빌레몬서 1장 Albanian Bible
Albanian Bible · 알바니아어 · 빌레몬서 (Philemon) · 25절
- 1 Pali, i burgosuri i Jezu Krishtit, dhe vëlla Timoteu, Filemonit të dashur dhe bashkëpunëtorit tonë,
- 2 motrës Apfi, bashkëluftëtarit tonë Arkipit, dhe kishës që mblidhet në shtëpinë tënde:
- 3 hir dhe paqe mbi ju prej Perëndisë sonë, Atit, dhe Zotit Jezu Krisht.
- 4 E falënderoj Perëndinë tim, duke të kujtuar gjithnjë në lutjet e mia,
- 5 sepse po dëgjoj për dashurinë tënde dhe për besimin që ke ndaj Zotit Jezu Krisht dhe ndaj gjithë shenjtorëve,
- 6 që bashkësia e besimit tënd të bëhet e frytshme nëpërmjet njohjes së çdo të mire që është në ju për shkak të Jezu Krishtit.
- 7 Sepse ne patëm gëzim të madh dhe përdëllim nga dashuria jote, sepse me anën tënde, o vëlla, zemrat e shenjtorëve u përtërinë.
- 8 Prandaj, edhe pse kam liri të plotë në Krishtin të të urdhëroj atë që duhet të bësh,
- 9 më shumë më pëlqen të të lutem për dashurinë, kështu siç jam unë, Pali, plak dhe tashti edhe i burgosur i Jezu Krishtit;
- 10 të lutem për birin tim Onesim, që më lindi në prangat e mia,
- 11 i cili dikur s'kishte fare vlerë për ty, por që tani është shumë i vlefshëm për ty e për mua,
- 12 të cilin ta dërgova përsëri; dhe ti prite atë, zemrën time.
- 13 Do të desha ta mbaja pranë vetes që të më shërbente në vendin tënd në prangat për shkak të ungjillit;
- 14 por nuk desha të bëja asgjë pa mendjen tënde që e mira të cilën do të bësh të mos jetë nga detyrimi, por me dashje.
- 15 Sepse ndoshta për këtë arsye qe ndarë prej teje për pak kohë, që ta kesh atë përgjithmonë,
- 16 por jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, vëlla të dashur, sidomos për mua, por aq më tepër për ty si sipas mishit, ashtu dhe në Zotin.
- 17 në qoftë se ti, pra, më konsideron shok, prite si të isha vetë!
- 18 Dhe në qoftë se të ka bërë ndonjë padrejtësi ose të ka ndonjë detyrim, m'i ngarko mua.
- 19 Unë, Pali, i shkrova me dorën time. Unë vetë do të paguaj; që të mos them se ti më detyrohesh edhe veten tënde!
- 20 Po, vëlla, ma bëj këtë nder në Perëndinë! Ma përtëri zemrën në Perëndinë!
- 21 Të shkrova me plotbesim se do të më dëgjosh, sepse e di se ti do të bësh edhe më shumë nga sa po të them.
- 22 Më përgatit njëkohësht një vend për të ndenjur, sepse shpresoj se, për hir të lutjeve tuaja, do t'ju dhurohem përsëri.
- 23 Epafra, i burgosur bashkë me mua në Jezu Krishtin,
- 24 Marku, Aristarku, Dema dhe Lluka, bashkëpunëtorët e mi, të bëjnë të fala.
- 25 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj. Amen.
- 📚 Albanian Bible 책 목록
- 개역개정판 (1998)로
- 개역한글판 (1961)로
- 표준새번역 (1993)로
- King James Version로
- KJV 와 나란히
- 🌐 다른 언어·판
Albanian Bible — getbible.net(CrossWire SWORD 모듈)에서 가져옴 · 라이선스: 공개 도메인 (Public Domain) · 출처 ↗