로마서 7장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 로마서 (Romans) · 25절
- 1 Apo nuk e dini o vëllezër, (sepse unë po u flas njerëzve që e njohin ligjin), se ligji ka pushtet mbi njeriun për sa kohë ai rron?
- 2 Sepse gruaja e martuar është e lidhur nga ligji me burrin deri sa ai rron, por, po i vdiq burri, lirohet nga ligji i burrit.
- 3 Prandaj, nëse, kur i rron burri, ajo bashkohet me një burrë tjetër, do të quhet shkelëse e kurorës; por kur i vdes burri ajo është e liruar nga ligji, që të mos jetë shkelëse e kurorës, po u bë gruaja e një burrë tjetër.
- 4 Kështu, pra, vëllezër të mi, edhe ju jeni të vdekur për ligjin me anë të trupit të Jezu Krishtit që të bashkoheni me një tjetër, që u ringjall prej të vdekurit, që t'i japim fryte Perëndisë.
- 5 Sepse, kur ishim në mish, pasionet mëkatare që ishin me anë të ligjit, vepronin në gjymtyrët tona, duke sjellë fryte vdekjeje,
- 6 por tani jemi zgjidhur nga ligji duke qënë të vdekur nga ç'ka na mbante të lidhur, prandaj shërbejmë në risinë e frymës dhe jo në vjetërsinë e shkronjës.
- 7 Çfarë të themi, pra? Se ligji është mëkat? Ashtu mos qoftë! Mëkatin unë nuk do ta kisha njohur, veç se me anë të ligjit; sepse unë nuk do ta kisha njohur lakminë, po të mos thoshte ligji: ''Mos lakmo!''.
- 8 Por mëkati, duke marrë shkas nga ky urdhërim, ngjalli në mua çdo lakmi,
- 9 sepse, pa ligj, mëkati është i vdekur. Dikur unë jetoja pa ligj, por, kur erdhi urdhërimi, mëkati u ngjall dhe unë vdiqa,
- 10 dhe urdhërimi që u dha për jetë, më solli vdekjen.
- 11 Sepse mëkati, duke gjetur rastin me anë të urdhërit, më mashtrojë dhe me anë të tij më vrau.
- 12 Kështu ligji është i shenjtë, dhe urdhërimi i shenjtë, i drejtë dhe i mirë.
- 13 Ajo gjë, pra, që është e mirë u bë vdekje për mua? Ashtu mos qoftë; por mëkati, që të duket mëkat, me anë të së mirës më pruri vdekjen, që mëkati të bëhet edhe më tepër mëkat nëpërmjet urdhërimit.
- 14 Sepse ne e dimë se ligji është frymëror, por unë jam i mishë, i shitur mëkatit si skllav.
- 15 Sepse unë nuk kuptoj atë që bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej.
- 16 Edhe, nëse bëj atë që nuk dua, unë pranoj që ligji është i mirë.
- 17 Por tani nuk jam më unë që veproj, por mëkati që banon në mua.
- 18 Në fakt unë e di se në mua domëthënë në mishin tim nuk banon asgjë e mirë, sepse, ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën, nuk ia gjej mënyrën.
- 19 Në fakt të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s'dua, atë bëj.
- 20 Edhe, në qoftë se bëj atë që nuk dua, s'jam më vetë ai që e bëj, por është mëkati që banon në mua.
- 21 Unë, pra, po zbuloj këtë ligj: duke dashur të bëj të mirën, e keqja gjindet në mua.
- 22 Në fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm,
- 23 por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia.
- 24 Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?
- 25 I falem nderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë. Unë vetë, pra, me mendjen, i shërbej ligjit të Perëndisë, por, me mishin ligjit të mëkatit.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗