사사기 10장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 사사기 (Judges) · 18절
- 1 Pas Abimelekut doli për të shpëtuar Izraelin, Tola, bir i Puahut, biri i Dodit, njeri i Isakarit. Ai banonte në Shamir, në krahinën malore të Efraimit;
- 2 qe gjyqtar i Izraelit për njëzet e tre vjet me radhë; pastaj vdiq dhe e varrosën në Shamir.
- 3 Mbas tij doli Jairi, Galaaditi, që qe gjyqtar i Izraelit njëzet e dy vjet me radhë.
- 4 Ai kishte tridhjetë bij që u hipnin tridhjetë gomaricave dhe kishin tridhjetë qytete, që quhen edhe sot fshatrat e Jairit dhe ndodhen në vendin e Galaadit.
- 5 Pastaj Jairi vdiq dhe u varros në Kamon.
- 6 Pastaj bijtë e Izraelit filluan përsëri të bëjnë atë që është e keqe për sytë e Zotit dhe u shërbyen Baalit dhe Ashtarothit, perëndive të Sirisë, perëndive të Sidonit, perëndive të Moabit, perëndive
- 7 Kështu zemërimi i Zotit kundër Izraelit u ndez dhe ai i dorëzoi në duart e Filistejve dhe në duart e bijve të Amonit.
- 8 Atë vit ata u ranë më qafë dhe shtypën bijtë e Izraelit; gjatë tetëmbëdhjetë vjetve me radhë ata shtypën tërë bijtë e Izraelit që ndodheshin matanë Jordanit, në vendin e Amorejve, në Galaad.
- 9 Pastaj bijtë e Amonit kaluan Jordanin për të luftuar edhe kundër Judës, kundër Beniaminit dhe kundër shtëpisë së Efraimit; dhe Izraeli u ndodh në një situatë shumë fatkeqe.
- 10 Atëherë bijtë e Izraelit i klithën Zotit, duke i thënë: "Kemi mëkatuar ndaj teje, sepse kemi braktisur Perëndinë tonë dhe i kemi shërbyer Baalit".
- 11 Zoti u tha bijve të Izraelit: "A nuk ju çlirova unë nga Egjiptasit, nga Amorejtë, nga bijtë e Amonit dhe nga Filistejtë?
- 12 Kur ata të Sidonit, Amalekitët dhe Maonitët ju shtypnin dhe ju bëtë thirrje, a nuk ju çlirova nga duart e tyre?
- 13 Megjithatë ju më braktisët dhe u vutë në shërbim të perëndive të tjera; prandaj unë nuk do t'ju çliroj më.
- 14 Shkoni, pra, t'u thërrisni perëndive që keni zgjedhur; le t'ju shpëtojnë ato në kohën e fatkeqësive tuaja!".
- 15 Bijtë e Izraelit i thanë Zotit: "Kemi mëkatuar; bëna çfarë të duash, por na çliro sot, të lutemi shumë".
- 16 Atëherë hoqën nga mjedisi i tyre perënditë e huaja dhe i shërbyen Zotit që u trishtua për vuajtjet e Izraelit.
- 17 Pastaj bijtë e Amonit u mblodhën dhe ngritën kampin e tyre në Galaad dhe bijtë e Izraelit u mblodhën dhe ngritën kampin e tyre në Mitspah.
- 18 Populli, domethënë princat e Galaadit i thanë njeri tjetrit: "Kush do të jetë njeriu që do të fillojë të luftojë kundër bijve të Amonit? Ai do të jetë kreu i të gjithë banorëve të Galaadit".
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗