요한일서 2장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 요한일서 (1 John) · 29절
- 1 Djema të mi, ju shkruaj këto gjëra që të mos mëkatoni; dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin.
- 2 Ai është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ata të të gjithë botës.
- 3 Dhe nga kjo e dimë se e kemi njohur atë, në qoftë se i zbatojmë urdhërimet e tij.
- 4 Ai që thotë: ''Unë e kam njohur atë'', dhe nuk zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të.
- 5 Por kush e zbaton fjalën e tij, në të me të vërtetë dashuria e Perëndisë është përsosur. Nga kjo e njohim se jemi në të.
- 6 Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë edhe vetë sikurse ka ecur ai.
- 7 Vëllezër, nuk ju shkruaj një urdhërim të ri, por një urdhërim të vjetër, që e kishit nga fillimi: urdhërimi i vjetër është fjala që dëgjuat nga fillimi.
- 8 E megjithatë po ju shkruaj një urdhërim të ri, që është i vërtetë në të dhe në ju, sepse errësira po shkon dhe tashmë po ndrit drita e vërtetë.
- 9 Ai që thotë se është në dritë dhe urren vëllanë e vet, është ende në errësirë.
- 10 Ai që e do vëllanë e vet qëndron në dritë dhe nuk ka asgjë në të që e bënë të bjerë.
- 11 Por ai që urren vëllanë e vet është në errësirë, ecën në errësirë dhe nuk di ku shkon, sepse errësira ia ka verbuar sytë.
- 12 Djema, ju shkruaj sepse mëkatet ju janë falur nëpërmjet emrit të tij.
- 13 Etër, ju shkruaj sepse ju e keni njohur atë që është që nga fillimi. Të rinj, ju shkruaj sepse e mundët të ligun. Djema, po ju shkruaj sepse e keni njohur Atin.
- 14 Etër, ju kam shkruar sepse e keni njohur atë që është nga fillimi. Të rinj, ju kam shkruar sepse jeni të fortë dhe fjala e Perëndisë qëndron në ju dhe sepse e mundët të ligun.
- 15 Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Ne qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të,
- 16 sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota.
- 17 Dhe bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë.
- 18 Fëmijë, është ora e fundit. Dhe, sikurse e dëgjuat, antikrishti duhet të vijë, dhe tani janë shfaqur shumë antikrishtë; prej nga e dimë se është ora e fundit.
- 19 Mes nesh dolën, por nuk ishin nga tanët, sepse, po të ishin nga tanët, do të kishin qëndruar me ne; por kjo ndodhi që të dalë se nuk janë të gjithë nga tanët.
- 20 Por ju keni vajosjen nga i Shenjti dhe i dini çdo gjë.
- 21 Nuk ju shkrova juve sepse nuk e njihni të vërtetën, por sepse ju e njihni dhe sepse asnjë gënjeshtër nuk del nga e vërteta.
- 22 Kush është gënjeshtari, veçse ai që mohon se Jezus është Krishti? Antikrishti është ai, që mohon Atin dhe Birin.
- 23 Kushdo që mohon Birin, s'ka as Atin; kushdo që njeh Birin, ka edhe Atin.
- 24 Ajo që ju, pra, dëgjuat nga fillimi le të qëndrojë në ju; në qoftë se ajo që dëgjuat nga fillimi qëndron në ju, edhe ju do të qëndroni në Birin dhe në Atin.
- 25 Dhe ky është premtimi që ai na bëri: jeta e përjetshme.
- 26 Ju shkrova këto gjëra për ata që kërkojnë t'ju gënjejnë.
- 27 Dhe, sa për ju, vajosja që keni marrë prej tij qëndron në ju dhe nuk keni nevojë që ndokush t'ju mësojë; por, duke qenë se vajosja e tij ju mëson çdo gjë dhe është e vërtetë e nuk është gënjeshtër, qëndroni në të ashtu sikurse ju mësoi.
- 28 Edhe tani, djema, qëndroni në të që, kur të shfaqet ai, ne të mund të kemi besim, dhe në ardhjen e tij të mos turpërohemi para Tij.
- 29 Në qoftë se e dini se ai është i drejtë, ta dini se kushdo që praktikon drejtësinë ka lindur prej tij.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗