사무엘하 22장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 사무엘하 (2 Samuel) · 51절
- 1 Davidi i drejtoi Zotit fjalët e këtij kantiku ditën që Zoti e çliroi nga duart e të gjithë armiqve të tij dhe nga dora e Saulit. Ai tha:
- 2 "Zoti është fortesa ime, kalaja ime dhe çlirimtari im,
- 3 Perëndia im, shkëmbi në të cilin strehohem, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, strehimi im i lartë, streha ime. O shpëtimtari im, ti më shpëton nga dhuna!
- 4 Unë i kërkoj ndihmë Zotit që meriton të lavdërohet, dhe kështu më shpëtoi nga duart e armiqve të mi.
- 5 Valët e vdekjes më kishin rrethuar dhe përrenjtë e shkatërrimit më kishin tmerruar.
- 6 Dhimbjet e Sheolit më kishin zënë dhe lakun e vdekjes e kisha para syve.
- 7 Në ankthin tim i kërkova ndihmë Zotit dhe i klitha Perëndisë tim. Ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli ku ndodhej dhe klithma ime arriti në veshët e tij.
- 8 Atëherë toka u trondit dhe u drodh, themelet e qiejve u lëkundën dhe u shkundën, sepse ai ishte tërë zemërim.
- 9 Një tym ngjitej nga fejzat e hundës së tij dhe një zjarr përvëlues i dilte nga goja; prej tij dilnin thëngjij.
- 10 Ai i uli qiejtë dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij.
- 11 Ai rrinte kaluar mbi një kerubin, fluturonte dhe dukej mbi flatrat e erës.
- 12 Si shatorre rreth vetes kishte vënë terrin, errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit.
- 13 Nga shkëlqimi që i priste dilnin thëngjij.
- 14 Zoti gjëmoi në qiejt dhe Më i Larti bëri të dëgjohet zëri i tij.
- 15 Hodhi shigjeta dhe shpërndau armiqtë, hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau.
- 16 Atëherë doli shtrati i detit dhe themelet e botës u zbuluan, me qortimin e Zotit, me erën që shfrynë, fejzat e hundës së tij.
- 17 Ai nga lart shtriu dorën dhe më kapi, më nxori nga ujërat e mëdha.
- 18 Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë
- 19 Ata ishin ngritur kundër meje ditën e mjerimit tim, por Zoti qe përkrahësi im,
- 20 ai më çoi larg tyre; ai më shpëtoi sepse i pëlqej.
- 21 Zoti më ka shpërblyer simbas së drejtës sime dhe më ka dhënë simbas pastërtisë së duarve të mia,
- 22 sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im.
- 23 Sepse kam mbajtur para vetes të gjitha ligjet e tij dhe nuk jam larguar nga statutet e tij.
- 24 Kam qenë i ndershëm me të dhe i jam ruajtur paudhësisë.
- 25 Prandaj Zoti më ka dhënë simbas së drejtës sime, simbas pastërtisë sime përpara syve të tij.
- 26 Ti tregohesh i mëshirshëm me njeriun e përshpirtshëm dhe i drejtë me njeriun e drejtë;
- 27 ti tregohesh i pastër me njeriun e pastër dhe dinak me njeriun e çoroditur.
- 28 Ti shpëton njerëzit e hidhëruar, por shikimi yt ndalet mbi kryelartët për t'i ulur.
- 29 Po, ti je drita ime, o Zot; Zoti ndriçon terrin tim.
- 30 Me ty mund të sulmoj një grup, me Perëndinë tim mund të kapërcej një mur.
- 31 Rruga e Zotit është e përsosur; fjala e Zotit është purifikuar me zjarrin. Ai është mburoja e të gjithë atyre që kanë shpresë tek ai.
- 32 Në fakt kush është Perëndi përveç Zotit? Dhe kush është Kalaja përveç Perëndisë tonë?
- 33 Zoti është kalaja ime e fuqishme, ai e bën të përsosur rrugën time.
- 34 Ai i bën këmbët e mia si ato të drerit dhe më bën të mbahem mirë në vendet e mia të larta.
- 35 Ai i mëson duart e mia për betejë dhe krahët e mia mund të tendosin një hark prej bronzi.
- 36 Ti më ke dhënë edhe mburojën e shpëtimit tënd dhe mirësia jote më ka bërë të madh.
- 37 Ti i ke zgjedhur hapat e mia dhe këmbët e mia nuk kanë ngurruar në këtë rast.
- 38 Unë i kam ndjekur armiqtë e mi dhe i kam shkatërruar, nuk jam kthyer prapa para se t'i shfarosja.
- 39 I kam shkatërruar dhe shtypur, dhe ata nuk kanë mundur më të ngrihen kundër meje; ata kanë rënë nën këmbët e mia.
- 40 Ti më ke dhënë forcë në betejë, dhe bëre që të më përulen ata që ngriheshin kundër meje;
- 41 bëre që të më kthenin kurrizin armiqtë e mi përpara meje, dhe unë zhduka ata që më urrenin.
- 42 Ata shikuan, por nuk pati njeri që t'i shpëtonte; i klithën Zotit, por ai nuk iu përgjigj atyre.
- 43 Unë i thërmova si pluhuri i tokës, i copëtova dhe i shkela si balta e rrugëve.
- 44 Ti më ke çliruar nga mosmarrëveshjet e popullit tim, më ke ruajtur si udhëheqës i kombeve; një popull që nuk e njihja më ka shërbyer.
- 45 Bijtë e të huajve më nënshtrohen mua; sa më dëgjojnë, më binden.
- 46 Bijtë e të huajve kanë humbur guximin, kanë dalë duke u dridhur nga fortesat e tyre.
- 47 Rroftë Zoti! Qoftë e bekuar Fortesa ime! U lartësoftë në qiell Perëndia, Fortesa e shpëtimit tim!
- 48 Éshtë Perëndia që hakmerret për mua, që më nënshtron popujt,
- 49 dhe më liron nga armiqtë e mi. Ti më larton mbi ata që ngrihen kundër meje dhe më çliron nga njeriu i furishëm.
- 50 Prandaj, o Zot, do të të kremtoj midis kombeve dhe do të këndojë lavdinë e emrit tënd.
- 51 Lirime të mëdha i siguron mbretit të tij, sillet dashamirës me të vajosurin, me Davidin dhe me pasardhësit e tij përjetë".
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗