요엘 2장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 요엘 (Joel) · 32절
- 1 I bini borisë në Sion dhe jepni kushtrimin në malin tim të shenjtë! Le të dridhen të gjithë banorët e vendit, sepse dita e Zotit po vjen, është e afërt,
- 2 po vjen dita e territ dhe e errësirës së dendur, ditë resh dhe mjegulle. Ashtu si përhapet agimi mbi malet, po vjen një popull i shumtë dhe i fuqishëm, të cilit kurrkush nuk i ka ngjarë më parë dhe as nuk do të ketë më kurrë për shumë breza që do të vijnë.
- 3 Para tij një zjarr po gllabëron dhe pas tij një flakë po djeg. Përpara tij vendi është si kopshti i Edenit; dhe pas tij është si një shkretëtirë e mjeruar; po, asgjë nuk i shpëton atij.
- 4 Pamja e tyre është si pamja e kuajve, dhe rendin si kuaj të shpejtë.
- 5 Ata hidhen mbi majat e maleve me zhurmë qerresh, si brambullima e flakës së zjarrit që djeg kallamishtet, si një popull i fortë që është rreshtuar për betejë.
- 6 Përpara tyre popujt përpëliten nga dhembja, çdo fytyrë zbehet.
- 7 Rendin si njerëz trima, ngjiten mbi muret si luftëtarë; secili ndjek rrugën e vet pa devijuar prej saj.
- 8 Askush nuk e shtyn fqinjin e tij, secili ndjek shtegun e vet; sulen në mes të shigjetave, por nuk plagosen.
- 9 I bien qytetit kryq e tërthor, rendin mbi muret, ngjiten në shtëpi, hyjnë në to nga dritaret si vjedhës.
- 10 Para tyre dridhet toka, dridhen qiejt, dielli dhe hëna erren dhe yjet humbin shkëlqimin e tyre.
- 11 Zoti bën që t'i dëgjohet zëri para ushtrisë së tij, sepse fusha e tij është shumë madhe dhe zbatuesi i fjalës së tij është i fuqishëm. Po, dita e Zotit është e madhe dhe fort e tmerrshme; kush mund ta durojë?
- 12 "Prandaj tani", thotë Zoti, "kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj, me agjërime, me lot dhe me vajtime".
- 13 Grisni zemrën tuaj dhe jo rrobat tuaja dhe kthehuni tek Zoti, Perëndia juaj, sepse ai është i mëshirshëm dhe plot dhemshuri, i ngadalshëm në zemërim dhe me shumë dashamirësi, dhe pendohet për të keqen që ka dërguar.
- 14 Kush e di, ndoshta kthehet dhe pendohet, dhe lë pas tij një bekim, një ofertë ushqimesh dhe një libacion për Zotin, Perëndinë tuaj?
- 15 I bini borisë në Sion, shpallni një agjërim, thërrisni një kuvend solemn.
- 16 Mblidhni popullin, shenjtëroni kuvendin, mblidhni pleqtë, mblidhni fëmijët dhe foshnjat e gjirit. Të dalë dhëndrri nga dhoma e tij dhe nusja nga dhoma e saj e nusërisë.
- 17 Midis portikut dhe altarit le të qajnë priftërinjtë, ministrat e Zotit, dhe le të thonë: "Fale, o Zot, popullin tënd dhe mos ia lër trashëgiminë tënde turpit apo nënshtrimit nga ana e kombeve. Sepse do të thonë midis popujve: "Ku është Perëndia i tyre?"".
- 18 Atëherë Zoti u bë xheloz për vendin e tij dhe i erdhi keq për popullin e tij.
- 19 Zoti do të përgjigjet dhe do t'i thotë popullit të tij: "Ja, unë do t'ju dërgoj grurë, musht dhe vaj, do t'i keni me bollëk dhe nuk do të jeni më turpi i kombeve.
- 20 Do të largoj nga ju ushtrinë e veriut dhe do ta çoj në një tokë të zhuritur dhe të shkretë; pararojën e saj drejt detit lindor dhe praparojën e saj drejt detit perëndimor; era e keqe e saj do të përhapet, duhma e saj do të përhapet, sepse ka bërë gjëra të mëdha.
- 21 Mos kij frikë, o tokë, gëzohu, ngazëllohu, sepse Zoti ka bërë gjëra të mëdha.
- 22 Mos kini frikë, o kafshë të fushave, sepse tokat për kullotë do të gjelbërojnë, drurët mbajnë frytin e tyre, fiku dhe hardhia japin tërë bollëkun e tyre.
- 23 Prandaj gëzohuni, o bij të Sionit, dhe kënaquni, ngazëllohuni tek Zoti, Perëndia juaj, sepse ju ka dhënë shiun e parë me drejtësi, dhe do të bëjë të bjerë për ju shiun, shiun e parë dhe shiun e fundit në muajin e parë.
- 24 Lëmenjtë do të jenë plot me grurë dhe në butet do të grafullojë mushti dhe vaji;
- 25 kështu do t'ju kompensoj për të korrat që kanë ngrënë karkaleci, larva e karkalecit, bulkthi dhe krimbi, ushtria ime e madhe që kisha dërguar kundër jush.
- 26 Dhe ju do të hani me bollëk dhe do të ngopeni, dhe do të lëvdoni emrin e Zotit, Perëndisë tuaj, që për ju ka bërë mrekulli, dhe popullin tim nuk do ta mbulojë më turpi.
- 27 Atëherë ju do të pranoni që unë jam në mes të Izraelit dhe që jam Zoti, Perëndia juaj, dhe nuk ka asnjë tjetër; popullin tim nuk do ta mbulojë më turpi".
- 28 "Mbas kësaj do të ndodhë që unë do të përhap Frymën tim mbi çdo mish; bijtë tuaj dhe bijat tuaja do të profetizojnë, pleqtë tuaj do të shohin ëndrra, të rinjtë tuaj do të kenë vegime.
- 29 Në ato ditë do të përhap Frymën time edhe mbi shërbëtorët dhe shërbëtoret.
- 30 Do të bëj mrekulli në qiejt dhe mbi tokë: gjak, zjarr dhe shtëllunga tymi.
- 31 Dielli do të shndërrohet në terr dhe hëna në gjak, para se të vijë dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit.
- 32 Dhe do të ndodhë që kushdo që do t'i drejtohet emrit të Zotit do të shpëtojë, sepse në malin Sion dhe në Jeruzalem do të ketë shpëtim, siç e ka thënë Zoti, edhe për ata që kanë mbetur gjallë dhe që Zoti do t'i thërrasë".
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗