요한복음 13장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 요한복음 (John) · 38절
- 1 Por përpara festës së Pashkës, Jezusi, duke e ditur se kishte ardhur ora e tij të kalojë nga kjo botë tek Ati, duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund.
- 2 Dhe, kur mbaroi darka, mbasi djalli i kishte shtënë në zemër Judë Iskariotit, birit të Simonit, ta tradhtonte,
- 3 Jezusi, duke ditur se Ati i kishte dhënë gjithçka në duar, dhe se ai kishte dalë nga Perëndia dhe te Perëndia po kthehej,
- 4 u ngrit nga darka dhe hoqi rrobat e tij, mori një peshqir dhe u ngjesh.
- 5 Mbasi hodhi ujë në një legen, filloi të lante këmbët e dishepujve dhe t'ua fshijnte me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur.
- 6 Erdhi, pra, te Simon Pjetri. Dhe ai i tha: ''Zot, ti të m'i lash këmbët mua?''.
- 7 Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Atë që po bëj unë, ti tani nuk e kupton, por do ta kuptosh mbas kësaj''.
- 8 Pjetri i tha: ''Ti kurrë nuk do të m'i lash këmbët''. Jezusi iu përgjigi: ''Po nuk të lava, ti nuk do të kesh pjesë me mua''.
- 9 Simon Pjetri i tha: ''Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart dhe kokën''.
- 10 Jezusi i tha: ''Ai që është i larë, s'ka nevojë veçse të lajë këmbët dhe është krejt i pastër; edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë''.
- 11 Sepse ai e dinte se kush do ta tradhtonte, prandaj tha: ''Nuk jeni të gjithë të pastër''.
- 12 Kështu, mbasi ua lau këmbët, mori përsëri rrobat e tij, zuri vend rishtas në tryezë dhe u tha atyre: ''A e kuptoni këtë që ju kam bërë?
- 13 Ju më quani Mësues dhe Zot, dhe mirë thoni, sepse jam.
- 14 Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t'i lani këmbët njëri-tjetrit.
- 15 Unë, në fakt, ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju.
- 16 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Shërbëtori nuk është më i madh se padroni i tij, as i dërguari më i madh se ai që e ka dërguar.
- 17 Po t'i dini këto gjëra, të lumur jeni ju nëse do t'i bëni.
- 18 Nuk po flas për ju të gjithë; unë i njoh ata që kam zgjedhur, por duhet të përmbushet ky Shkrim: "Ai që ha bukën me mua, ka ngritur thembrën kundër meje".
- 19 Po ju them që tani, para se të ndodhë, që, kur të ketë ndodhur, të besoni se unë jam Krishti.
- 20 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush pranon atë që dërgoj unë, më pranon mua; dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar''.
- 21 Mbasi i tha këto fjalë, Jezusi, u trondit në frymë, dhe dëshmoi e tha: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë''.
- 22 Atëherë dishepujt u panë njëri me tjetrin, por nuk arrinin të kuptonin për kë po fliste.
- 23 Por një nga dishepujt e tij, të cilin Jezusi e donte, ishte mbështetur te kraharori i Jezusit.
- 24 Atëherë Simon Pjetri i bëri shenjë të pyeste kush ishte ai për të cilin foli.
- 25 Dhe ai dishepull, duke u përkulur mbi kraharorin e Jezusit, e pyeti: ''Zot, kush është?''.
- 26 Jezusi u përgjigj: ''Éshtë ai të cilit do t'i jap kafshatën, pasi ta kem ngjyer''. Dhe e ngjeu kafshatën e ia dha Judë Iskariotit, birit të Simonit.
- 27 Dhe pas kafshatës, Satani hyri në të. Atëherë Jezusi i tha: ''Ç'ke për të bërë, bëje shpejt!''.
- 28 Por asnjë nga ata që ishin në tryezë nuk e mori vesh pse ai e tha këtë.
- 29 Disa në fakt mendonin se, duke qenë se Juda e mbante qesen, Jezusi i kishte thënë: ''Bli gjërat që na duhen për festën''; ose që t'u jepte diçka të varfërve.
- 30 Ai, pra, mori kafshatën dhe doli menjëherë. Ishte natë.
- 31 Kur doli ai, Jezusi tha: ''Tani Biri i njeriut është përlëvduar dhe Perëndia është përlëvduar në të.
- 32 Në qoftë se Perëndia është përlëvduar në të, Perëndia do ta përlëvdojë edhe në vetvete dhe do ta përlëvdojë menjëherë.
- 33 Djema, edhe për pak kohë jam me ju; ju do të më kërkoni, por ashtu siç u kam thënë Judenjve: "Atje ku po shkoj unë ju nuk mund të vini". Kështu tani po ju them edhe juve.
- 34 Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin.
- 35 Prej kësaj do t'ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin''.
- 36 Simon Pjetri i tha: ''Zot, ku po shkon?''. Jezusi iu përgjigj: ''Atje ku po shkoj unë, ti nuk mund të më ndjekësh tani; por më vonë do të më ndjekësh''.
- 37 Pjetri i tha: ''Zot, pse nuk të ndiqkam dot tani? Unë do të jap jetën time për ty!''.
- 38 Jezusi iu përgjigj: ''Ti do ta japësh jetën tënde për mua? Në të vërtetë, në të vërtetë po të them: gjeli nuk do të këndojë, para se ti të më kesh mohuar tri herë!''.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗