사도행전 4장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 사도행전 (Acts) · 37절
- 1 Ndërsa ata po i flisnin popullit, priftërinjtë, komandanti i tempullit dhe saducenjtë u turrën mbi ta,
- 2 të zemëruar sepse e mësonin popullin dhe shpallnin në Jezusin ringjalljen e të vdekurve.
- 3 Dhe i shtinë në dorë dhe i futën në burg deri të nesërmen, sepse ishte ngrysur.
- 4 Por shumë nga ata që ua kishin dëgjuar fjalën besuan; dhe numri i burrave u bë rreth pesë mijë.
- 5 Të nesërmen krerët, pleqtë dhe skribët u mblodhën në Jeruzalem,
- 6 bashkë me kryepriftin Anan dhe me Kajafën, Gjonin, Aleksandrin dhe të gjithë ata që i përkisnin farefisit të kryepriftërinjve.
- 7 Dhe, si i nxorën aty në mes, i pyetën: ''Me ç'pushtet ose në emër të kujt e keni bërë këtë?''.
- 8 Atëherë Pjetri, i mbushur me Frymën e Shenjtë, u tha atyre: ''Krerë të popullit dhe pleq të Izraelit!
- 9 Nëse ne sot gjykohemi për një mirësi që iu bë një njeriu të sëmurë, për të ditur si u shërua ai,
- 10 le ta njihni të gjithë ju dhe mbarë populli i Izraelit se kjo u bë në emër të Jezu Krishtit Nazareas, që ju e kryqëzuat dhe që Perëndia e ringjalli prej së vdekuri; me anë të tij ky njeri del para jush i shëruar plotësisht.
- 11 Ky është guri që ju, ndërtuesit, e hodhët poshtë dhe që u bë guri i qoshes.
- 12 Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi''.
- 13 Ata, kur e panë çiltërsinë e Pjetrit dhe të Gjonit dhe duke kuptuar se ishin njerëz të pamësuar dhe pa arsim, u mrrekulluan dhe i njihnin se kishin qenë me Jezusin.
- 14 Duke parë pastaj në këmbë pranë tyre, njeriun që u shërua, nuk mund të thoshnin asgjë kundër.
- 15 Dhe, mbasi i urdhëruan të dalin jashtë sinedrit, u konsultuan me njëri tjetrin,
- 16 duke thënë: ''Ç't'u bëjmë këtyre njerëzve? Sepse u është njohur të gjithë banorëve të Jeruzalemit se është bërë një mrekulli e dukshme prej tyre, dhe ne nuk mund ta mohojmë;
- 17 por, që kjo të mos përhapet më shumë në popull, t'i shtrëngojmë me kërcënime të rrepta të mos i flasin më asnjeriu në këtë emër''.
- 18 Dhe, si i thirrën, u dhanë urdhër atyre të mos flasin fare dhe as të mësojnë në emër të Jezusit.
- 19 Por Pjetri dhe Gjoni, duke iu përgjigjur atyre, thanë: ''Gjykoni ju, nëse është e drejtë para Perëndisë t'ju bindemi më shumë juve sesa Perëndisë.
- 20 Sepse ne nuk mund të mos flasim për ato që kemi parë dhe dëgjuar''.
- 21 Ata pasi i kërcënuan përsëri, i lanë të shkojnë duke mos gjetur mënyrë se si t'i ndëshkojnë për shkak të popullit, sepse të gjithë përlëvdonin Perëndinë për atë që kishte ndodhur.
- 22 Sepse njeriu në të cilin kishte ndodhur ajo mrekulli e shërimit ishte më shumë se dyzet vjeç.
- 23 Kur u liruan, ata u kthyen tek të vetët dhe u treguan gjithçka që krerët e priftërinjve dhe pleqtë u kishin thënë.
- 24 Kur i dëgjuan këto, ata unanimisht e ngritën zërin te Perëndia dhe thanë: ''O Zot, ti je Perëndia që ke bërë qiellin, tokën, detin dhe gjithçka që është në ta,
- 25 dhe që me anë të Frymës së Shenjtë ke thënë, nëpërmjet gojës së Davidit, shërbëtorit tënd: "Përse u zemëruan kombet, dhe popujt kurdisin gjëra të kota?
- 26 Mbretërit e dheut ngritën krye dhe princat u mblodhën bashkë kundër Zotit dhe kundër Krishtit të tij".
- 27 Sepse pikërisht kundër Birit tënd të shenjtë, që ti e vajose, u mblodhën Herodi dhe Ponc Pilati me johebrenjtë dhe me popullin e Izraelit,
- 28 për të bërë të gjitha ato që dora jote dhe këshilli yt kishin paracaktuar se do të ndodhnin.
- 29 Dhe tani, Zot, shqyrto kërcënimet e tyre dhe lejo që shërbëtorët e tu të kumtojnë fjalën tënde me plot çiltërsi,
- 30 duke e shtrirë dorën tënde për të shëruar dhe që të kryhen shenja dhe mrekulli në emër të Birit tënd të shenjtë Jezusit''.
- 31 Dhe, mbasi qenë lutur, vendi ku ishin mbledhur u drodh; dhe të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë, dhe e shpallnin fjalën e Perëndisë me çiltersi.
- 32 Dhe numri i madh i atyre që besuan ishte me një zemër të vetme dhe me një shpirt të vetëm; askush nuk thoshte se ç'kishte ishte e vet, por të gjitha gjërat i kishin të përbashkëta.
- 33 Dhe apostujt me fuqi të madhe jepnin dëshmi të ringjalljes së Zotit Jezus; dhe hir i madh ishte mbi të gjithë ata.
- 34 Sepse midis tyre nuk kishte asnjë nevojtar, sepse të gjithë ata që zotëronin ara ose shtëpi i shisnin dhe sillnin fitimin nga gjërat e shitura,
- 35 dhe i vinin te këmbët e apostujve; pastaj secilit i jepej, sipas nevojës së tij.
- 36 Kështu Iose, i mbiquajtur nga apostujt Barnaba (që do të thotë "biri i ngushëllimit"), Levit, me prejardhje nga Qipro,
- 37 kishte një arë, e shiti dhe solli fitimin dhe i vuri te këmbët e apostujve.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗