사도행전 13장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 사도행전 (Acts) · 52절
- 1 Por në kishën e Antiokisë ishin profetë dhe mësues: Barnaba, Simeoni, i quajtur Niger, Luci nga Kireneas, Manaeni, që ishte rritur bashkë me Herodin tetrark, dhe Sauli.
- 2 Dhe, ndërsa po kryenin shërbesën e Zotit dhe po agjëronin, Fryma e Shenjtë tha: ''M'i ndani veç Barnabën dhe Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur''.
- 3 Atëherë, pasi agjëruan dhe u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën.
- 4 Ata, pra, të dërguar nga Fryma e Shenjtë, zbritën në Seleuki dhe që andej lundruan për në Qipro.
- 5 Kur arritën në Salaminë, shpallën fjalën e Perëndisë në sinagogat e Judenjve; dhe ata kishin me vete edhe Gjonin si ndihmës.
- 6 Pastaj, mbasi e përshkuan ishullin deri në Pafo, gjetën aty një magjistar, një profet të rremë jude, me emër Bar-Jezus,
- 7 i cili ishte me prokonsullin Sergj Pal, njeri i zgjuar. Ky thirri pranë vetes Barnabën dhe Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë,
- 8 por Elimas, magjistari (ky në fakt është kuptimi i emrit të tij) u kundërshtoi atyre, duke kërkuar ta largojë prokonsullin nga besimi.
- 9 Atëherë Sauli, i quajtur edhe Pal, i mbushur me Frymën e Shenjtë, i nguli sytë mbi të dhe tha:
- 10 ''O njeri plot me çdo mashtrim dhe çdo farë ligësie, bir i djallit, armik i çdo drejtësie, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i rrugëvë të drejta të Zotit?
- 11 Tani, pra, ja, dora e Zotit është mbi ty, dhe do të verbohesh dhe nuk do ta shohësh më diellin për një farë kohe''. Menjëherë mbi të ra mjegull dhe terr: dhe ai shkonte rreth e qark duke kërkuar ndonjë që ta mbante për dore.
- 12 Atëherë prokonsulli, kur pa çfarë kishte ndodhur, besoi, i mrekulluar nga doktrina e Zotit.
- 13 Dhe Pali dhe shokët e vet hipën në anije nga Pafo dhe arritën nëpër det në Pergë të Panfilisë; por Gjoni u nda prej tyre dhe u kthye në Jeruzalem.
- 14 Por ata, duke vazhduar rrugën nga Perga, arritën në Antioki të Pisidisë; dhe, mbasi hynë në sinagogë ditën e shtunë, u ulën.
- 15 Mbas leximit të ligjit dhe të profetëve, krerët e sinagogës dërguan atyre për t'u thënë: ''Vëllezër, në qoftë se keni ndonjë fjalë këshilluese për popullin, ia thoni''.
- 16 Atëherë Pali u ngrit dhe, mbasi bëri shenjë me dorë, tha: ''Izraelitë dhe ju që druani Perëndinë, dëgjoni!
- 17 Perëndia e këtij populli të Izraelit i zgjodhi etërit tanë, dhe e bëri të madh popullin gjatë qëndrimit në vendin e Egjiptit; pastaj, me krahë të fuqishëm, e nxori që andej.
- 18 Dhe për afro dyzet vjet i duroi në shkretëtirë.
- 19 Pastaj shkatërroi shtatë kombe në vendin e Kanaanit dhe ua shpërndau atyre në trashëgimi vendin e tyre.
- 20 Dhe pastaj, për afro katërqind e pesëdhjetë vjet, u dha Gjyqtarë deri te profeti Samuel.
- 21 Më pas ata kërkuan një mbret; dhe Perëndia u dha atyre Saulin, birin e Kisit, një burrë nga fisi i Beniaminit, për dyzet vjet.
- 22 Pastaj Perëndia e hoqi dhe u ngjalli atyre si mbret Davidin, për të cilin dha dëshmi duke thënë: "Kam gjetur Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime, i cili do të zbatojë të gjitha vullnetet e mia".
- 23 Prej farës së këtij Perëndia, sipas premtimit të vet, i ka ngjallur Izraelit Shpëtimtarin Jezus.
- 24 Para ardhjes së tij, Gjoni predikoi një pagëzim pendimi për gjithë popullin e Izraelit.
- 25 Dhe, kur Gjoni po e përfundonte misionin e tij, tha: "Cili pandehni se jam unë? Unë nuk jam Krishti; por ja, pas meje vjen një, të cilit unë nuk jam i denjë t'i zgjidh sandalet e këmbëve".
- 26 Vëllezër, bij të pasardhësve të Abrahamit, dhe ata prej jush që druajnë Perëndinë, juve ju është dërguar fjala e këtij shpëtimi.
- 27 Sepse banorët e Jeruzalemit dhe krerët e tyre, duke mos e njohur Këtëjezus, duke e dënuar, kanë përmbushur fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë.
- 28 Dhe, ndonëse nuk i gjetën asnjë faj që të meritonte vdekjen, i kërkuan Pilatit që ai të vritet.
- 29 Dhe mbasi u kryen të gjitha gjërat që janë shkruar për të, atë e zbritën nga druri dhe e vunë në varr.
- 30 Por Perëndia e ringjalli prej të vdekurve;
- 31 dhe ai u pa për shumë ditë nga ata që ishin ngjitur me të nga Galilea në Jeruzalem, të cilët tani janë dëshmitarë të tij para popullit.
- 32 Dhe ne po ju shpallim lajmin e mirë të premtimit që u qe bërë etërve,
- 33 duke ju thënë se Perëndia e ka përmbushur për ne, bij të tyre, duke ringjallur Jezusin, ashtu si dhe është shkruar në psalmin e dytë: "Ti je Biri im, sot më linde".
- 34 Dhe mbasi e ka ringjallur prej të vdekurve për të mos e kthyer në kalbje, ai ka thënë kështu: "Unë do t'ju jap premtimet e sigurta të bëra Davidit".
- 35 Për këtë ai thotë edhe në një psalm tjetër: "Ti nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbje".
- 36 Sepse Davidi, mbasi zbatoi këshillën e Perëndisë në brezin e tij, vdiq dhe u bashkua me etërit e vet dhe pa kalbje,
- 37 por ai, që e ka ringjallur Perëndia, nuk ka parë kalbje.
- 38 Le ta dini, pra, o vëllezër, se nëpërmjet tij ju është shpallur falja e mëkateve,
- 39 dhe se, me anë të tij, ai që beson është shfajësuar nga të gjitha gjërat, që nuk mund të shfajsohej me anë të ligjit të Moisiut.
- 40 Kini kujdes, pra, që të mos ju ndodhë ajo që është thënë në profetët:
- 41 "Shikoni, o përbuzës, mrekullohuni dhe do të treteni, sepse unë po kryej një vepër në ditët tuaja, një vepër, të cilën ju nuk do ta besonit, po t'jua tregonte dikush"''.
- 42 Dhe kur Judenjtë dolën nga sinagoga, johebrenjtë u lutën që të shtunën e ardhshme t'u flisnin përsëri për këto gjëra.
- 43 Dhe, mbasi u shpërnda mbledhja, shumë nga Judenjtë dhe nga prozelitët e perëndishëm i ndiqnin Palin dhe Barnabën, të cilët, duke u folur atyre, i bindën të ngulmojnë në hir të Perëndisë.
- 44 Të shtunën tjetër gati gjithë qyteti u mblodh për të dëgjuar fjalën e Perëndisë.
- 45 Por Judenjtë, duke parë turmën, u mbushën me smirë dhe u kundërviheshin thënieve të Palit, duke kundërshtuar dhe duke blasfemuar.
- 46 Atëherë Pali dhe Barnaba, duke folur lirisht, thanë: ''Ishte e nevojshme që fjala e Perëndisë t'ju shpallej ju më së pari; por, ngaqë ju e hidhni poshtë dhe nuk e çmoni veten të denjë për jetën e përjetshme, ja, ne po u drejtohemi johebrenjve.
- 47 Sepse kështu na ka urdhëruar Zoti: "Unë të vura si dritë të johebrenjve, që ti ta çosh shpëtimin deri në skajin e dheut"''.
- 48 Johebrenjtë, kur dëgjuan, u gëzuan dhe lëvdonin fjalën e Zotit; dhe të gjithë sa ishin të paracaktuar për jetën e pasosur besuan.
- 49 Dhe fjala e Zotit përhapej në mbarë atë vend.
- 50 Por Judenjtë i nxitën disa gra të perëndishme të shtresës së lartë, si dhe parinë e qytetit, dhe ngjallën një përndjekje kundër Palit dhe Barnabës dhe i dëbuan jashtë kufijve të tyre.
- 51 Atëherë ata, mbasi shkundën pluhurin e këmbëve të tyre kundër tyre, shkuan në Ikon.
- 52 Dhe dishepujt ishin mbushur me gëzim dhe me Frymën e Shenjtë.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗