사무엘상 6장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 사무엘상 (1 Samuel) · 21절
- 1 Arka e Zotit mbeti shtatë muaj në vendin e Filistejve.
- 2 Pastaj Filistejtë mblodhën priftërinjtë dhe shortarët dhe thanë: "Ç'duhet të bëjmë me arkën e Zotit? Na trego mënyrën që duhet të përdorim për ta kthyer përsëri në vendin e saj".
- 3 Atëherë ata u përgjegjën: "Në qoftë se e ktheni arkën e Perëndisë së Izraelit, mos e ktheni bosh, por dërgoni me të të paktën një ofertë zhdëmtimi; atëherë do të shëroheni dhe do të mësoni pse dora e tij nuk ju ndahej".
- 4 Ata pyetën: "Çfarë oferte zhdëmtimi do t'i dërgojmë neve?". Ata u përgjegjën: "Pesë hemorroide ari dhe pesë minj ari simbas numrit të princave të Filistejve, sepse e njëjta plagë ka goditur ju dhe princat tuaj.
- 5 Bëni, pra, disa figura të hemorroideve dhe të minjve tuaj që shkatërrojnë vendin, dhe i thurrni lavdi Perëndisë së Izraelit; ndofta ai do ta zbusë dorën e tij mbi ju, mbi perënditë tuaj dhe mbi vendin tuaj.
- 6 Pse, vallë, e ngurtësoni zemrën tuaj ashtu si Egjiptasit dhe Faraoni ngurtësuan zemrën e tyre? Kur kreu gjëra të fuqishme midis tyre, nuk i lanë të shkojnë, dhe kështu ata mundën të shkojnë?
- 7 Bëni, pra, një qerre të re, pastaj merrni dy lopë qumështore mbi të cilat nuk është vënë kurrë zgjedha dhe i mbrihni lopët në qerre, por i çoni viçat e tyre në stallë larg tyre.
- 8 Pastaj merrni arkën e Zotit dhe vendoseni mbi qerre; dhe punimet prej ari që i çoni Zotit si ofertë zhdëmtimi i vini në një shportë pranë saj.
- 9 Dhe rrini e shikoni, në rast se ngjitet nëpër rrugën që të çon në territorin e tij, në Beth-Shemesh, është Zoti që na ka bërë këtë të keqe të madhe; ndryshe do të të mësojmë që nuk ka qenë dora e tij që na ka goditur, por kjo ka ndodhur rastësisht".
- 10 Ata, pra, vepruan kështu: morën dy lopë qumështore, i mbrehën në qerre dhe mbyllën viçat në stallë.
- 11 Pastaj vendosën mbi qerre arkën e Zotit dhe shportën me minjtë prej ari dhe figurat e hemorroideve.
- 12 Atëherë lopët u nisën pikërisht në drejtim të Beth-Shemeshit, duke ndjekur gjithnjë atë rrugë dhe duke pëllitur ndërsa po ecnin, pa u kthyer as djathtas, as majtas. Princat e Filistejve i ndoqën deri në kufirin e Beth-Shemeshit.
- 13 Banorët e Beth-Shemeshit ishin duke korrur grurin në luginë; duke ngritur sytë, panë arkën dhe u gëzuan qe e panë.
- 14 Qerrja, pasi arriti në kampin e Jozueut në Beth-Shemesh, u ndal aty. Aty kishte një gur të madh; kështu ata çanë lëndën e drurit të qerres dhe i ofruan lopët si olokauste të Zotit.
- 15 Levitët hoqën arkën e Zotit dhe shportën që i rrinte pranë dhe në të cilën gjendeshin sendet prej ari, dhe i vendosëm mbi një gur të madh. Po atë ditë njerëzit e Beth-Shemeshit ofruan dhe i bënë flijime Zotit.
- 16 Mbasi pesë princat e Filistejve panë këtë gjë, po atë ditë u kthyen në Ekron.
- 17 Këto janë hemorroidet prej ari që Filistejtë i dërguan Zotit si ofertë zhdëmtimi; një për Ashdodin, një për Gazën, një për Askalonin, një për Gathin, një për Ekronin;
- 18 dhe minjtë prej ari simbas numrit të të gjitha qyteteve të Filistejve që u përkisnin pesë princëve, nga qytetet e fortifikuara deri në fshatrat e fushës, deri në gurin e madh e mbi të cilin u vendos arka e Zotit dhe që qëndron deri në ditën e sotme në fushën e Jozueut, Bethshemitit.
- 19 Zoti goditi disa njerëz të Beth-Shemeshit, sepse kishin shikuar brenda arkës së Zotit; ai goditi shtatëdhjetë njerëz të popullit. Populli mbajti zi për ta, sepse Zoti e kishte prekur me një fatkeqësi të madhe.
- 20 Njerëzit e Beth-Shemeshit thanë: "Kush mund të rezistojë përpara Zotit, këtij Perëndie të shenjtë? Nga kush do të ngjitet arka, kur të niset nga ne?".
- 21 Kështu u dërguan lajmëtarë banorëve të Kiriath-Jearimit për t'u thënë: "Filistejtë e kanë kthyer arkën e Zotit; zbrisni dhe çojeni lart te ju".
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗