에스겔 29장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 에스겔 (Ezekiel) · 21절
- 1 Vitin e dhjetë, në muajin e dhjetë, ditën e dymbëdhjetë të muajit, fjala e Zotit m'u drejtua duke thënë:
- 2 "Bir njeriu, kthe fytyrën tënde kundër Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe profetizo kundër tij dhe kundër tërë Egjiptit.
- 3 Fol dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o Faraon, mbret i Egjiptit, dragua i madh, që rri në mes të lumenjve të tu dhe që ke thënë: "Lumi im është imi dhe e kam bërë unë vetë".
- 4 Do të vendos gremça në nofullat e tua dhe do të bëj që peshqit e lumenjve të tu të ngjiten në luspat e tua; pastaj do të të bëj të dalësh në mes të lumenjve të tu dhe gjithë peshqit e lumenjve të tua do të ngjiten me luspat e tu.
- 5 Do të të hedh në shkretëtirë, ty dhe tërë peshqit e lumenjve të tu, dhe do të biesh në fushë të hapur, nuk do të të varrosin as nuk do të mbledhën; do të të jap si ushqim kafshëve të tokës dhe shpendëve të qiellit.
- 6 Atëherë tërë banorët e Egjiptit do të pranojnë që unë jam Zoti, sepse kanë qenë për shtëpinë e Izraelit si një mbështetje prej kallami.
- 7 Kur të kanë kapur për dore, je thyer dhe u ke copëtuar atyre gjithë shpatullën; kur u mbështetën te ti, u theve dhe ke bërë të tronditen tërë ijët e tyre".
- 8 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë do të sjell mbi ty shpatën dhe do të shkatërroj mes teje njerëz dhe kafshë;
- 9 kështu vendi i Egjiptit do të bëhet një mjerim dhe një shkreti, dhe do të pranojnë që unë jam Zoti, sepse ai ka thënë: "Lumi është imi dhe e kam bërë unë vetë".
- 10 Prandaj ja, unë jam kundër teje dhe lumit tënd; do ta katandis vendin e Egjiptit në një mjerim të plotë dhe në shkreti nga Migdoli deri në Sienë, deri në kufijtë me Etiopinë.
- 11 Nuk do të kalojë asnjë këmbë njeriu, as do të kalojë ndonjë këmbë kafshe, dhe nuk do të banohet për dyzet vjetë me radhë.
- 12 Do të bëj vendin e Egjiptit një shkreti midis vendeve të shkretuara, dhe qytetet e tij do të jenë një shkreti për dyzet vjet, në mes të qyteteve të shkatërruara; do t'i shpërndaj Egjiptasit midis kombeve dhe do t'i hedh nëpër vende të ndryshme".
- 13 Megjithatë kështu thotë Zoti, Zoti. "Në fundin e dyzet vjetëve unë do t'i bashkoj Egjiptasit ndër popujt nëpër të cilët ishin shpërndarë.
- 14 Do t'i riçoj Egjiptasit në shtëpi nga robëria dhe do t'i bëj që të kthehen në vendin e Pathrosit, në vendlindjen e tyre, dhe atje do të jenë një mbretëri e përulur.
- 15 Do të jetë më e përulura midis mbretërive dhe nuk do të ngrihet më mbi kombet; do të pakësoj numrin e tyre, me qëllim që të mos sundojë më mbi kombet.
- 16 Ai nuk do të jetë më burim besimi për shtëpinë e Izraelit, por do t'u kujtojë fajin kur u drejtoheshin për ndihmë. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti, Zoti".
- 17 Në vitin e njëzeteshtatë, në muajin e parë, ditën e parë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:
- 18 "Bir njeriu, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, e vuri ushtrinë e tij në një shërbim të rëndë kundër Tiros; çdo kokë është bërë e shogët dhe çdo shpatull e rrjepur; por as ai, as ushtria e tij nuk kanë nxjerrë nga Tiro ndonjë shpërblim për mundin që kanë bërë kundër tij".
- 19 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë i jap Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, vendin e Egjiptit; ai do të marrë pasuritë e tij; ai do të marrë me vete robër dhe do ta plaçkitë; dhe ky do të jetë shpërblimi për ushtrinë e tij.
- 20 Për mundin që ke bërë kundër tij unë i jap vendin e Egjiptit, sepse kanë punuar për mua", thotë Zoti, Zoti.
- 21 "Atë ditë unë do ta rilind fuqinë e shtëpisë së Izraelit dhe do të hap gojën tënde në mes të tyre. Atëherë ata do të pranojnë që unë jam Zoti".
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗