에스겔 17장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 에스겔 (Ezekiel) · 24절
- 1 Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:
- 2 "Bir njeriu, propozo një enigmë dhe i trego një shëmbëlltyrë shtëpisë së Izraelit, dhe thuaji:
- 3 Kështu thotë Zoti, Zoti: Një shqiponjë e madhe me fletë të mëdha dhe me pendë të gjata, e mbuluar me pupla të ngjyrave të ndryshme, shkoi në Liban dhe këputi majën e një kedri;
- 4 këputi degëzën e tij më të lartë, e çoi në një vend tregëtie dhe e vendosi në një qytet tregtarësh.
- 5 Pastaj mori pak farë të vendit dhe e mbolli në një arë pjellore; e vendosi këtë pranë ujrave të bollshme dhe e mbolli si një shelg.
- 6 Ajo u rrit dhe u bë një hardhi e madhe, por e ulët, degët e së cilës ishin kthyer nga shqiponja, kurse rrënjët ishin poshtë saj. Kështu u bë një hardhi që lëshoi degë dhe gjethe.
- 7 Por na ishte një shqiponjë tjetër e madhe, me ali të mëdha dhe me shumë pendë; dhe ja, kjo hardhi i ktheu rrënjët e saj drejt asaj dhe i shtriu degët e saj drejt asaj me qëllim që të vaditij nga brazda ku ishte mbjellë.
- 8 Ajo ishte mbjellë në një tokë të mirë, pranë ujrave të bollshme, me qëllim që të lëshonte degë, të jepte fryte dhe të bëhej një hardhi e mrekullueshme.
- 9 Thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: A do të mund të shkojë mbarë? A nuk do t'i shrrënjosë shqiponja rrënjët e saj dhe nuk do t'i presë frytet e saj që ta lërë të thahet? Kështu tërë gjethet që ka do të thahen. Nuk do të duhet shumë forcë as shumë njerëz për ta shkulur me rrënjë.
- 10 Ja, ajo është e mbjellë. A mund të shkojë mbarë? Mos vallë do të thahet krejt kur do të preket nga era e lindjes? Do të thahet në brazdën ku ishte rritur!".
- 11 Fjala e Zotit m'u drejtua përsëri, duke thënë:
- 12 "I thuaj, pra, kësaj shtëpie rebele: Nuk e merrni vesh çfarë kuptimi kanë këto gjëra? U thuaj atyre: Ja mbreti i Babilonisë erdhi në Jeruzalem, zuri mbretin dhe krerët dhe i çoi me vete në Babiloni.
- 13 Pastaj mori një prej gjaku mbretëror, lidhi një besëlidhje me të dhe e vuri të betohet. Ai mori me vete edhe burrat e fuqishëm të vendit,
- 14 me qëllim që mbretëria të binte dhe jo të ngrihej, por, duke respektuar besëlidhjen e tij, të mund të ishte i qëndrueshëm.
- 15 Por ky u rebelua kundër tij duke dërguar ambasadorët e tij në Egjipt, me qëllim që t'i jepnin kuaj dhe shumë njerëz. A mund t'i shkojë mbarë, a mund të shpëtojë ai që ka bërë gjëra të tilla? A mund të shkelë besëlidhjen dhe megjithatë të shpëtojë?
- 16 Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, Zoti, "ai do të vdesë në vendin ku rri mbreti që e ka bërë mbret dhe betimin e të cilit ai ka përçmuar duke shkelur edhe besëlidhjen, afër tij, në mes të Babilonisë.
- 17 Faraoni nuk do t'i japë ndihmë me ushtrinë e tij të fuqishme dhe me aq njerëz në luftë, kur do të ngrenë ledhe dhe do të ndërtojnë kulla për të shfarosur shumë jetë njerëzore.
- 18 Ai ka përçmuar betimin duke shkelur besëlidhjen; megjithatë, ja, mbasi dha dorën, ka bërë tërë këto gjëra. Ai nuk do të shpëtojë".
- 19 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj, betimin tim që ai ka përçmuar dhe besëlidhjen time që ai ka shkelur, do të bëj që të bien mbi kokën e tij.
- 20 Do të shtrij mbi të rrjetën time dhe do të kapet në lakun tim. Do ta çoj në Babiloni dhe aty do të ekzekutoj mbi të vendimin për tradhëtinë e kryer kundër meje.
- 21 Tërë ikanakët bashkë me formacionet e tij do të bien nga shpata, ndërsa ata që do të shpëtojnë do të shpërndahen në drejtim të të gjitha erërave. Kështu do të pranoni që unë, Zoti, kam folur".
- 22 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Do të marr një degëz nga maja e kedrit më të lartë dhe do ta mbjell; nga maja e degëve të tij të reja do të këpus një degëz të njomë dhe do ta mbjell mbi një mal të lartë dhe të ngritur.
- 23 Do ta mbjell mbi malin e lartë të Izraelit; do të lëshoj degë, do të bëj fryte dhe do të bëhet një kedër i mrekullueshëm. Nën të do të banojnë zogj të çdo lloji; ata do të banojnë nën hijen e degëve të tij.
- 24 Kështu tërë drurët e fushës do të mësojnë se unë, Zoti, kam ulur drurin e lartë dhe kam ngritur drurin e ulët, kam bërë të thahet druri i gjelbër dhe të mbijë druri i thatë. Unë Zoti, kam folur dhe do ta bëj".
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗