에스겔 19장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 에스겔 (Ezekiel) · 14절
- 1 Ti larto një vajtim mbi princat e Izraelit dhe thuaj:
- 2 "Ç'ishte nëna jote? Një luaneshë: rrinte shtrirë midis luanëve, rriste të vegjëlit e saj në mes të luanëve të vegjël.
- 3 Rriti një nga të vegjëlit e saj që u bë një luan i vogël; mësoi të shqyejë prenë dhe përlau njerëz.
- 4 Edhe kombet dëgjuan të flitet për të; ai u kap në gropën e tyre dhe e çuan të lidhur në vendin e Egjiptit.
- 5 Kur ajo pa që pritja po zgjatej dhe shpresa e saj ishte e humbur, mori një tjetër nga të vegjëlit e saj dhe e rriti sa u bë një luan i vogël.
- 6 Ai shkonte dhe vinte midis luanëve; u bë një luan i vogël, mësoi të shqyejë prenë dhe përlau njerëz.
- 7 Mësoi vendet e tyre të shkretuara dhe shkatërroi qytetet e tyre; vendi e gjithçka që kishte u shkretua nga zhurma e vrumbullimit të tij.
- 8 Por kundër tij erdhën kombet e të gjitha krahinave fqinje, vendosën kundër tij rrjetën e tyre dhe ai u kap në gropën e tyre.
- 9 E vunë të lidhur në një kafaz dhe e çuan te mbreti i Babilonisë; e çuan në një fortesë, me qëllim që zëri i tij të mos dëgjohej më mbi malet e Izraelit.
- 10 Nëna jote ishte si një hardhi e mbjellë pranë ujrave; ishte e harlisur dhe kishte shumë degë nga uji i bollshëm.
- 11 Kishte degë të forta të përshtatshme për skeptra mbretërorë, ishte ngjitur lart midis degëve gjetheshumë dhe shquhej në shtatin e saj për degët e shumta të saj.
- 12 Por u çrrënjos me tërbim dhe u hodh për tokë; era e lindjes ia thau frytin; degët e saj të forta u shkëputën dhe u thanë, zjarri i përpiu.
- 13 Tani është mbjellë në shkretëtirë në një tokë të thatë dhe të etur për ujë;
- 14 Një zjarr ka dalë nga një shermend i degëve të saj dhe ka përpirë frytin e saj; në të nuk ka më asnjë degë të fortë të përshtatshme për skeptra mbretërorë". Ky është një vajtim dhe do të jetë një vajtim.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗