마태복음 3장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 마태복음 (Matthew) · 17절
- 1 Tani në ato ditë erdhi Gjon Pagëzori, që predikonte në shkretëtirën e Judesë,
- 2 dhe thoshte: ''Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!''
- 3 Dhe në fakt për Gjonin kishte folur profeti Isaia kur tha: ''Një zë i atij që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij"''.
- 4 Tani Gjoni vet kishte veshur një rrobë prej leshi të devesë dhe një brez prej lëkure në bel; ai ushqehej me karkaleca dhe mjaltë të egër.
- 5 Në atë kohë njerëzit e Jeruzalemit, nga gjithë Judeja dhe nga krahina e Jordanit rendnin tek ai,
- 6 dhe pagëzoheshin nga ai, në Jordan duke rrëfyer mëkatet e tyre.
- 7 Por ai, kur pa se shumë farisenj dhe saducenj po vinin për t'u pagëzuar tek ai, u tha atyre: ''Pjellë nepërkash, kush ju ka mësuar t'i arratiseni zemërimit që po vjen?
- 8 Jepni pra fryte të denja të pendesës!
- 9 Dhe mos t'ju shkojë mendja të thoni me vete: "Ne kemi Abrahamin për atë"; sepse unë po ju them se Perëndia mund të nxjerrë bij të Abrahamit edhe prej këtyre gurëve.
- 10 Dhe tashmë sëpata është në rrënjën e drurëve; çdo dru, pra, që nuk jep fryt të mirë, do të pritet dhe do të hidhet në zjarr.
- 11 Unë po ju pagëzoj me ujë, për pendim; por ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as të mbaj sandalet e tij; ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin.
- 12 Ai mban në dorë terploten dhe do ta pastrojë plotësisht lëmin e tij; grurin e tij do ta mbledhë në hambar, por bykun do ta djegë me zjarr të pashueshëm''.
- 13 Atëherë erdhi Jezusi nga Galileja në Jordan te Gjoni për t'u pagëzuar prej tij.
- 14 Por Gjoni e kundërshtoi fort duke i thënë: ''Mua më duhet të pagëzohem prej teje dhe ti po vjen tek unë?''.
- 15 Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur, u tha: ''Lejo të bëhet për tani, sepse në këtë mënyrë përmbushim çdo drejtësi''. Atëherë ai e lejoi.
- 16 Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, doli nga uji; dhe ja, qiejt iu hapën, dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi të;
- 17 dhe ja një zë nga qielli që tha: ''Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur''.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗