요한복음 20장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 요한복음 (John) · 31절
- 1 Por ditën e parë pas së shtunës, në mëngjes, kur ishte ende errët, Maria Magdalena shkoi te varri dhe pa se guri ishte hequr nga varri.
- 2 Atëherë rendi te Simon Pjetri dhe te dishepulli tjetër, të cilin Jezusi e donte, dhe u tha atyre: ''E kanë hequr Zotin nga varri dhe nuk e dimë ku e vunë''.
- 3 Atëherë Pjetri dhe dishepulli tjetër dolën jashtë dhe u nisën për te varri.
- 4 Rendnin të dy bashkë, por dishepulli tjetër rendi përpara, më shpejt se Pjetri dhe arriti i pari te varri.
- 5 Dhe, si u përkul, pa pëlhurat prej liri që ishin në varr, por nuk hyri aty.
- 6 Arriti edhe Simon Pjetri që po e ndiqte, hyri në varr dhe pa pëlhurat prej liri që ishin përtokë,
- 7 dhe rizën, që qe vënë mbi kokën e Jezusit; ajo nuk ishte bashkë me pëlhurat, por ishte e palosur në një vend, veç.
- 8 Atëherë hyri edhe ai dishepull tjetër që kishte arritur i pari te varri, pa dhe besoi.
- 9 Ata në fakt, nuk e kishin kuptuar ende Shkrimin, sipas të cilit ai duhet të ringjallej së vdekurish.
- 10 Pastaj dishepujt u kthyen përsëri në shtëpi.
- 11 Por Maria kishte mbetur jashtë varrit, dhe po qante. Dhe, duke qarë, u përkul brenda varrit,
- 12 dhe pa dy engjëj, të veshur me të bardha, ndenjur njëri te kryet dhe tjetri te këmbët e vendit, ku qe trupi i Jezusit.
- 13 Ata i thanë: ''O grua, pse po qan?''. Ajo u përgjigj atyre: ''Sepse e kanë hequr Zotin tim, dhe nuk e di ku e kanë vënë''.
- 14 Si tha këtë, ajo u suall prapa dhe pa Jezusin, që qëndronte në këmbë; por ajo nuk e dinte se ishte Jezusi.
- 15 Jezusi i tha: ''O grua, pse po qan? Kë kërkon?''. Ajo, duke menduar se ishte kopshtari, i tha: ''Zot, po e pate hequr ti, më trego ku e vure dhe unë do ta marr''.
- 16 Jezusi i tha: ''Mari!''. Dhe ajo atëherë u kthye dhe i tha: ''Rabboni!'', që do të thotë: Mësues.
- 17 Jezusi i tha: ''Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita te Ati im; por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj''.
- 18 Atëherë Maria Magdalena shkoi t'jua njoftojë dishepujve se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë këto gjëra.
- 19 Pastaj në mbrëmje të po asaj dite, dita e parë e javës, ndërsa dyert e vendit ku qenë mbledhur dishepujt ishin të mbyllura nga frika e Judenjve, erdhi Jezusi dhe u prezantua në mes tyre dhe u tha atyre: ''Paqja me ju!''.
- 20 Dhe, si i tha këto, u tregoi atyre duart e veta dhe brinjën. Dishepujt pra, kur e panë Zotin, u gëzuan.
- 21 Pastaj Jezusi u tha atyre përsëri: ''Paqja me ju! Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju''.
- 22 Dhe, si tha këto fjalë, hukati mbi ta dhe tha: ''Merrni Frymën e Shenjtë!
- 23 Kujt do t'ia falni mëkatet, do t'i jenë falur, kujt do t'ia mbani, do t'i jenë mbajtur''.
- 24 Por Thomai, i quajtur Binjaku, një nga të dymbëdhjetët, nuk ishte me ta kur erdhi Jezusi.
- 25 Dishepujt e tjerë, pra, i thanë: ''Kemi parë Zotin''. Por ai u tha atyre: ''Po nuk e pashë në duart e tij shenjën e gozhdave, dhe po nuk e vura gishtin tim te shenja e gozhdëve dhe dorën time në brinjën e tij, unë nuk do të besoj''.
- 26 Dhe tetë ditë më vonë, dishepujt ishin përsëri në shtëpi dhe Thomai ishte me ta. Jezusi erdhi, ndonëse dyert ishin të mby-llura, dhe u prezantua midis tyre dhe tha: ''Paqja me ju!''.
- 27 Pastaj i tha Thomait: ''Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; shtrije edhe dorën dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues, por besues!''.
- 28 Atëherë Thomai u përgjigj dhe i tha: ''Zoti im dhe Perëndia im!''.
- 29 Jezusi i tha: ''Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!''.
- 30 Jezusi bëri edhe shumë shenja të tjera në prezencën e dishepujve të tij, të cilat nuk janë shkruar në këtë libër.
- 31 Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗