출애굽기 29장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 출애굽기 (Exodus) · 46절
- 1 "Kjo është ajo që do të bësh për t'i shuguruar në mënyrë që të më shërbejnë si priftërinj. Merr një dem të vogël dhe dy desh pa të meta,
- 2 disa bukë pa maja, ëmbëlsira pa maja të zëna me vaj dhe revani pa maja të lyer me vaj; (do t'i bësh me majë mielli të grurit).
- 3 Do t'i vësh në një shportë dhe do t'i çosh bashkë me demin e vogël dhe dy deshtë.
- 4 Do ta afrosh Aaronin dhe bijtë e tij në hyrjen e çadrës së mbledhjes dhe do t'i lash me ujë.
- 5 Pastaj do të marrësh rrobat dhe do ta riveshësh Aaronin me tunikën, me mantelin e efodit, me efodin dhe me pektoralin, dhe do t'i ngjeshësh brezin e punuar artistikisht të efodit.
- 6 Do t'i vësh mbi krye çallmën dhe mbi çallmën do të vësh diademën e shenjtë.
- 7 Pastaj do të marrësh vajin e vajosjes, do ta derdhësh mbi kryet e tij dhe do ta vajosësh.
- 8 Pastaj do t'i afrosh bijtë e tij dhe do t'u riveshësh tunikat.
- 9 Do t'u ngjeshësh Aaronit dhe bijve të tij brezat dhe do të vësh mbi ta mbulesa kokash; priftëria do t'iu përkasë atyre për gjithë jetën. Kështu do të shugurosh Aaronin dhe bijtë e tij.
- 10 Pastaj do të afrosh demin e vogël para çadrës së mbledhjes; dhe Aaroni dhe bijtë e tij do të vënë duart e tyre mbi kokën e demit të vogël.
- 11 Dhe do ta therësh demin e vogël para Zotit, në hyrje të çadrës së mbledhjes.
- 12 Do të marrësh pastaj gjakun e demit të vogël dhe do ta vësh me gishtin tënd mbi brirët e altarit, dhe gjithë mbetjen e gjakut do ta derdhësh në këmbët e altarit.
- 13 Do të marrësh gjithashtu gjithë dhjamin që mbulon zorrët, bulën e ngjitur me mëlçinë dhe dy veshkat me dhjamin që kanë sipër, dhe do t'i tymosësh mbi altarin.
- 14 Por mishin e demit të vogël, lëkurën dhe fëlliqësirat e tij do t'i djegësh me zjarr jashtë kampit: ky është një flijim për mëkatin.
- 15 Pastaj do të marrësh një nga deshtë dhe Aaroni dhe bijtë e tij do të vënë duart e tyre mbi kokën e dashit.
- 16 Pastaj do ta therësh dashin, do të marrësh gjakun e tij dhe do ta spërkatësh përrreth altarit.
- 17 Pas kësaj do ta ndash në copa dashin, do të lash zorrët dhe këmbët e tij, dhe do t'i vësh bashkë me copat e tij dhe me kokën e tij.
- 18 Pastaj do ta tymosësh tërë dashin mbi altar: ky është një olokaust për Zotin; është një erë e këndshme, një flijim i bërë me anë të zjarrit për Zotin.
- 19 Pastaj do të marrësh dashin tjetër, dhe Aaroni dhe bijtë e tij do të vënë duart e tyre mbi kokën e dashit.
- 20 Do ta therësh dashin, do të marrësh prej gjakut të tij dhe do ta vësh mbi bulën e veshit të djathtë të Aaronit dhe mbi bulën e veshit të djathtë të bijve të tij, mbi gishtin e madh të dorës së tyre të djathtë dhe mbi gishtin e trashë të këmbës së tyre të djathtë, dhe do ta spërkatësh gjakun rreth e qark altarit.
- 21 Do të marrësh pastaj nga gjaku që është mbi altar dhe nga vaji i vajosjes dhe do të spërkatësh Aaronin dhe rrobat e tij, bijtë e tij dhe rrobat e tyre. Kështu do të shenjtërohet ai dhe rrobat e tij, bijtë e tij dhe rrobat e tyre bashkë me të.
- 22 Do të marrësh edhe dhjamin e dashit, dhjamin e bishtit, dhjamin që mbulon zorrët, bulën e mëlçisë, dy veshkat dhe dhjamin që është mbi to dhe kofshën e djathtë, (sepse është një dash shenjtërimi);
- 23 do të marrësh edhe një bukë, një ëmbëlsirë me vaj dhe një revani nga shporta e bukës së ndorme, që është para Zotit,
- 24 dhe të gjitha këto gjëra do t'i vësh në duart e Aaronit dhe në duart e bijve të tij, dhe do t'i tundësh si një ofertë e bërë përpara Zotit.
- 25 Pastaj do t'i marrësh nga duart e tyre dhe do t'i tymosësh mbi altarin, mbi olokaustin, si një erë e këndshme përpara Zotit; është një flijim i bërë me anë të zjarrit Zotit.
- 26 Pas kësaj do të marrësh gjoksin e dashit të përdorur për shugurimin e Aaronit dhe do ta tundësh si një ofertë e lëvizur përpara Zotit; dhe kjo do të jetë pjesa e jote.
- 27 Dhe nga dashi i përdorur për shenjtërim do të ruash gjoksin e ofertës së lëvizur dhe kofshën e ofertës së ngritur, që u takojnë Aaronit dhe bijve të tij.
- 28 Ai do të jetë nga ana e bijve të Izraelit për Aaronin dhe bijtë e tij një rregull i përhershëm, sepse është një ofertë lartësimi. Do të jetë një ofertë lartësimi nga ana e bijve të Izraelit që është marrë nga flitë e tyre të falënderimit, oferta e tyre për lartësim te Zoti.
- 29 Dhe rrobat e shenjta të Aaronit do t'u kalojnë bijve të tij mbas tij, me qëllim që të vajosen dhe të shenjtërohen tek ata.
- 30 Ai bir që bëhet prift në vend të tij do t'i veshë ato për shtatë ditë, kur do të hyjë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbesën në vendin e shenjtë.
- 31 Pastaj do të marrësh dashin e shenjtërimit dhe do ta gatuash mishin e tij në një vend të shenjtë;
- 32 dhe Aaroni dhe bijtë e tij do të hanë, në hyrje të çadrës së mbledhjes, mishin e dashit dhe bukën që është në shportë.
- 33 Do të hanë gjërat që kanë shërbyer për të bërë shlyerjen për t'u shuguruar dhe shenjtëruar; por asnjë i huaj nuk do të hajë prej tyre, sepse janë gjëra të shenjta.
- 34 Dhe në qoftë se tepron mish i shenjtërimit ose bukë deri në mëngjes, do të djegësh atë që mbetet në zjarr; nuk do ta hahet, sepse është e shenjtë.
- 35 Do të bësh, pra, për Aaronin dhe për bijtë e tij të gjitha ato që të kam urdhëruar: do t'i shenjtërosh brenda shtatë ditëve.
- 36 Dhe çdo ditë do të ofrosh një dem të vogël, si flijim për mëkatin, për të larë fajin që ke bërë dhe do ta vajosësh për ta shenjtëruar.
- 37 Për shtatë ditë do të bësh shlyerjen e fajit për altarin dhe do ta shenjtërosh; altari do të jetë një vend shumë i shenjtë: çdo gjë që do të prekë altarin do të jetë e shenjtë.
- 38 Kjo është ajo që do të ofrosh mbi altar: dy qengja motakë çdo ditë, për gjithnjë.
- 39 Njërin prej qengjave do ta ofrosh në mëngjes dhe tjetrin në të ngrysur.
- 40 Me qengjin e parë do të ofrosh një të dhjetën e efës të majës së miellit të brumosur me një çerek hine vaji thjesht ulliri, dhe një libacion me një çerek hine verë.
- 41 Qengjin e dytë do ta ofrosh në të ngrysur; do ta shoqërosh me të njëjtin blatim dhe me të njëjtin libacion të mëngjesit; është një flijim parfumi të këndshëm i ofruar nëpërmjet zjarrit për Zotin.
- 42 Do të jetë një olokaust i përjetshëm për gjithë brezat e ardhshëm, ti ofruar në hyrje të çadrës së mbledhjes, përpara Zotit, kur unë do t'ju takoj për të folur me ty.
- 43 Dhe atje do të takohem me bijtë e Izraelit; dhe çadra do të shenjtërohet nga lavdia ime.
- 44 Kështu unë do të shenjtëroj çadrën e mbledhjes dhe altarin; do të shenjtëroj gjithashtu Aaronin dhe bijtë e tij, që të më shërbejnë si priftërinj.
- 45 Do të banoj në mes të bijve të Izraelit dhe do të jem Perëndia i tyre.
- 46 Dhe ata do të mësojnë që unë jam Zoti, Perëndia i tyre, që i nxori nga vendi i Egjiptit për të banuar midis tyre. Unë jam Zoti, Perëndia i tyre".
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗