신명기 19장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 신명기 (Deuteronomy) · 21절
- 1 "Kur Zoti, Perëndia yt, të ketë shfarosur kombet e vendeve që të jep dhe ti t'i kesh dëbuar dhe të banosh në qytetet dhe shtëpitë e tyre,
- 2 do të veçosh tri qytete, në mes të vendit, që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi.
- 3 Do të përgatisësh rrugë dhe do ta ndash në tri pjesë vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi, me qëllim që çdo vrasës të mund të strehohet në të.
- 4 Dhe ky është rregulli për vrasësin që strehohet aty, që të shpëtojë jetën e tij: kushdo që ka vrarë të afërmin e tij pa dashje, pa e urryer më parë.
- 5 Kështu, kur dikush shkon me shokun e tij në pyll për të prerë dru dhe, ndërsa i bie një druri me sëpatë, sëpata del nga bishti dhe godet shokun që pastaj vdes, ai person do të strehohet në një nga këto qytete dhe do ta shpëtojë jetën;
- 6 sepse hakmarrësi i gjakut, ndërsa zemërimi i vlon në zemër, të mos e ndjekë vrasësin dhe ta arrijë, kur rruga është shumë e gjatë, dhe ta vrasë edhe pse nuk e meriton vdekjen, sepse në të kaluarën nuk e kishte urryer shokun e tij.
- 7 Prandaj të urdhëroj në këtë mënyrë: "Veço tri qytete".
- 8 Në rast se më pas Zoti, Perëndia yt, zgjeron kufijtë e tu, ashtu si u është betuar etërve të tu dhe ta jep tërë vendin që u kishte premtuar t'ua jepte etërve të tu,
- 9 në rast se ti respekton këto urdhra që unë të jap sot, duke e dashur Zotin, Perëndinë tënd, dhe duke ecur gjithnjë në rrugët e tij, atëherë do t'u shtosh tri qytete të tjera tri të parave,
- 10 me qëllim që të mos derdhet gjak i pafajshëm në mes të vendit që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi dhe ti të mos bëhesh fajtor për vrasje.
- 11 Por në rast se një njeri urren të afërmin e tij, i zë pritë, e sulmon dhe e plagos për vdekje, dhe pastaj strehohet në një nga këto qytete,
- 12 pleqtë e qytetit të tij do të dërgojnë ta marrin që andej dhe do t'ia dorëzojnë hakmarrësit të gjakut që të vritet.
- 13 Syri yt nuk do të ketë mëshirë për të, por do t'i heqësh Izraelit fajin që ka derdhur gjak të pafajshëm, dhe kështu do të kesh mbarësi.
- 14 Nuk do të lëvizësh kufijtë e të afërmit tënd, të vendosura nga pasardhësit në trashëgiminë që do të gëzosh në vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep në zotërim.
- 15 Një dëshmitar i vetëm nuk mjafton për të akuzuar dikë për çfarëdo krimi apo mëkati të kryer; fakti do të përcaktohet me deponimin e dy ose tre dëshmitarëve.
- 16 Në rast se kundër dikujt ngrihet një dëshmitar i rremë dhe e akuzon për një krim,
- 17 atëherë dy njerëzit midis të cilëve zhvillohet mosmarrëveshja do të paraqiten përpara Zotit, përpara priftërinjve dhe gjykatësve në funksion ato ditë.
- 18 Gjykatësi do ta hetojë me kujdes çështjen; dhe në rast se del që ai dëshmitar është një dëshmitar i rremë, që ka deponuar gënjeshtra kundër vëllait,
- 19 atëherë do t'i bëni atij atë që kishte ndër mënd t'i bënte vëllait të tij. Kështu do ta shkulni të keqen nga mesi juaj.
- 20 Të tjerët do ta mësojnë dhe do të trëmben, dhe qysh atëherë nuk do të kryhet më në mes tuaj një veprim aq i keq.
- 21 Syri yt nuk do të ketë mëshirë, por do t'i përmbahet rregullit jetë për jetë, sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë".
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗