사도행전 7장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 사도행전 (Acts) · 60절
- 1 Atëherë kryeprifti i tha: ''A janë këto gjëra pikërisht kështu?''.
- 2 Ai tha: ''Vëllezër dhe etër, dëgjoni. Perëndia i lavdisë iu shfaq Abrahamit, atit tonë, kur ai ishte në Mesopotami, përpara se të banonte në Haran,
- 3 dhe i tha: "Dil prej vendit tënd e prej farefisit tënd dhe shko në vendin që unë do të të tregoj".
- 4 Atëherë ai doli nga vendi i Kaldeasve dhe banoi në Haran; prej andej, mbasi i vdiq i ati, Perëndia e bëri të vijë në këtë vend, ku banoni ju tani.
- 5 Ai nuk i dha kurrfarë trashëgimie, as edhe vend për të vënë një këmbë. Por i premtoi t'ia japë për pronë atij dhe pasardhësve të tij, pas tij, kur ai ende s'kishte asnjë fëmijë.
- 6 Dhe Perëndia foli kështu: "Pasardhësit e tij do të banonin si të huaj në një vend të huaj, dhe atje do të mbaheshin në skllavëri dhe do të të keqtrajtoheshin për katërqind vjet.
- 7 Por Perëndia shtoi: "Unë do ta gjykoj atë komb të cilit ata do t'i shërbejnë; dhe pas kësaj ata do të dalin dhe do të më shërbejnë në këtë vend".
- 8 Pastaj i dha atij besëlidhjen e rrethprerjes. Dhe kështu Abrahamit i lindi Isaku dhe e rrethpreu të tetën ditë; Isakut i lindi Jakobi, dhe Jakobit dymbëdhjetë patriarkë.
- 9 Patriarkët, duke pasur smirë Jozefin, e shitën në Egjipt, por Perëndia ishte me të;
- 10 dhe e shpëtoi nga të gjitha mundimet e tij dhe i dha hir e urtësi para Faraonit, mbretit të Egjiptit, i cili e caktoi guvernator të Egjiptit dhe të mbarë shtëpisë së tij.
- 11 Por ra një zi buke dhe u bë një shtrëngesë në gjithë vendin e Egjiptit dhe të Kanaanit, dhe etërit tanë nuk gjenin ushqime.
- 12 Por Jakobi dëgjoi se në Egjipt kishte grurë, dhe dërgoi atje herën e parë etërit tanë.
- 13 Herën e dytë Jozefi u tregoi që ta njihnin vëllezërit e tij dhe Faraonit iu njoftua farefisnia e Jozefit.
- 14 Atëherë Jozefi dërgoi ta thërresin atin e vet Jakobin dhe gjithë farefisin e vet, gjithsej shtatëdhjetë e pesë veta.
- 15 Jakobi zbriti në Egjipt, ku vdiq ai dhe etërit tanë.
- 16 Ata pastaj i mbartën në Sikem dhe i varrosën në varrin që Abrahami pati blerë me argjend nga bijtë e Emorit, ati i Sikemit.
- 17 Por, ndërsa po afrohej koha e premtimit që Perëndia i ishte betuar Abrahamit, populli u shtua dhe u shumua në Egjipt,
- 18 derisa doli në Egjipt një mbret tjetër që nuk e kishte njohur Jozefin.
- 19 Ky, duke vepruar me ligësi kundër skotës sonë, i keqtrajtoi etërit tanë deri sa t'i ekspozojnë foshnjat e tyre, që të mos mbeteshin gjallë.
- 20 Në atë kohë lindi Moisiu, dhe ishte i bukur në sytë e Perëndisë; ai u ushqye për tre muaj në shtëpinë e të atit.
- 21 Dhe kur u ekspozua, e mori e bija e faraonit dhe e rriti si birin e vet.
- 22 Kështu Moisiu u arsimua me gjithë diturinë e Egjiptasve dhe ishte i pushtetshëm në fjalë e në vepra.
- 23 Po kur arriti në moshën dyzet vjeçare, i erdhi në zemër të shkojë e të vizitojë vë-llezërit e tij: bijtë e Izraelit.
- 24 Kur pa se dikujt po i bëhej një padrejtësi, e mbrojti dhe ia mori hakun të shtypurit, duke vrarë Egjiptasin.
- 25 Dhe ai mendonte se vëllezërit e tij do ta kuptonin se Perëndia do t'u jepte çlirimin me anë të tij, por ata nuk e kuptuan.
- 26 Të nesërmen ai u duk në mes tyre, ndërsa po ziheshin dhe i këshilloi për paqe, duke thënë: "O burra, ju jeni vëllezër, pse ia bëni me të padrejtë njëri-tjetrit?".
- 27 Por ai që ia bënte me të padrejtë fqinjit të vete shtyu, duke thënë: "Kush të ka vënë ty të parë dhe gjykatës mbi ne?
- 28 Don të më vrasësh mua, ashtu si vrare dje Egjiptasin?".
- 29 Për shkak të këtyre fjalëve Moisiu iku dhe banoi si i huaj në vendin e Madianit, ku i lindën dy bij.
- 30 Si kaluan dyzet vjet, engjëlli i Zotit iu shfaq në shkretëtirën e malit Sinai, në flakën e zjarrit të një ferrishteje.
- 31 Kur e pa, Moisiu mbeti i habitur nga sa shihte; dhe, kur po afrohej për të vërejtur, dëgjoi zërin e Zotit,
- 32 që thoshte: "Unë jam Perëndia e etërve të tu, Perëndia e Abrahamit, Perëndia e Isakut dhe Perëndia e Jakobit". Por Moisiu, që dridhej i tëri, nuk guxonte të shikonte.
- 33 Atëherë Perëndia i tha: "Hiqi sandalet nga këmbët e tua, sepse vendi ku ti po qëndron është tokë e shenjtë.
- 34 Unë e kam parë qartë pikëllimin e popullit tim në Egjipt dhe i dëgjova psherëtimat e tyre, dhe kam zbritur për t'i çliruar; tani, pra, eja, unë do të të dërgoj në Egjipt!".
- 35 Atë Moisiun që e kishin refuzuar, duke thënë: "Kush të vuri ty të parë dhe gjykatës?", po atë u dërgoi Perëndia si kryetar dhe çlirues me anë të engjëllit që i ishte shfaqur në ferrishte.
- 36 Ai i nxori jashtë, duke kryer shenja e mrekulli në vendin e Egjiptit, në Detin e Kuq dhe në shkretirë për dyzet vjet.
- 37 Ky është ai Moisi që u tha bijve të Izraelit: "Zoti, Perëndia juaj do të nxjerrë për ju, nga mesi i vëllezërve tuaj, një profet si mua. Dëgjojeni!".
- 38 Ky është ai që në kuvend, në shkretëtirë, ishte me engjëllin që i fliste mbi malin Sinai dhe me etërit tanë; dhe mori fjalët e jetës për të na e përçuar neve.
- 39 Etërit tanë nuk deshën t'i binden atij; madje e hodhën poshtë dhe me zemrat e tyre u kthyen nga Egjipti,
- 40 duke i thënë Aaronit: "Na bëj disa perëndi që të na prijnë, sepse nuk dimë ç'i ka ndodhur këtij Moisiu që na nxori nga vendi i Egjiptit".
- 41 Dhe në ato ditë ata bënë një viç, i ofruan flijim idhullit dhe u gëzuan me veprën e duarve të tyre.
- 42 Atëherë Perëndia u tërhoq dhe i la t'i shërbejnë ushtrisë së qiellit, ashtu siç është shkruar në librin e profetëve: "O shtëpi e Izraelit, a më keni kushtuar flijime dhe olokauste për dyzet vjet në shkretëtirë?
- 43 Apo më shumë mbartët çadrën e Molokut dhe yllin e perëndisë suaj Remfan, imaxhe që i bëtë vetë për t'i adhuruar; për këtë arsye unë do t'ju shpërngul përtej Babilonisë".
- 44 Etërit tuaj në shkretëtirë kishin tabernakullin e dëshmisë, ashtu siç kishte urdhëruar ai që i pati thënë Moisiut ta bëjë sipas modelit që kishte parë.
- 45 Dhe etërit tanë, pasi e morën, e mbartën me Jozueun në vendin që e kishin pushtuar johebrenjtë, të cilët Perëndia i dëboi para etërve tanë; dhe aty qëndroi deri në ditët e Davidit,
- 46 i cili gjeti hir përpara Perëndisë dhe kërkoi të mund të gjente një banesë për Perëndinë e Jakobit.
- 47 Por qe Salomoni ai që ia ndërtoi një shtëpi.
- 48 Por Shumë i Larti nuk banon në tempuj të ndërtuar nga dora e njeriut, sikurse thotë profeti:
- 49 ''Qielli është froni im dhe toka stoli i këmbëve të mia; çfarë shtëpie do të më ndërtonit ju, thotë Zoti, ose cili do të qe vendi i pushimit tim?
- 50 A nuk i bëri të gjitha këto gjëra dora ime?''.
- 51 O njerëz qafëfortë dhe me zemër e veshë të parrethprerë, ju gjithnjë e kundërshtoni Frymën e Shenjtë; ashtu siç bënin etërit tuaj, ashtu bëni edhe ju.
- 52 Cilin nga profetët nuk e përndoqën etërit tuaj? Ata vranë edhe ata që paralajmeronin ardhjen e të Drejtit, për të cilin tani ju jeni bërë tradhtarë dhe vrasës;
- 53 ju, që e morët ligjin të shpallur nga engjëjt dhe nuk e keni respektuar!''.
- 54 Kur i dëgjuan këto fjalë, ata thereshin në zemër të tyre dhe kërcëllonin dhëmbët kundër tij.
- 55 Por ai, mbushur me Frymë të Shenjtë, i nguli sytë nga qielli, pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusin që rrinte në këmbë në të djathtën e Perëndisë,
- 56 dhe tha: ''Ja, unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut që rri në këmbë në të djathtën e Perëndisë''.
- 57 Por ata, duke lëshuar britma të forta, i zunë veshët dhe të gjithë tok u sulën mbi të;
- 58 dhe, si e nxorën jashtë qytetit, e vranë me gurë. Dëshmitarët i vunë rrobat e tyre te këmbët e një djaloshi, të quajtur Saul.
- 59 Kështu e vranë me gurë Stefanin, që i thërriste Jezusit dhe thoshte: ''O Zoti Jezus, pranoje frymën time!''.
- 60 Atëherë ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të lartë: ''O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat!''. Dhe, si tha këtë, fjeti.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗