요한복음 9장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 요한복음 (John) · 41절
- 1 Kur po kalonte, pa një njeri që ishte i verbër që nga lindja.
- 2 Dhe dishepujt e tij e pyetën duke thënë: ''Mësues, kush ka mëkatuar, ai apo prindërit e tij, që ai ka lindur i verbër?''.
- 3 Jezusi u përgjigj: ''As ai, as prindërit e tij s'kanë mëkatuar, por kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë.
- 4 Unë duhet t'i kryej veprat e atij që më ka dërguar sa është ditë; vjen nata kur askush nuk mund të veprojë.
- 5 Derisa jam në botë, unë jam drita e botës''.
- 6 Pasi kishte thënë këto gjëra, pështyu përdhe, bëri baltë me pështymë dhe leu sytë e të verbrit me të.
- 7 Pastaj i tha: ''Shko, lahu në pellgun e Siloamit'' (që do të thotë: dërguar); dhe ai shkoi atje, u la dhe u kthye duke parë.
- 8 Atëherë fqinjtë dhe ata që më parë e kishin parë të verbër, thanë: ''A s'është ky ai që rrinte ulur dhe lypte?''.
- 9 Disa thoshnin: ''Ai është''. Të tjerë: ''I përngjan atij''. Dhe ai thoshte: ''Unë jam''.
- 10 I thanë pra: ''Si të janë hapur sytë?''.
- 11 Ai u përgjigj dhe tha: ''Një njeri, që quhet Jezus, ka bërë baltë, m'i leu sytë dhe më tha: "Shko te pellgu i Siloamit dhe lahu". Dhe unë shkova atje, u lava dhe m'u kthye drita e syve''.
- 12 Dhe ata i thanë: ''Ku është ai?''. Ai u përgjigj: ''Nuk e di''.
- 13 Atëherë ata e çuan te farisenjtë atë që më parë kishte qenë i verbër.
- 14 Dhe ishte e shtunë kur Jezusi bëri baltën dhe ia hapi sytë.
- 15 Edhe farisenjtë, pra, e pyesnin përsëri si e fitoi dritën e syve. Dhe ai u tha atyre: ''Më vuri baltë mbi sy, u lava dhe shoh''.
- 16 Atëherë disa farisenj thanë: ''Ky njeri nuk është nga Perëndia, sepse nuk e respekton të shtunën!''. Të tjerë thoshnin: ''Si mund të kryejë shenja të tilla një njeri mëkatar?''. Dhe kishte përçarje midis tyre.
- 17 E pyetën, pra, përsëri të verbrin: ''Po ti, ç'thua për atë për faktin që t'i ka hapur sytë?''. Ai tha: ''Éshtë një profet''.
- 18 Por Judenjtë nuk besuan se ai kishte qenë i verbër dhe se kishte fituar dritën e syve, derisa thirrën prindërit e atij që kishte fituar dritën e syve.
- 19 Dhe i pyetën ata: ''A është ky djali juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? Vallë si sheh tani?''.
- 20 Prindërit e tij, duke u përgjigjur atyre, thanë: ''E dimë se ky është djali ynë dhe se ka lindur i verbër,
- 21 por ne nuk dimë se si sheh tani ose se kush ia ka hapur sytë; pyeteni atë; ai moshë ka, do t'ju flasë për veten e vet''.
- 22 Këto thanë prindërit e tij, sepse kishin frikë nga Judenjtë; sepse Judenjtë kishin vendosur që, nëse dikush do ta rrëfente Jezusin si Krishti, do të përjashtohej nga sinagoga.
- 23 Prandaj prindërit e tij thanë: ''Moshë ka, pyeteni atë''.
- 24 Atëherë ata e thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër dhe i thanë: ''Jepi lavdi Perëndisë; ne e dimë se ai njeri është mëkatar''.
- 25 Ai atëherë u përgjigj dhe tha: ''Në është mëkatar, nuk e di, por di një gjë, që isha i verbër dhe tani shoh''.
- 26 E pyetën përsëri: ''Ç'të bëri? Si t'i ka hapur sytë?''.
- 27 Ai u përgjigj atyre: ''Unë tashmë ua kam thënë dhe ju nuk keni dëgjuar; pse doni ta dëgjoni përsëri? Doni ndoshta të bëheni edhe ju dishepuj të tij?''.
- 28 Por ata e fyen dhe thanë: ''Ti je dishepull i tij, por ne jemi dishepuj të Moisiut!
- 29 Ne e dimë se Perëndia i foli Moisiut; sa për atë, nuk e dimë se nga është''.
- 30 Ai njeri u përgjigj dhe u tha atyre: ''E pra, është e çuditshme që ju të mos dini nga është ai; megjithatë ai m'i hapi sytë!
- 31 Dhe ne e dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por nëse dikush është i druajtshëm ndaj Perëndisë dhe bën vullnetin e tij, ai atë e dëgjon!
- 32 Që prej fillimit të botës nuk është dëgjuar që dikush t'ia ketë hapur sytë një të linduri të verbër.
- 33 Po të mos ishte ky nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë''.
- 34 Ata u përgjigjën dhe i thanë: ''Ti ke lindur i tëri në mëkate e don të na mësosh?''. Dhe e nxorën jashtë.
- 35 Jezusi e mori vesh se e nxorën jashtë dhe, kur e gjeti, i tha: ''A beson ti në Birin e Perëndisë?''.
- 36 Ai u përgjigj dhe tha: ''Kush është, Zot, që unë të besoj në të?''.
- 37 Dhe Jezusi i tha: ''Ti e ke parë; është pikërisht ai që po të flet''.
- 38 Atëherë ai tha: ''Unë besoj, o Zot''; dhe e adhuroi.
- 39 Pastaj Jezusi tha: ''Unë kam ardhur në këtë botë për të bërë një gjyq, që ata që nuk shohin të shohin dhe ata që shohin të verbohen''.
- 40 Disa nga farisenjtë që ishin me të i dëgjuan këto gjëra dhe i thanë: ''Jemi të verbër edhe ne?''.
- 41 Jezusi u përgjigj atyre: ''Po të ishit të verbër, nuk do të kishit asnjë mëkat; por tani thoni: "Ne shohim", prandaj mëkati juaj mbetet''.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗