에스겔 24장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 에스겔 (Ezekiel) · 27절
- 1 Fjala e Zotit m'u drjetua vitin e nëntë, muajin e dhjetë, ditën e dhjetë të muajit:
- 2 "Bir njeriu, shkruaje datën e sotme, pikërisht të kësaj dite. Mbreti i Babilonisë ka vendosur të rrethojë Jeruzalemin pikërisht sot.
- 3 Propozoji një shëmbëlltyrë kësaj shtëpie rebele dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Nxirre tenxheren, vëre mbi të dhe mbushe me ujë.
- 4 Fut në të copat e mishit, gjithë copat e mira, kofshën dhe shpatullën; mbushe me kocka të zgjedhura.
- 5 Merr më të mirën e kopesë, pastaj grumbullo nën të dru; vëre të ziejë fort, me qëllim që në të të ziejnë edhe kockat".
- 6 Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti: "Mjerë qyteti gjakatar, tenxheres ku ka papastërti, papastërti që nuk hiqet. Zbraze pjesë pjesë pa hedhur short mbi të.
- 7 Sepse gjaku i tij është në mes të tij; e ka vënë në majë të një shkëmbi, nuk e ka shkapërderdhur për tokë për ta mbuluar me pluhur.
- 8 Për të nxitur tërbimin, për t'u hakmarrë, ka vënë gjakun e tij në majë të një shkëmbi, që të mos mbulohet".
- 9 Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti: "Mjerë qyteti gjakatar! Edhe unë do të ndez një zjarr të madh.
- 10 Mblidh drutë, ndiz zjarrin, piqe mirë mishin, përziej beharnat dhe lëri kockat të digjen.
- 11 Pastaj vëre tenxheren bosh mbi qymyr, që të ngrohet dhe bronzi i saj të skuqet me qëllim që papastërtia e saj të hiqet nga mesi i saj dhe pisllëku i saj të konsumohet.
- 12 Ai më ka lodhur me gënjeshtrat e tij; pisllëku i madh i tij nuk po hiqet; pisllëku i tij do të marrë fund mbi zjarrin.
- 13 Ka shthurje në papastërtinë tënde. Unë, pra, kërkova të të pastroj, por ti nuk je i pastër; nuk do të pastrohesh më nga papastërtia jote, deri sa të mos kem shfryrë mbi ty tërbimin tim.
- 14 Unë, Zoti, fola; kjo gjë do të ndodhë, unë do ta kryej; nuk do të prapsem, nuk do të kem mëshirë, nuk do të pendohem. Ti do të gjykohesh sipas sjelljes tënde dhe sipas veprimeve e tua, thotë Zoti, Zoti".
- 15 Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:
- 16 "Bir njeriu, ja, unë do të të heq me një goditje të vetme kënaqësinë e syve të tu; por ti mos u trishto, mos vajto dhe mos derdh asnjë lot.
- 17 Vajto në heshtje, mos mbaj zi për të vdekurit, lidhe kokën me çallmë, mbath sandalet, mos e mbulo mjekrën dhe mos ha bukën e njerëzve që mbajnë zi".
- 18 Në mëngjes i fola popullit dhe në mbrëmje më vdiq gruaja; të nesërmen në mëngjes veprova ashtu si më kishin urdhëruar.
- 19 Populli atëherë më pyeti: "A do të na shpjegosh ç'kuptim ka për ne ajo që ti bën?".
- 20 Unë u përgjigja: "Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:
- 21 I thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të përdhos shenjtëroren time, krenarinë e forcës suaj, kënaqësinë e syve tuaj, kënaqësinë e shpirtit tuaj; dhe bijtë tuaj dhe bijat tuaja që keni lënë do të rrëzohen nga shpata.
- 22 Dhe ju do të bëni ashtu si bëra unë: nuk do ta mbuloni mjekrën dhe nuk do të hani bukën e njerëzve që mbajnë zi.
- 23 Do të keni mbi kokë çallmat tuaja, sandalet tuaja te këmbët; nuk do të trishtoheni dhe nuk do të qani, por do ta hani veten për paudhësitë tuaja dhe do të vajtoni njeri me tjetrin.
- 24 Kështu Ezekieli do të jetë për ju një shenjë; ju do të veproni për çdo gjë ashtu si veproi ai. Kur do të ndodhin këto gjëra, do të pranoni se unë jam Zoti, Zoti.
- 25 Dhe ti, bir njeriu, ditën që atyre do t'u marr fortesën e tyre, gëzimin e lavdisë së tyre, kënaqësinë e syve të tyre, lakminë e shpirtit të tyre, bijtë e tyre dhe bijat e tyre,
- 26 atë ditë një ikanak do të vijë te ti që të të sjellë lajmin.
- 27 Atë ditë ti do të hapësh gojën me ikanakun; atëherë ti do të flasësh dhe nuk do të jesh më memec, dhe do të jesh një shenjë për ta. Atëherë do të pranojnë se unë jam Zoti".
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗