전도서 3장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 전도서 (Ecclesiastes) · 22절
- 1 Çdo gjë ka stinën e vet, çdo situatë ka një kohë nën qiell;
- 2 një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të shkulur atë që është mbjellë,
- 3 një kohë për të vrarë dhe një kohë për të shëruar, një kohë për të shembur dhe një kohë për të ndërtuar,
- 4 një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur, një kohë për të mbajtur zi dhe një kohë për të hedhur valle,
- 5 një kohë për të flakur gurët dhe një kohë për të mbledhur gurët, një kohë për të përqafuar dhe një kohë për të mos përqafuar,
- 6 një kohë për të kërkuar dhe një kohë për të humbur, një kohë për të ruajtur dhe një kohë për të hedhur tutje,
- 7 një kohë për të grisur dhe një kohë për të qepur, një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur,
- 8 një kohë për të dashuruar dhe një kohë për të urryer, një kohë për luftën dhe një kohë për paqen.
- 9 Çfarë përfitimi ka ai që punon nga të gjitha gjërat për të cilat mundohet?
- 10 Pashë punën që Perëndia u jep bijve të njerëzve, me qëllim që të mundohen.
- 11 Ai e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën vet; ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre, pa i dhënë mundësinë asnjë njeriu të zbulojë veprën që Perëndia ka bërë nga fillimi deri në fund.
- 12 Kështu kuptova që nuk ka gjë më të mirë se sa të gëzohesh dhe të bësh të mirë sa je gjallë;
- 13 dhe që çdo njeri që ha, pi dhe gëzon mirëqënie në gjithë mundin e tij, kjo është një dhuratë e Perëndisë.
- 14 E kuptova që tërë ato që bën Perëndia janë përjetë; nuk mund t'u shtosh dhe t'u heqësh asgjë; dhe Perëndia vepron kështu me qëllim që njerëzit të kenë frikë prej tij.
- 15 Ajo që është, ka qenë më parë; dhe ajo që do të vijë ka qenë më parë, dhe Perëndia heton atë që ka kaluar.
- 16 Kam parë gjithashtu nën diell që në vend të arsyes kishte paudhësi, që në vend të drejtësisë kishte paudhësi.
- 17 Kështu thashë në zemrën time: "Perëndia do të gjykojë të drejtin dhe të pabesin, sepse ka një kohë të caktuar për çdo gjë dhe për çdo vepër".
- 18 Thashë në zemrën time: "Përsa u përket kushteve në të cilat ndodhen bijtë e njerëzve, Perëndia i vë në provë, që ata vetë të kuptojnë që janë si kafshë".
- 19 Në fakt të gjitha ato që u ndodhin bijve të njerëzve u ndodhin kafshëve; të dy palëve u ndodh e njëjta gjë. Ashtu si vdes njeri, kështu vdes tjetri. Po, të gjithë kanë po atë frymë; dhe njeriu nuk ka asnjë epërsi mbi kafshën, sepse gjithçka është kotësi.
- 20 Të gjithë shkojnë në po atë vend; të gjithë vijnë nga pluhuri dhe kthehen në pluhur.
- 21 Kush e di në se fryma e bijve të njerëzve ngjitet lart dhe në se fryma e kafshës zbret poshtë në tokë?
- 22 Kështu e kuptova që nuk ka gjë më të mirë për njeriun se sa të gëzohet në punën e tij, sepse kjo është pjesa e tij. Kush do ta çojë në fakt të shohë atë që ka për të ndodhur pas tij?
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗