신명기 11장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 신명기 (Deuteronomy) · 32절
- 1 "Duaje, pra, Zotin, Perëndinë tënd, dhe respekto gjithnjë rregullat e tij, statutet e tij, dekretet e tij dhe urdhërimet e tij.
- 2 Pranoni sot (sepse nuk u flas bijve tuaj që nuk e kanë njohur as e kanë parë disiplinën e Zotit, Perëndisë tuaj), madhështinë e tij, dorën e tij të fuqishme dhe krahun e shtrirë,
- 3 shenjat e tij dhe veprat e tij që ka bërë në Egjipt kundër Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe kundër vendit të tij,
- 4 atë që u bëri ushtrisë së Egjiptit, kuajve të saj dhe qerreve të saj, duke derdhur mbi të ujërat e Detit të Kuq ndërsa ata po ju ndiqnin, dhe si i shkatërroi Zoti për gjithnjë;
- 5 atë që bëri për ju në shkretëtirë, deri sa të arrinit në këtë vend;
- 6 dhe atë që u bëri Dathanit dhe Abiramit, bijve të Eliabit, birit të Rubenit; si e hapi gojën toka dhe i gëlltiti me gjithë familjet e tyre, me çadrat e tyre dhe me çdo gjë të gjallë që i pasonte, në mes të gjithë Izraelit.
- 7 Por sytë tuaja panë gjërat e mëdha që Zoti ka kryer.
- 8 Respektoni, pra, tërë urdhërimet që unë po ju jap sot, që të jeni të fortë dhe të mundni të pushtoni vendin që po bëheni gati të zotëroni,
- 9 dhe me qëllim t'i zgjatni ditët tuaja në vendin që Zoti u betua t'u japë etërve tuaj dhe pasardhësve të tyre, një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.
- 10 Mbasi vendi në të cilin jeni duke hyrë për ta pushtuar nuk është si vendi i Egjiptit prej të cilit keni dalë, ku mbillnit farën tuaj dhe pastaj e vaditnit me këmbën tuaj si një kopsht perimesh;
- 11 por vendi ku jeni duke hyrë për ta pushtuar është një vend me male dhe lugina, që thith ujin e shiut që vjen nga qielli;
- 12 një vend për të cilin Zoti, Perëndia yt, ka kujdes dhe mbi të cilin i janë drejtuar vazhdimisht sytë e Zotit, Perëndisë tënd, fillimi i vitit deri në mbarim të tij.
- 13 Por në rast se do t'i bindeni me kujdes urdhërimeve të mia që ju jap sot, duke dashur Zotin, Perëndinë tuaj, dhe duke i shërbyer me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt,
- 14 do të ndodhë që unë do t'i jap vendit tuaj shiun në kohën e duhur, shiun e parë dhe shiun e fundit, që ti të mbledhësh grurin, verën dhe vajin tënd;
- 15 dhe do të bëj që të rritet edhe bari në fushat e tua për bagëtinë tënde, dhe ti do të hash dhe do të ngopesh.
- 16 Kini kujdes që zemra juaj të mos mashtrohet dhe të mos largoheni nga rruga e drejtë, duke shërbyer dhe u përulur para perëndive të tjera;
- 17 sepse në këtë rast do të ndizet zemërimi i Zotit dhe ai do të mbyllë qiejtë dhe nuk do të ketë më shi, toka nuk do të japë prodhimet e saj dhe ju do të vdisni shpejt në vendin e mirë që Zoti po ju jep.
- 18 Do t'i shtini këto fjalë në zemrën dhe në mëndjen tuaj, do t'i lidhni si një shenjë në dorë dhe do të jenë si ballore midis syve;
- 19 do t'ua mësosh bijve tuaj, duke u folur për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecnën rrugës, kur rri shtrirë dhe kur çohesh;
- 20 do t'i shkruash në shtalkat e shtëpi tënde dhe mbi portat e tua,
- 21 me qëllim që ditët tuaja dhe ditët e bijve tuaj, në vendin që Zoti është betuar t'u japë etërve tuaj, të jenë të shumta si ditët e qiellit mbi tokë.
- 22 Sepse, duke respektuar me kujdes të gjitha urdhërimet që unë ju urdhëroj të zbatoni në praktikë, duke dashur Zotin, Perëndinë tuaj, duke ecur në të gjitha udhët e tij dhe duke qenë të lidhur ngushtë me të,
- 23 Zoti do të dëbojë para jush të gjitha kombet dhe ju do të shtini në dorë kombe më të mëdha dhe më të fuqishme se ju.
- 24 Çdo vend që do të shkelë këmba juaj, do të jetë juaji; kufijtë tuaj do të shtrihen nga shkretëtira deri në Liban, dhe nga lumi, lumi Eufrat, deri në detin perëndimor.
- 25 Askush nuk do të jetë në gjendje t'ju bëj ballë; Zoti, Perëndia juaj, ashtu siç ju tha, do të përhapë frikën dhe tmerrin për ju në të gjithë vendin që ju do të shkelni.
- 26 Shikoni, unë vë sot para jush bekimin dhe mallkimin;
- 27 bekimin në rast se u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, që sot ju përcaktoj;
- 28 mallkimin, në rast se nuk u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, dhe largoheni nga rruga që ju përcaktoj sot, për të ndjekur perëndi të tjerë që nuk i keni njohur kurrë.
- 29 Dhe kur Zoti, Perëndia juaj do të ketë futur në vendin që ti shkon të pushtosh, ti do ta vësh bekimin në malin Gerizim dhe mallkimin në malin Ebal.
- 30 A nuk janë ata matanë Jordanit, në perëndim të rrugës ku dielli perëndon; në vendin e Kananejve që banojnë në Arabah, përballë Gilgalit, pranë lisit të Morehut?
- 31 Sepse ju po gatiteni të kaloni Jordanin për të hyrë dhe për të pushtuar vendin që Zoti, Perëndia juaj, po ju jep; ju do ta zotëroni dhe do të banoni në të.
- 32 Kini kujdes, pra, të zbatoni të gjitha statutet dhe dekretet, që unë shtroj sot para jush".
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗