe fama e tij u përhap në gjithë Sirinë; dhe i sillnin të gjithë të sëmurët që vuanin nga lëngata dhe dhimbje të ndryshme, të demonizuar, epileptikë dhe paralitikë; dhe ai i shëronte.
- 25 Dhe një mori e madhe njerëzish i shkonte pas, nga Galileja, nga Dekapoli, nga Jeruzalemi, nga Judeja dhe nga përtej Jordanit.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗