창세기 19장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 창세기 (Genesis) · 38절
- 1 Por të dy engjëjt arritën në mbrëmje në Sodomë, ndërsa Loti ishte ulur te porta e Sodomës; sa i pa, ai u ngrit më këmbë për t'u dalë përpara dhe u shtri me fytyrën në tokë,
- 2 dhe tha: "Zotërinjtë e mi, ju lutem, hyni në shtëpinë e shërbëtorit tuaj, kaloni aty natën dhe lani këmbët; pastaj nesër në mëngjes mund të çoheni shpejt dhe të vazhdoni udhën tuaj". Ata u përgjigjën: "Jo; do ta kalojmë natën në sheshin".
- 3 Por ai nguli këmbë aq shumë sa që ata erdhën tek ai dhe hynë në shtëpinë e tij. Ai u përgatiti një banket dhe poqi bukë pa tharm, dhe ata hëngrën.
- 4 Por para se të shkonin në shtrat, njerëzit e qytetit, njerëzit e Sodomës, rrethuan shtëpinë; ishin të rinj e pleq, tërë popullsia e mbledhur nga çdo anë;
- 5 thirrën Lotin dhe i thanë: "Ku janë njerëzit që erdhën te ti sonte? Na i nxirr jashtë që të mund t'i njohim!".
- 6 Loti doli drejt atyre para portës së shtëpisë, e mbylli portën pas tij dhe tha:
- 7 "Oh, vëllezër të mi, mos u sillni kaq keq!
- 8 Dëgjoni, unë kam dy vajza që nuk kanë njohur burrë; prandaj më lini që t'i nxjerr jashtë dhe bëni ç'të doni me to; por mos u bëni asgjë këtyre burrave, sepse janë nën mbrojtjen e shtëpisë sime".
- 9 Por ata i thanë: "Shko tutje!". Pastaj vazhduan: "Ky erdhi këtu si i huaj, dhe dëshiron të bëhet gjykatës! Tani do të sillemi më keq me ty se sa me ata!". Dhe duke e shtyrë Lotin me dhunë, u afruan për të shpërthyer derën.
- 10 Por ata njerëz zgjatën duart e tyre dhe e tërhoqën Lotin brenda shtëpisë bashkë me ta, dhe mbyllën derën.
- 11 Goditën verbërisht njerëzit që ishin te dera e shtëpisë, nga më i vogli deri te më i madhi, kështu që u lodhën në orvatjen për të gjetur derën.
- 12 Atëherë ata njerëz i thanë Lotit: "Kë ke tjetër këtu? Nxirr nga ky vend dhëndurët e tu, bijtë dhe bijat e tua, dhe cilindo që ke në qytet,
- 13 sepse ne po bëhemi gati ta shkatërrojmë këtë vend, sepse britma e banorëve të tij është e madhe përpara Zotit dhe Zoti na dërgoi për ta shkatërruar".
- 14 Atëherë Loti doli e u foli dhëndurëve të tij që ishin martuar me bijat e tij, dhe tha: "Çohuni, largohuni nga ky vend, sepse Zoti do ta shkatërrojë qytetin". Por dhëndurët e tij patën përshtypjen se ai po bënte shaka.
- 15 Sa doli agimi, engjëjt e nxitën Lotin duke thënë: "Çohu, merr gruan dhe bijat e tua që gjenden këtu, që ti të mos vdesësh në dënimin e këtij qyteti".
- 16 Duke qenë se ai po ngurronte, ata njerëz e morën për dore atë, të shoqen dhe dy bijat e tij, sepse Zotit i kishte ardhur mëshirë për të, e nxorrën jashtë dhe i shpëtuan jetën duke e çuar jashtë qytetit.
- 17 Ndërsa po i çonin jashtë, njëri prej tyre tha: "Ik shpejt për të shpëtuar jetën tënde! Mos shiko prapa e mos u ndal në asnjë vend të fushës; shpëto në mal që të mos vdesësh!".
- 18 Por Loti iu përgjegj atyre: "Jo, zoti im!
- 19 Ja, shërbëtori yt gjeti hir para syve të tu dhe ti u tregove shpirtmadh ndaj meje, duke më shpëtuar jetën, por unë nuk do të mund të arrij malin para se të më zërë fatkeqësia dhe unë të vdes.
- 20 Ja, ky qytet është mjaft i afërt për ta arritur dhe është i vogël. Më lër, pra, të iki shpejt aty (a nuk është i vogël?) dhe kështu do të shpëtoj jetën".
- 21 Engjëlli i tha: "Unë po ta plotësoj edhe këtë kërkesë: të mos shkatërroj qytetin për të cilin fole.
- 22 Shpejto, ik atje, sepse unë nuk mund të bëj asgjë para se ti të arrish atje". Për këtë arsye ky qytet u quajt Coar.
- 23 Dielli po ngrihej mbi tokë kur Loti arriti në Coar.
- 24 Atëherë Zoti bëri që nga qielli të binte squfur dhe zjarr mbi Sodomën dhe Gomorën, nga ana e Zotit.
- 25 Kështu ai shkatërroi ato qytete, tërë fushën, tërë banorët e qytetit e gjithçka mbinte mbi tokën.
- 26 Por gruaja e Lotit solli kryet për të shikuar prapa dhe u bë një statujë prej kripe.
- 27 Abrahami u ngrit herët në mëngjes dhe shkoi në vendin ku kishte qëndruar para Zotit;
- 28 pastaj drejtoi shikimin nga Sodoma dhe Gomora si dhe nga tërë krahina e fushës, dhe kështu pa një tym që ngrihej nga toka, si tymi i një furre.
- 29 Kështu ndodhi që kur Perëndia shkatërroi qytetin e fushës, Perëndisë iu kujtua Abrahami dhe e largoi Lotin nga gjëma kur shkatërroi qytetet ku Loti kishte banuar.
- 30 Pastaj Loti doli nga Coari dhe shkoi të banojë në mal bashkë me dy bijat e tij, sepse kishte frikë të qëndronte në Coar; dhe u vendos në një shpellë bashkë me dy bijat e tij.
- 31 Më e madhja i tha më të voglës: "Babai ynë është plak, dhe nuk ka asnjë burrë në vend që mund të bashkohet me ne, ashtu siç ndodh mbi gjithë tokën.
- 32 Eja, t'i japim verë babait tonë e të shtrihemi bashkë me të; kështu do të mund t'i sigurojmë pasardhës babait tonë".
- 33 Kështu po atë natë i dhanë verë babait të tyre dhe e madhja u shtri bashkë me të atin, por ai nuk u kujtua as kur ajo u shtri me të, as kur u ngrit.
- 34 Të nesërmen vajza më e madhe i tha më të voglës: "Ja, natën e kaluar unë rashë në shtrat bashkë me babanë tim; le të bëjmë që ai të pijë verë edhe sonte; pastaj ti futu dhe shtrihu me të, që të mund t'i sigurojmë pasardhës babait tonë".
- 35 Edhe atë natë i dhanë verë babait të tyre dhe më e vogla shkoi të shtrihet bashkë me të, dhe ai nuk u kujtua as kur u shtri, as kur u ngrit.
- 36 Kështu dy bijat e Lotit u ngjizën nga babai i tyre.
- 37 Më e madhja lindi një djalë, të cilit ia vuri emrin Moab. Ky është babai i Moabitëve, që ekzistojnë deri në ditët tona.
- 38 Edhe më e vogla lindi një djalë, të cilit ia vuri emrin Ben-Ami. Ky është babai i Amonitëve, që ekzistojnë deri në ditët tona.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗