사도행전 27장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 사도행전 (Acts) · 44절
- 1 Kur u vendos që ne të lundrojmë për në Itali, Pali dhe disa të burgosur të tjerë iu dorëzuan një centurioni me emër Jul, i kohortës Augusta.
- 2 Hipëm në një anije të Adramitit, që duhej të kalonte nga portet e brigjeve të Azisë, dhe lundronim duke pasur me vete Aristarkun, një maqedonas nga Thesaloniki.
- 3 Të nesërmen arritëm në Sidon; dhe Juli, duke u treguar njerëzor me Palin, i dha leje të shkojë te miqtë e vet dhe që të kujdesen për të.
- 4 Pastaj, si u nisëm prej andej, lundruam të mbrojtur nga Qipro, sepse erërat ishin të kundërta.
- 5 Si e kaptuam detin e Kilikisë dhe të Panfilisë, arritëm në Mirë të Likisë.
- 6 Centurioni gjeti atje një anije të Aleksandrisë, që do të shkonte për në Itali, dhe na futi në të.
- 7 Duke lundruar ngadalë për shumë ditë, arritëm me vështirësi deri përballë Knidit, sepse nuk na linte era; pastaj filluam të lundrojmë të mbrojtur nga Kreta nga ana e Salmonit.
- 8 Dhe duke lundruar me shumë vështirësi përbri brigjeve të saj, arritëm në një vend që quhet Limanet e Bukur, pranë të cilit ishte qyteti Lasea.
- 9 Dhe, duke qenë se kishte kaluar mjaft kohë dhe lundrimi ishte bërë i rrezikshëm, sepse edhe agjërimi tashmë kishte kaluar, Pali i këshilloi ata të anijes,
- 10 duke thënë: ''O burra, unë po shoh se lundrimi do të bëhet me rrezik dhe me dëm të madh jo vetëm për ngarkesën dhe për anijen, por edhe për ne vetë.
- 11 Por centurioni kishte më shumë besim te timonieri dhe te kapiteni i anijes sesa në ato që thoshte Pali.
- 12 Dhe duke qenë se ai liman nuk ishte i përshtatshëm për të dimëruar, shumica qe e mendimit të lundronim prej andej për t'u përpjekur të arrijnim në njëfarë mënyre në Fenike, një liman i Kretës, që
- 13 Dhe kur filloi të fryjë lehtë juga, duke menduar se mund të realizohej qëllimi i tyre, i ngritën spirancat dhe filluan të lundrojnë afër brigjeve të Kretës.
- 14 Por, pak më vonë, shpërtheu mbi ishull një erë e vrullshme, që e quajnë euroklidon.
- 15 Duke qenë se anija po ikte pa qenë në gjendje t'i qëndronte erës, e lamë në mëshirë të fatit dhe kështu filluam të shkojmë sa andej-këtej.
- 16 Si kaluam me të shpejtë pranë një ishulli të vogël, që quhet Klauda, arritëm me vështirësi ta vëmë nën kontroll sandallin.
- 17 Dhe, mbasi e ngritën në bordin, detarët përdorën të gjitha mënyrat për ta ngjeshur nga poshtë anijen dhe, nga frika se mos ngecnin në cekëtinat ranore të Sirtës, i ulën velat dhe kështu shkonin andej-këtej.
- 18 Por mbasi furtuna na vuri përpara me forcë, të nesërmen filluan ta hedhim në det ngarkesën.
- 19 Ditën e tretë, hodhën me duart e tyre, pajisjet e anijes në det.
- 20 Dhe, duke qenë se prej shumë ditësh nuk dukeshin as dielli as yjet, dhe furtuna po tërbohej, humbi tashmë çdo shpresë shpëtimi.
- 21 Edhe, mbasi kishin mbetur shumë kohë pa ushqim, Pali u çua në mes të tyre dhe tha: ''O burra, po të më kishit dëgjuar dhe të mos ishit nisur nga Kreta, do t'i ishim shmangur këtij rreziku dhe kësaj humbjeje.
- 22 Dhe tani ju këshilloj të mos e humbni torruan sepse asnjë shpirt nga ne nuk do të humbasë, përveç anijes.
- 23 Sepse këtë natë m'u shfaq një engjëll i Perëndisë, të cilit unë i përkas dhe të cilit unë i shërbej,
- 24 duke thënë: "Pal, mos druaj, ti duhet të dalësh para Cezarit; dhe ja, Perëndia ty t'i ka dhënë të gjithë ata që lundrojnë me ty".
- 25 Prandaj, o burra, kini zemër të gëzuar, sepse unë besoj në Perëndinë se do të ndodhë pikërisht ashtu siç m'u tha.
- 26 Edhe duhet të ngecim në një ishull''.
- 27 Kur erdhi nata e katërmbëdhjetë që po kalonim andej e këndej në detin Adriatik, aty nga mesnata detarët patën përshtypjen se po i afroheshin një toke.
- 28 Dhe, si hodhën matësin e thellësisë, gjetën njëzet pashë thellësi; pastaj, pak më tutje e hodhën përsëri matësin e thellësisë dhe gjetën pesëmbëdhjetë pashë.
- 29 Atëherë, nga frika se mos përplaseshin kundër shkëmbinjve, hodhën nga kiçi katër spiranca, duke pritur me ankth që të bëhej ditë.
- 30 Por, duke qenë se detarët kërkonin të iknin prej anijes dhe po e ulnin sandallen në det gjoja për të hedhur spirancat nga bashi,
- 31 Pali u tha centurionit dhe ushtarëve: ''Po nuk qëndruan këta në anije, ju nuk do të mund të shpëtoni''.
- 32 Atëherë ushtarët i prenë litarët e sandallit dhe e lanë të bjerë jashtë.
- 33 Dhe në pritje që të bëhej ditë, Pali i nxiti të gjithë të hanin diçka, duke thënë: ''Sot është e katërmbëdhjeta ditë që, duke pritur, jeni të uritur, pa ngrënë asgjë.
- 34 Prandaj ju këshilloj të hani diçka, sepse kjo është për shpëtimin tuaj; sepse as edhe një fije floku nga kokat tona nuk do të bjerë''.
- 35 Si tha këto, mori bukë, iu falënderua Perëndisë përpara të gjithëve, pastaj e theu dhe filloi të hajë.
- 36 Atëherë të gjithë, si morën zemër, morën edhe ata nga ushqimi.
- 37 Dhe në anijen ne ishim gjithsej dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë veta.
- 38 Dhe mbasi hëngrën sa u ngopën, e lehtësuan anijen duke hedhur grurin në det.
- 39 Dhe kur u gdhi, nuk e njihnin dot vendin, por vunë re një gji me një breg dhe vendosën ta shtyjnë anijen aty, po të mundnin.
- 40 I zgjidhën spirancat dhe i lanë të fundosen në det, duke zgjidhur në të njëjtën kohë të lidhurat e timonit; pastaj, si e ngritën velën kryesore nga era, u drejtuan për te bregu.
- 41 Por, mbasi ranë në një cekëtinë që kishte deti nga të dy anët, anija ngeci dhe mbeti me bashin të zënë e të palëvizshëm, ndërsa kiçi po shkallmohej nga furia e valëve.
- 42 Ushtarët ishin të mendimit t'i vritnin robërit, që asnjë të mos ikte me not.
- 43 Por centurioni, duke dashur të shpëtojë Palin, ua largoi mendimin për këtë propozim dhe u dha urdhër atyre që dinin të notonin të hidheshin të parët në det dhe të dilnin në tokë;
- 44 pastaj të tjerët, kush mbi dërrasa, kush mbi pjesë të anijes; dhe kështu ndodhi që të gjithë mundën të shpëtojnë në tokë.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗