창세기 15장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 창세기 (Genesis) · 21절
- 1 Mbas këtyre gjërave, fjala e Zotit iu drejtua Abramit në vegim duke i thënë: "Mos ki frikë, Abram, unë jam mburoja jote, dhe shpërblimi yt do të jetë shumë i madh".
- 2 Po Abrami i tha: "Zot, Perëndi, çfarë do të më japësh, sepse unë jam pa fëmijë dhe trashëgimtari i shtëpisë sime është Eliezeri i Damaskut?".
- 3 Pastaj Abrami shtoi këto fjalë: "Ti nuk më ke dhënë asnjë pasardhës; dhe ja, një i lindur në shtëpinë time do të jetë trashëgimtari im".
- 4 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua duke i thënë: "Ai nuk do të jetë trashëgimtari yt, por ai që ka për të dalë nga të përbrendshmet e tua do të jetë trashëgimtari yt".
- 5 Pastaj e çoi jashtë dhe i tha: "Vështro me kujdes qiellin dhe numëro yjet, në rast se mund t'i numërosh", pastaj shtoi: "Kështu kanë për të qenë pasardhësit e tu".
- 6 Dhe ai i besoi Zotit, që ia vuri në llogari të drejtësisë.
- 7 Pastaj Zoti i tha: "Unë jam Zoti që të nxori nga Uri i Kaldeasve, për të ta lënë si trashëgimi këtë vend".
- 8 Dhe Abrami pyeti: "Zot, Perëndi, nga mund ta dij unë që do ta kem si trashëgim?".
- 9 Atëherë Zoti i tha: "Sillmë një mëshqerrë trevjeçare, një dhi trevjeçare, një dash trevjeçar, një turtull dhe një pëllumb të ri".
- 10 Atëherë Abrami i shpuri tërë këto kafshë, i ndau më dysh dhe vendosi secilën gjysmë përballë tjetrës; por zogjtë nuk i ndau.
- 11 Dhe disa zogj grabitqarë zbritën mbi kafshët e vrara, por Abrami i përzuri.
- 12 Me perëndimin e diellit, një gjumë i rëndë e zuri Abramin; dhe ja, një llahtari dhe një errësirë e thellë e kapluan atë.
- 13 Atëherë Zoti i tha Abramit: "Dije me siguri që pasardhësit e tu do të qëndrojnë si të huaj në një vend që nuk do të jetë i tyre, dhe do të jenë skllevër dhe njerëz të shtypur për katërqind vjet.
- 14 Por unë do të gjykoj kombin shërbyesit e të cilit do të kenë qënë; pas kësaj, ata do të dalin me pasuri të mëdha.
- 15 Sa për ty, do të shkosh në paqe pranë prindërve të tu dhe do të varrosesh pasi të kesh arritur një pleqëri të bukur.
- 16 Por në brezin e katërt ata do të kthehen këtu, sepse padrejtësia e Amorejve s'ka arritur ende kulmin".
- 17 Por me të perënduar dielli dhe me të zbritur errësira, na del para syve një furrë që nxjerr tym dhe një pishtar i zjarrtë që kalon përmes kafshëve të ndarë.
- 18 Po atë ditë Zoti bëri një besëlidhje me Abramin duke i thënë: "Unë u jap pasardhësve të tu këtë vend, nga përroi i Egjiptit deri në lumin e madh, lumin e Eufratit:
- 19 Kenejtë, Kenizejtë, Kadmonejtë,
- 20 Hitejtë, Perezejtë, Refejtë,
- 21 Amorejtë, Kanaanejtë, Girgazejtë dhe Jebuzejtë".
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗