요한복음 2장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 요한복음 (John) · 25절
- 1 Tri ditë më vonë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë, dhe nëna e Jezusit ishte atje.
- 2 Edhe Jezusi me dishepujt e vet ishte ftuar në dasmë.
- 3 Duke qenë se mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: ''Nuk kanë më verë!''.
- 4 Jezusi i tha: ''Ç'ke me mua, o grua? Ora ime s'ka ardhur akoma!''.
- 5 Nëna e tij u tha shërbëtorëve: ''Bëni gjithçka që ai t'ju thotë!''.
- 6 Aty ishin gjashtë enë prej guri, që përdoreshin për pastrimin e Judenjve, dhe secila nxënte dy ose tri masa.
- 7 Jezusi u tha: ''Mbushni enët me ujë!''. Dhe ata i mbushën deri në grykë.
- 8 Pastaj u tha: ''Nxirreni tani dhe çojani të parit të festës''. Dhe ata ia çuan.
- 9 Dhe, mbasi i pari i festës e provoi ujin e shndërruar në verë (ai nuk e dinte nga vinte kjo verë, por e dinin mirë shërbëtorët që e kishin nxjerrë ujin), i pari i festës e thirri dhëndrin,
- 10 dhe i tha: ''Çdo njeri nxjerr në fillim verën më të mirë dhe, kur të ftuarit kanë pirë shumë, verën e keqe; ti, përkundrazi, e ke ruajtur verën e mirë deri tani!''.
- 11 Jezusi bëri këtë fillim të shenjave në Kanë të Galilesë dhe e shfaqi lavdinë e tij, dhe dishepujt e tij besuan në të.
- 12 Pas kësaj, ai zbriti në Kapernaum me nënën e tij, vëllezërit e tij dhe me dishepujt e tij; dhe ata qëndruan aty pak ditë.
- 13 Pra, Pashka e Judenjve ishte afër dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem.
- 14 Dhe në tempull gjeti ata që shisnin qe, dele e pëllumba dhe këmbyes monedhash duke ndenjur;
- 15 dhe si bëri një kamxhik me litarë, i dëboi të gjithë nga tempulli bashkë me qetë dhe delet, dhe ua hallakati paratë këmbyesve të monedhave dhe ua përmbysi tavolinat,
- 16 dhe shitësve të pëllumbave u tha: ''Hiqni këto gjëra që këtej; mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!''.
- 17 Kështu dishepujve të tij i kujtohej se ishte shkruar: ''Zelli i shtëpisë sate më ka përpirë!''.
- 18 Atëherë Judenjtë u përgjigjën dhe i thanë: ''Ç'shenjë na tregon se i bën këto gjëra?''.
- 19 Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''Shkatërroni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri!''.
- 20 Atëherë Judenjtë thanë: ''U deshën dyzet e gjashtë vjet që të ndërtohet ky tempull, dhe ti do ta ngresh për tri ditë?''.
- 21 Por ai fliste për tempullin e trupit të vet.
- 22 Kur, më pas, ai ishte ringjallur prej së vdekuri, dishepujt e vet u kujtuan se ai këtë ua kishtë thënë dhe u besuan Shkrimin dhe fjalëve që kishte thënë Jezusi.
- 23 Dhe kur qe në Jeruzalem për festën e Pashkës, shumë vetë besuan në emrin e tij duke parë shenjat që bënte,
- 24 por Jezusit nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë,
- 25 dhe sepse nuk kishte nevojë që ndokush të jepte dëshmi për njeriun, sepse ai e dinte ç'kishte përbrenda njeriut.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗