로그인

창세기 25장 Albanian Bible

Albanian Bible · 알바니아어 · 창세기 (Genesis) · 34절

  1. 1 Pastaj Abrahami mori një grua tjetër, që quhej Keturah.
  2. 2 Dhe kjo i lindi Zimranin, Jokshanin, Medanin, Madianin, Ishbakun dhe Shuahin.
  3. 3 Jokshanit i lindi Sheba dhe Dedani. Bijtë e Dedanit ishin Asshurimi, Letushimi dhe Leumimi.
  4. 4 Bijtë e Madianit ishin Efahu, Eferi, Hanoku, Abidahu dhe Eldaahu. Tërë këta ishin bijtë e Keturahut.
  5. 5 Dhe Abrahami i dha Isakut gjithçka zotëronte;
  6. 6 por bijve që Abrahami kishte pasur nga konkubinat u dha disa dhurata dhe, sa ishte ende gjallë, i dërgoi larg birit të tij Isakut, drejt lindjes, në një vend të lindjes.
  7. 7 Këto janë vitet e jetës së Abrahamit: ai jetoi gjithsej njëqind e shtatëdhjetë e pesë vjet.
  8. 8 Pastaj Abrahami dha frymën e fundit dhe vdiq në pleqëri të mbarë, i shtyrë në moshë dhe i ngopur me ditë, dhe u bashkua me popullin e tij.
  9. 9 Dhe bijtë e tij Isaku dhe Ismaeli e varrosën në shpellën e Makpelahut në arën e Efronit, biri i Zoarit, Hiteut, që ndodhet përballë Mamres,
  10. 10 arë që Abrahami u kishte blerë bijve të Hethit. Aty u varrosën Abrahami dhe e shoqja Sara.
  11. 11 Mbas vdekjes së Abrahamit, Perëndia bekoi birin e tij Isakun; dhe Isaku qëndroi pranë pusit të Lahai-Roit.
  12. 12 Tani këta janë pasardhësit e Ismaelit, bir i Abrahamit, që egjiptasja Agar, shërbëtorja e Sarës, i kishte lindur Abrahamit.
  13. 13 Këta janë emrat e bijve të Ismaelit, simbas emrit të brezave të tyre: Nebajothi, i parëlinduri i Ismaelit; pastaj Kedari, Abdeeli, Mibsami,
  14. 14 Mishma, Dumahu, Masa,
  15. 15 Hadari, Tema, Jeturi, Nafishi dhe Kedemahu.
  16. 16 Këta janë bijtë e Ismaelit dhe emrat e tyre, simbas fshatrave dhe fushimeve të tyre. Ata qenë dymbëdhjetë princërit e kombeve të tyre përkatës.
  17. 17 Por këto janë vitet e jetës së Ismaelit, gjithsej njëqind e tridhjetë e shtatë vjet; pastaj ai dha frymë dhe vdiq, dhe u bashkua me popullin e tij.
  18. 18 (Dhe bijtë e tij banuan nga Havilahu deri në Shur, që është në lindje të Egjiptit, në drejtim të Asirisë). Ai u vendos në prani të të gjithë vëllezërve të tij.
  19. 19 Këta janë pasardhësit e Isakut, birit të Abrahamit.
  20. 20 Abrahamit i lindi Isaku; dhe Isaku ishte dyzet vjeç kur mori për grua Rebekën, e bija e Bethuelit, Arameu i Paddan-Aranit dhe motra e Labanos, Arameut.
  21. 21 Isaku e luti Zotin për gruan e tij sepse ajo ishte shterpë. Zoti ia plotësoi dëshirën dhe Rebeka, gruaja e tij, u ngjiz.
  22. 22 Por fëmijët shtynin njeri-tjetrin në barkun e saj dhe ajo tha: "Në qoftë se është kështu (që iu përgjigj Zoti), pse gjendem unë në këto kushte?". Dhe kështu vajti të konsultohet me Zotin.
  23. 23 Dhe Zoti i tha: "Dy kombe ndodhen në barkun tënd dhe dy popuj kanë për të dalë nga përbrendëshmet e barkut tënd. Njeri nga këta dy popuj do të jetë më i fortë se tjetri, dhe më i madhi do t'i shërbejë më të voglit".
  24. 24 Kur erdhi koha për të që të lindte, ajo kishte në bark dy binjakë.
  25. 25 Dhe i pari që doli jashtë ishte i kuq; ai ishte krejt si një mantel leshtor, prandaj i vunë emrin Esau.
  26. 26 Pastaj doli vëllai i tij, i cili me dorë mbante thembrën e këmbës të Esaut; prandaj e quajtën Jakob. Por Isaku ishte shtatëdhjetë vjeç kur Rebeka i lindi.
  27. 27 Dy fëmijët u rritën dhe Esau u bë një gjahtar i sprovuar, një njeri fshatarak, ndërsa Jakobi ishte një njeri i qetë, që jetonte në çadra.
  28. 28 Por Isaku e donte Esaun, sepse mishin e gjahut e pëlqente; Rebeka nga ana e saj donte Jakobin.
  29. 29 Një herë që Jakobi gatoi për vete një supë, Esau erdhi nga fusha krejt i lodhur.
  30. 30 Dhe Esau i tha Jakobit: "Të lutem, më lërë të ha pak nga kjo supë e kuqe, sepse jam i lodhur". Për këtë arësye e quajtën Edom.
  31. 31 Por Jakobi iu përgjegj: "Më shit më parë parëbirninë tënde".
  32. 32 Esau tha: "Ja unë jam duke vdekur, ç'dobi kam nga parëbirnia?".
  33. 33 Atëherë Jakobi tha: "Më parë betomu". Dhe Esau iu betua dhe i shiti Jakobit parëbirninë e tij.
  34. 34 Pastaj Jakobi i dha Esaut bukë dhe supë me thjerrëza. Dhe ai hëngri dhe piu, pastaj u ngrit dhe iku. Kështu Esau shpërfilli parëbirninë e tij.

Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗