로그인

잠언 12장 Albanian Bible

Albanian Bible · 알바니아어 · 잠언 (Proverbs) · 28절

  1. 1 Kush e do korrigjimin do diturinë, por ai që e urren kritikën është budalla.
  2. 2 Njeriu i mirë gëzon përkrahjen e Zotit, por ky do të dënojë njeriun që sajon plane të këqija.
  3. 3 Njeriu nuk bëhet i qëndrueshëm me pabesinë, por rrënja e të drejtëve nuk do të lëvizet kurrë.
  4. 4 Gruaja e virtytshme është kurora e burrit të saj, por ajo që e turpëron është si një krimb në kockat e tij.
  5. 5 Mendimet e të drejtëve janë drejtësia, por synimet e të pabesëve janë mashtrimi.
  6. 6 Fjalët e të pabesëve rrinë në pritë për të derdhur gjak, por goja e njerëzve të drejtë do t'i çlirojë.
  7. 7 Të pabesët janë përmbysur dhe nuk janë më, por shtëpia e të drejtëve do të mbetet më këmbë.
  8. 8 Një njeri lëvdohet për gjykimin e tij, por ai që ka një zemër të çoroditur do të përçmohet.
  9. 9 Éshtë më mirë të të çmojnë pak dhe të kesh një shërbëtor, se sa të të nderojnë dhe të mos kesh bukë.
  10. 10 I drejti kujdeset për jetën e bagëtisë së tij, por të përbrendshmet e të pabesëve janë mizore.
  11. 11 Kush punon tokën e tij do të ngopet me bukë, por ai që shkon pas kotësive është pa mend.
  12. 12 I pabesi dëshiron gjahun e njerëzve të këqij, por rrënja e të drejtëve sjell fryt.
  13. 13 Njeriu i keq kapet në kurthin e mëkatit të buzëve të tij, por i drejti do t'i shpëtojë fatkeqësisë.
  14. 14 Njeriu do të ngopet me të mira për frytin e gojës së tij, dhe secili do të marrë shpërblimin simbas veprës së duarve të tij.
  15. 15 Rruga e budallait është e drejtë para syve të tij, por ai që dëgjon këshillat është i urtë.
  16. 16 Budallai e tregon menjëherë pezmatimin e tij, por njeriu i matur e fsheh turpin.
  17. 17 Ai që thotë të vërtetën shpall atë që është e drejtë, por dëshmitari i rremë thotë mashtrime.
  18. 18 Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë, por gjuha e të urtëve sjell shërim.
  19. 19 Buza që thotë të vërtetën, do të bëhet e qëndrueshme përjetë, por gjuha që gënjen zgjat vetëm një çast.
  20. 20 Mashtrimi është në zemrën e atyre që kurdisin të keqen, por për ata që këshillojnë paqen ka gëzim.
  21. 21 Asnjë e keqe nuk do t'i ndodhë të drejtit, por të pabesët do të kenë plot telashe.
  22. 22 Buzët gënjeshtare janë të neveritshme për Zotin, por ata që veprojnë me çiltërsi i pëlqejnë atij.
  23. 23 Njeriu i matur e fsheh diturinë e tij, por zemra e budallenjve shpall budallallëkun e tyre.
  24. 24 Dora e njeriut të kujdeshëm do të sundojë, por dora e përtacëve do t'i nënshtrohet punës së detyrueshme.
  25. 25 Shqetësimi në zemrën e njeriut e rrëzon atë, por një fjalë e mirë e gëzon atë.
  26. 26 I drejti e zgjedh me kujdes shokun e tij, por rruga e të pabesëve i bën që të humbasin.
  27. 27 Përtaci nuk e pjek gjahun e tij, por kujdesi për njeriun është një pasuri e çmueshme.
  28. 28 Mbi shtegun e drejtësisë ka jetë, dhe mbi këtë shteg nuk ka vdekje.

Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗