데살로니가전서 5장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 데살로니가전서 (1 Thessalonians) · 28절
- 1 Sa për kohët dhe për stinët, vëllezër, nuk keni nevojë që t'ju shkruaj,
- 2 sepse ju vetë e dini shumë mirë se dita e Zotit do të vijë, si një vjedhës natën.
- 3 Sepse, kur thonë: "Paqe dhe siguri", atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë dhe nuk do të shpëtojnë.
- 4 Por ju, vëllezër, nuk jeni në errësirë, që ajo ditë t'ju zërë në befasi si një vjedhës.
- 5 Të gjithë ju jeni bij të dritës dhe bij të ditës; ne nuk jemi të natës, as të territ.
- 6 Le të mos flemë, pra, si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të esëll.
- 7 Sepse ata që flejnë, flejnë natën, dhe ata që dehen, dehen natën.
- 8 Kurse ne, mbasi jemi të ditës, jemi të esëll, duke veshur parzmoren e besimit dhe të dashurisë, dhe për përkrenare shpresën e shpëtimit.
- 9 Sepse Perëndia nuk na ka caktuar për zemërim, por për të marrë shpëtimin me anë të Zotit tonë Jezu Krisht,
- 10 i cili vdiq për ne kështu që, qofshim zgjuar qofshim fjetur, jetojmë bashkë me të.
- 11 Prandaj ngushëlloni njeri tjetrin dhe ndërtoni njeri tjetrin ashtu sikur edhe bëni.
- 12 Tashmë, vëllezër, ju lutemi të keni respekt për ata që mundohen midis jush, që janë në krye ndër ju në Zotin dhe që ju qortojnë,
- 13 edhe t'i vlerësoni shumë në dashuri për veprën e tyre. Jetoni në paqe midis jush.
- 14 Tani, vëllezër, ju bëjmë thirrje t'i qortoni të parregulltit, të ngushëlloni zemërlëshuarit, të ndihmoni të dobëtit dhe të jeni të duruar me të gjithë.
- 15 Vështroni se mos dikush t'ia kthejë dikujt të keqen me të keqen; po kërkoni gjithmonë të mirën edhe te njeri tjetri edhe te të gjithë.
- 16 Jini gjithmonë të gëzuar.
- 17 Lutuni pa pushim.
- 18 Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.
- 19 Mos e shuani Frymën.
- 20 Mos i përbuzni profecitë.
- 21 Provoni të gjitha, mbani të mirën.
- 22 Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë.
- 23 Dhe Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht.
- 24 Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë.
- 25 Vëllezër, lutuni për ne.
- 26 Përshëndetni të gjithë vëllezërit me puthje të shenjtë.
- 27 Ju përbetoj për Zotin që kjo letër t'u lexohet gjithë vëllezërve të shenjtë.
- 28 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju. Amen.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗