사무엘하 20장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 사무엘하 (2 Samuel) · 26절
- 1 Ndodhej aty një keqbërës i quajtur Sheba, bir i Bikrit, një Beniaminit, i cili i ra borisë dhe tha: "Nuk kemi asnjë pjesë me Davidin dhe asnjë trashëgimi me birin e Isait! O Izraelitë, secili të shkojë në çadrën e vet".
- 2 Kështu tërë njerëzit e Izraelit e braktisën Davidin për të ndjekur Shebin, birin e Bikrit. Por njerëzit e Judës mbetën të bashkuar me mbretin e tyre dhe e shoqëruan nga Jordani deri në Jeruzalem.
- 3 Kur mbreti David hyri në shtëpinë e tij në Jeruzalem, i mori të dhjetë konkubinat që kishte lënë për të ruajtur shtëpinë dhe i vendosi në një banesë të mbikqyrur; ai i mbante ato, por nuk hynte te ato; kështu ato mbetën të mbyllura deri ditën e vdekjes së tyre, në një gjendje vejërie.
- 4 Pastaj mbreti i tha Amasas: "Më mblidh njerëzit e Judës brenda tri ditëve dhe ti vetë të jesh këtu".
- 5 Amasa u nis, pra, për të mbledhur njerëzit e Judës, por vonoi tej afatit të caktuar.
- 6 Atëherë Davidi i tha Abishait: "Sheba, biri i Bikrit, do të na bëjë më keq se Absalomi; merr shërbëtorët e zotërisë tënd dhe ndiqe që të mos shtjerë në dorë qytete të fortifikuara dhe të na shpëtojë".
- 7 Nën komandën e tij shkuan njerëzit e Joabit: Kerethejtë, Pelethejtë dhe tërë njerëzit më trima; dolën nga Jeruzalemi për të ndjekur Sheban, birin e Bikrit.
- 8 Kur ata arritën pranë gurit të madh që është në Gabaon, Amasa u doli përpara. Joabi kishte veshur një uniformë ushtarake, mbi të cilën kishte brezin me një shpatë në këllëfin e ngritur me ijet; ndërsa po ecte përpara, shpata i ra.
- 9 Joabi i tha Amasas: "A je mirë, vëllai im?". Pastaj Joabi me dorën e djathtë e kapi Amasan nga mjekra për ta puthur.
- 10 Amasa nuk vuri re shpatën që Joabi kishte në dorën tjetër; me të ai e goditi në bark dhe përbrëndësat e barkut u përhapën për tokë pa e goditur për së dyti, dhe ai vdiq. Pastaj Joabi dhe i vëllai Abishai filluan të ndiqnin Sheban, birin e Bikrit.
- 11 Ndërkaq njeri prej të rinjve të Joabit kishte mbetur pranë Amasas dhe thoshte: "Kush e do Joabin dhe kush është për Davidin le të shkojnë pas Joabit!".
- 12 Por Amasa po përpëlitej në gjak, në mes të rrugës. Kur ai njeri vuri re që tërë populli po ndalej, e tërhoqi zvarrë Amasan jashtë rrugës në një fushë dhe i hodhi sipër një mantel, sepse të gjithë ata që i afroheshin ndaleshin.
- 13 Kur u hoq nga rruga, të gjithë vazhduan pas Joabit për të ndjekur Sheban, birin e Bikrit.
- 14 Joabi kaloi në të gjitha fiset e Izraelit deri në Abel dhe në Beth-Maakah. Të gjithë Berejtë u mblodhën dhe i shkuan pas.
- 15 Shkuan pastaj të rrethojnë Sheban në Abel të Beth-Maakahut dhe ndërtuan kundër qytetit një ledh prej dheu që ngrihej pranë mureve; tërë njerëzit që ishin me Joabin përpiqeshin të dëmtonin muret për t'i rrëzuar.
- 16 Atëherë një grua e urtë thirri nga qyteti: "Dëgjoni, dëgjoni! Ju lutem, i thoni Joabit të afrohet, sepse dua t'i flas!".
- 17 Kur iu afrua, gruaja e pyeti: "A je ti Joabi?". Ai u përgjigj: "Jam unë". Atëherë ajo i tha: "Dëgjo fjalët e shërbëtores sate". Ai u përgjigj: "Po dëgjoj".
- 18 Ajo vazhdoi: "Dikur e kishin zakon të thonin: "Do t'i kërkojmë këshillë Abelit", sepse kështu problemi ishte i zgjidhur.
- 19 Jemi në një nga qytetet më paqësore e më besnike të Izraelit; dhe ti kërkon të shkatërrosh një qytet që është një nënë në Izrael. Pse kërkon të shkatërrosh trashëgiminë e Zotit?".
- 20 Joabi u përgjigj: "Qoftë larg, larg meje mendimi i shkatërrimit dhe i shkretimit.
- 21 Punët nuk qëndrojnë kështu; një njeri nga krahina malore e Efraimit i quajtur Sheba, bir i Bikrit, ka ngritur dorën kundër mbretit, kundër Davidit. Më dorëzoni vetëm atë dhe unë do të largohem nga qyteti". Gruaja i tha Joabit: "Ja, koka e tij do të hidhet nga muri".
- 22 Atëherë gruaja; me urtësinë e saj, iu drejtua tërë popullit; kështu ia prenë kokën Shebas, birit të Bikrit, dhe ia hodhën Joabit. Ky urdhëroi t'i bien borisë dhe të gjithë u larguan nga qyteti dhe secili shkoi në çadrën e vet. Pastaj Joabi u kthye në Jeruzalem pranë mbretit.
- 23 Joabi ishte në krye të gjithë ushtrisë së Izraelit; Benajahu, bir i Jehojadit, ndodhej në krye të Kerethejve dhe të Pelethejve.
- 24 Adorami merrej me haraçet; Jozafati, bir i Ahiludit, ushtronte funksionin e kançelierit;
- 25 Sheva ishte sekretar; Tsadoku dhe Abiathari ishin priftërinj;
- 26 dhe Ira i Jairit ishte kryeministri i Davidit.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗